Ramon Del Valle-Inclan: Sonatë pranverore (Sonata de Primavere)

Përktheu nga spanjishtja Petrit Mavrovi


Po bëhej natë kur karroca e postës kaloi Portën Salária dhe filluam të përshkonim tokën plot mistere e legjenda të herëshme. Ishte toka klasike e vrështave dhe ullinjëve me ujësjellësit e sajë të rrënuar dhe bregoret me kurbëzime të hírëshme si gjinjë femëror. Karroca e postës ecte në një rrugë të vjetër: mushkat që e tërhiqnin tundnin rëndë-rëndë qaforet dhe tingulli i gëzueshëm dhe i shrregullt i zileve jehonte ndër ullishtet e lulëzuara. Varre të lashtë kufizonin rrugën ndërsa qipariset e trishtuar hidhnin mbi ‘ta hijen e tyre plot respekt. Karroca e postës vazhdonte gjithmonë në rrugën e vjetër dhe sytë e mi të lodhur nga shikimi në errësirën e natës po mbylleshin nga gjumi. Më në fund fjeta dhe nuk u zgjova deri aty nga mëngjezi kur hëna, tashmë shumë e zbehtë, po zhdukej në kupën e qiellit. Pak më vonë, ende i mpirë nga mungesa e lëvizjes dhe të ftohtit e natës, fillova të dëgjoj këngën e hareshme të këndezëve dhe gurgullimën e gëzuar të një përroi që dukej sikur zgjohej së bashku me lindjen e djellit... Mure me bedena, të zinjë e të zymtë, shquheshin së largu¨në sfondin e reve me ngjyrë të kaltër e të ftohtë. Ishte qyteti i vjetër, fisnik dhe i dhimbsur i Ligurës.
 
Hymë nga Portat e Lorencianës. Karroca e postës ecte ngadalë dhe në rrugët e shkreta, ku rritej bar, tingulli i zileve të mushkave gjente një jehonë tallëse, gati të pa mëshirshme. Tri plaka, që dukeshin si tri hije, të bëra kruspull, prisnin te porta e një kishe ende të mbyllur ndërsa kambana të largëta kishin filluar të binin për meshën e mëngjezit. Karroca e postës ndiqte një rrugë përmes kopshtesh, shtëpishë karakatinë e manastiresh, rrugë e lashtë me pllaka kumbuese. Nën strehët e zymta fërfëllinin trumcakë dhe në fundin e rrugës kandili i një kamareje ishte duke u shuar. Hapi i plogët i mushkave me lejoi të shquaj në menyrë të vagëlluar një Shën Mari: mbante në prehër fëmijën i cili, i qeshur e lakuriq, shtrinte krahët për të kapur një peshk që gjishtrinjtë virgjëror të s`ëmës ia tregonin nga lart si një lodër të thjeshtë, qiellore. Karroca e postës u ndal: ndodheshim te dyert e Kolegjit Klementino.
Kjo ndodhte në kohët e lumtura te Papës-Mbret dhe kolegji i Klementinos ruante të gjitha përparësite e tij, juridiksionin dhe të ardhurat e veta. Ishte ende pension për burra të shquar dhe vazhdonte të quhej arkivi fisnik i shkencave. Rektoratin e ushtronte prej shume vitesh një prelat i shquar: Imzoti Stefan Gaetani, peshkop i Betulias, nga familia e princërve Gaetani. Për atë burr, plot me cilësi ungjillore e te shkencës teologjike, unë po shpija Kapelën e Kardinalit. Shkëlqesia e tij, duke më zgjedhur midis rojeve të tij fisnike për një misjon kaq të lartë, kish dashur të nderonte vitet e mi të rinisë. Unë jam Bibiena de Rienco, nga ana e gjyshes prej babe, Julia Aldegrinas, bijë e princit Maksim Bibiena që vdiq me 1770 i helmuar nga aktorja e famshme Simoneta Korticeli së cilës, në Kujtimet e kavaljerit Seingalt, i është kushtuar një kapitull i gjatë.
