Jo, nuk më interesojnë këto demagogji populiste që thonë se publiku duhet
shërbyer. Nuk është e vërtetë. Publiku duhet shërbyer në restorant, në bordell.
Jo në letërsi, jo në art. Arti, po nuk pasqyroi, me mjetet e veta të veçanta,
realitetin, dhe po nuk u përpoq të shtrojë pyetje të rëndësishme për ekzistencën
njerëzore, po nuk ishte një mjet edukimi jo vetëm drejt kulturës së epërme, por
edhe drejt njerzillëkut, e humb kuptimin. Kultura
nuk duhet marrë si një mjet edukimi i masave. Kjo është fatkeqësia. Kjo vjen
nga fryma e turmës dhe të gjithë diktatorët spekulojnë bash me frymën e turmës.
Është e vërtetë se teatri ka një ndikim magjik mbi një grup njerëzish, mbi një
sallë... Po sa mund të zgjerohemi? Në stadiume? Teatri nuk është një mjet
agjitacioni masiv. Është tjetërgjë. Sigurisht që disa regjisorë të rëndësishëm
të këtij shekulli kanë synuar pjesëmarrjen, afrimin, kanë dashur të kthehen në
ritual, Brook-u, Andrei Șerban-i, Artaud-i, Grotowski. Por Grotowski u bë i rëndësishëm
dhe e pamundur të shmangej pavarësisht se nuk besoj që pjesët e tij i panë më
shumë se 10.000 vetë. Ai ka vënë në skenë për 35-40 vetë! Nuk e mohoj as
karakterin ndonjëherë elitist të teatrit. Jam i bindur se një pjesë e mirë
teatri u kumton diçka të gjitha niveleve të spektatorëve, por qëllimi i saj është
të ngjizë njerëz të pjekur, shtetas të lirë, për të cilët kemi shumë nevojë dhe
të cilët mund të marrin vendime vetjake, mund të shihen në pasqyrë dhe mund të
ndeshen me qënien e vet.