Showing posts with label Ramon Del Valle-Inclan. Show all posts
Showing posts with label Ramon Del Valle-Inclan. Show all posts

Ramon Del Valle-Inclan: Sonatë pranverore (Sonata de Primavere)

Përktheu nga spanjishtja Petrit Mavrovi


Po bëhej natë kur karroca e postës kaloi Portën Salária dhe filluam të përshkonim tokën plot mistere e legjenda të herëshme. Ishte toka klasike e vrështave dhe ullinjëve me ujësjellësit e sajë të rrënuar dhe bregoret me kurbëzime të hírëshme si gjinjë femëror. Karroca e postës ecte në një rrugë të vjetër: mushkat që e tërhiqnin tundnin rëndë-rëndë qaforet dhe tingulli i gëzueshëm dhe i shrregullt i zileve jehonte ndër ullishtet e lulëzuara. Varre të lashtë kufizonin rrugën ndërsa qipariset e trishtuar hidhnin mbi ‘ta hijen e tyre plot respekt. Karroca e postës vazhdonte gjithmonë në rrugën e vjetër dhe sytë e mi të lodhur nga shikimi në errësirën e natës po mbylleshin nga gjumi. Më në fund fjeta dhe nuk u zgjova deri aty nga mëngjezi kur hëna, tashmë shumë e zbehtë, po zhdukej në kupën e qiellit. Pak më vonë, ende i mpirë nga mungesa e lëvizjes dhe të ftohtit e natës, fillova të dëgjoj këngën e hareshme të këndezëve dhe gurgullimën e gëzuar të një përroi që dukej sikur zgjohej së bashku me lindjen e djellit... Mure me bedena, të zinjë e të zymtë, shquheshin së largu¨në sfondin e reve me ngjyrë të kaltër e të ftohtë. Ishte qyteti i vjetër, fisnik dhe i dhimbsur i Ligurës.