Dy roje me veladon e bereta ishin duke shëtitur në oborrin e manastirit. Ishin pleq ceremonialë. Kur më panë tek po hyja, vrapuan të më takonin:
- Një fatkeqësi e madhe, Shkëlqesi! Një fatkeqësi e madhe!
Qëndrova duke shikuar herë njërin, herë tjetrin.
-Ç’po ndodh?
Të dy rojtarët psherëtinë. Njëri syresh filloi:
- Rektori ynë i shquar…
Dhe tjetri, i përlotur dhe me gjeste prej profesori, korigjoi:
-Ati ynë shumë i dashur, Shkëlqesi…! Ati ynë shumë i dashur, mjeshtri ynë, udhëzuesi ynë ndodhet në çastin e vdekjes. Dje pësoi një aksident në kohën që ndodhej në shtëpinë e motrës se tij….
Dhe këtu bedeli tjetër, që po fshinte sytë në heshtje, konfirmoi nga ana e vetë:
-Zonja Princeshë Gaetani, nje zonjë spanjolle që ishte e martuar me vëllain e madh të Shkelqesise se Tij: Princi Filip Gaetani. Ende nuk mbush vitin qysh kur vdiq në një gjueti. Tjetër fatkeqësi e madhe, Shkëlqesi!
Unë i ndërpreva me padurim:
- A e kanë çuar Imzotin në kolegj?
-Zonja princeshë nuk ishte dakort. Po Ju them se ndodhet në çastin e fundit të vdekjes.
U përkula me një hidhërim solemn:
-Të respektojmë vullnetin e Zotit!
Të dy rojet bënë kryqin me përkushtim. Tej, në fund të oborrit kumbonte rëndshëm një kambanë e argjentë. Ishte kungimi i fundit i Imzotit dhe rojet hoqën beretat. Pak më vonë, nën harqet, filluan të parakalojnë shkollarët: humanistë, teologë, doktorë e maturantë të cilët formonin një kortezh të gjatë. Dilnin prej një harku të ndarë në dy rreshta dhe luteshin me një zhurmë të shurdhër. Me duarë të kryqëzuara në gjoks shtrëngonin beretat kurse shiritat e tyre lëkundesheshin duke fshirë pllakat e rrugës. Unë mbështeta një gju në tokë dhe po i vështroja tek kalonin. Maturantë e doktorë me vështronin gjithashtu. Manteli im i rojes fisnike tregonte cili ishja dhe ata bënin komente më zë të ulët. Pasi kaluan të gjithë u ngrita dhe u shkova pas. Kambana e kungimit të fundit tani po kumbonte në fund të rrugës. Herë pas here dilte prej shtëpisë së vetë ndonjë plak i devotshëm me një fener të ndezur dhe, si bënte shenjën e kryqit, bashkohej me kortezhin. Qëndruam në një shesh të vetmuar përball një pallati që kish të gjitha dritaret te ndriçuara. Ngadalë kortezhi hyri në tremën e gjerë. Nën kriptë zhurma e lutjeve u bë më e rëndë ndërsa tingulli i gëzueshëm i kambanës fërfëllinte lavdishëm për mbi zërat e shuar e të penduar.
U ngjitëm nëpër shkallë madhështore. Të gjitha dyertë ishin të hapura dhe shërbëtorë pleq me sëpata dylli na prijtën nëpër sallone të boshatisur. Dhoma ku po jepte shpirt Imzot Stefan Gaetani ishte zhytur në një errësirë fetare. Prelati fisnik lëngonte në një shtrat të lashtë me baldakinë mëndafshi. Sytë i kish mbyllur. Koka i fshihej në gropën e jastëqeve dhe profili i tij i lakuar prej fisniku romak shquhej në gjysëmhije i palevizshëm, i bardhë, me pamje varri, njësoj si profili i statujave të shtrira. Në fund të dhomës, pranë një altari, luteshin në gjunjë Princesha dhe pesë vajzat e saj.
Princesha Gaetani ishte një zonjë ende e bukur, e bardhë, bjonde: kish buzë shumë të kuqe, duart si prej bore, sy të praruar, të praruar edhe flokët. Kur më pa, më nguli një shikim të gjatë dhe buzëqeshi me një trishtim të dashur. Unë u përkula dhe fillova t’a vështroja përsëri. Princesha Gaetani më kujtonte portretin e Maria de Mediçis në dasmën e saj me mbretin e Francës, të pikturuar prej Pedro Pablo Rubensit.

Imzot mezi mundi të hapte sytë dhe të ngrihej mbi jastëk kur prifti që drejtonte kungimin u afrua te shtrati: pasi mori kungimin koka e tij ra përsëri si e këputur ndërsa buzët e tij të thekura e të plogëta belbëzonin një lutje në latinisht. Kortezhi filloi të terhiqej në qetësi. Edhe unë dolla nga dhoma e gjumit. Kur po kaloja paradhomën m’u afrua një familiar i Imzotit:
-Ju, pa dyshim, jeni i dërguari i Shkëlqesisë së Tij....?
- Ashtu është: Jam Markezi i Bradominës.
- Sa po ma tha Princesha...
­- Më njeh Princesha?
- Ka njohur prindërit tuaj.
- Kur mund t’i paraqes nderimet e mia?
- Princesha dëshëron t’ju flas pikërisht tani.
U hoqëm mënjanë për të ndjekur predikimin nga një dritare. Kur parakaluan shkollarët e fundit dhe paradhoma mbeti bosh, instiktivisht vështrova nga dera e dhomës së gjumit dhe pashë princeshën tek dilte duke fshirë sytë me një shami të qëndisuur, e rrethuar nga të bijat. U afrova dhe i putha dorën. Ajo murmuriti dobët:
-Në ç’rast të trishtuar po të shoh përsëri, biri im!
Zëri i Princeshë Gaetanit zgjonte në shpirtin tim një botë kujtimesh të largëta që kishin atë vagëllimin gazmor e të lumtur të kujtimeve fëminore. Princesha vazhdoi:
-Ç’di për nënën tënde? Kur ishje fëmi ngjaje shumë me ‘të, tani jo… Sa herë të kam mbajtur në prehër. Nuk të kujtohem?
Unë pëshpërita i pa vendosur:
-Më kujtohet zëri....
Dhe heshta, duke sjell ndërmend të kaluarën. Princesha Gaetani më vështronte duke buzëqeshur dhe, befas, në misterin e praruar të syve të saj gjeta se kush ish. Qesha me vehte. Atëherë ajo më tha:
-Tani të kujtohet?
-Po...
-Kush jam?
Putha përsëri dorën e saj dhe pastaj u përgjigja:
-Bija e Markezit të Agarit...
Buzeqeshi trishtueshëm duke sjell ndërmend rininë e saj dhe më paraqiti te bijat:
-Marie Rozario, Marie Karmeni, Marie Pilari, Marie Soledadi, Marie Nievesi. Të pesta quhen Marie.
Me një nderim të vetëm e të thellë i përshëndeta të gjitha. Marie Rozario ishte një grua njëzet vjeçare kurse më e vogla, Marie Nievesi, një fëmij pesëvjeçar. Të gjitha m’u dukën të bukura e të sjellëshme. Marie Rozario ishte e zbehtë, e matur, me sy të zinjë plot dritë të gjallë. Të tjerat ngjanin plotësisht me të ëmën, kishin të praruar si sytë edhe flokët. Princesha zuri vënd në një divan të gjerë prej damasku kërmez dhe filloi të më fliste më zë të ulët. Të bijat u tërhoqën në heshtje duke u ndarë me mua me një buzëqeshje që ishte njëherësh e ndrojtur dhe e dashur. Marie Rozario doli e fundit. Besoj se përveç buzëve më buzëqeshën edhe sytë e saj, por kanë kaluar shumë vite prandaj s’mund të flas me siguri. Ajo ç’ka kujtoj akoma është se, kur po e vështroja tek po largohej ndjeva se një re e një trishtimi të vagëlluar më pushtonte shpirtin. Princesha mbeti një çast me shikimin të fiksuar te dera ku ishin zhdukur të bijat dhe, pastaj, me atë ëmbëlsinë e një zonje të dashur e të përkushtuar më tha:
-Tashmë i njef!
Unë u përkula:
-Janë po aq të bukura sa dhe e ëma!
-Janë shumë të mira dhe kjo vlen më shumë.
Unë qëndrova në heshtje sepse gjithmonë kam besuar se mirësia e femrave është edhe më jetëshkurtër se bukuria e tyre. Ajo zonjë fatkeqe besonte të kundërtën dhe vazhdoi:
-Marie Rozario brënda disa ditësh do të hyjë në një manastir. E ndiftë Zoti që të bëhet një tjetër Fraciska Gaetani e Bekuar.
Unë pëshpërita në mënyrë solemne:
-Eshtë një ndarje po aq mizore sa dhe vdekja!
Princesha më ndërpreu në mënyrë energjike:
-Pa dyshim që përbën një dhëmbje shumë të madhe, por është gjithashtu një ngushëllim kur e di se tundimet dhe rreziqet e botës nuk do të ekzistojnë për këtë qënie të dashur. Sikur të hynin në një manastir të gjitha bijat e mia, unë do t’ u shkoja pas e lumtur....! Fatkeqësisht nuk janë të gjitha si Marie Rozario!
Heshti dhe psherëtiu me shikimin të papërqëndruar; në fundin e praruar të syve të saj besova se pashë flakën e një fanatizmi tragjik e të zymtë. Në atë çast njëri nga pjesëtarët e familjes që përgjonte Imzot Gaetanin u duk te dera e dhomës së gjumit dhe qëndroi atje pa bërë zhurmë, në mëdyshje se do të prishte qetësinë tonë, deri sa Princesha mori mundimin ta pyesë duke psherëtirë sa me përbuzje aq edhe me mirësjellje:
-Ç’po ndodh, zoti Antonio?
Zoti Antonio bashkoi duart me një shprehje lumturie fallco dhe picërroi sytë:
-Shkëlqesë, Imzot dëshëron t’i flasë të dërguarit të Shenjtërisë së Tij.
-E di ai se ndodhet këtu?
-E di, po, Shkëlqesë. E ka parë kur mori vajimin e parë. Imzot nuk e ka humbur vetëdijen as një çast të vetëm, qoftë edhe kur mund të dukej e kundërta.
Pas gjithë kësaj unë ishja ngritur në këmbë. Princesha më zgjati dorën të cilën edhe në atë çast dita t’a puth më tepër me bujari se me respekt dhe hyra në dhomën ku jepte shpirt Imzot. Prelati fisnik më nguli sytë e tij si qelq tashmë të venitur dhe deshi të më bekonte por dora e tij ra e këputur gjatë trupit ndërkohë që një lotë po i rrëshqiste ngadalë dhe me ankth. Në qetësinë e dhomës dëgjohej vetëm gërhatja e frymëmarjes së tij. Pas një çasti mundi të thoshte me një belbëzim të vështirë:
-Zoti Kapiten, dua t’i çoni Atit të Shenjt dëshminë e mirënjohjes time...
Heshti dhe mbeti ashtu një copë herë të gjatë me sy të mbyllur. Buzët e tij të thara e të mavijosura dukeshin se lëviznin nga drithërima e nje lutjeje. Si hapi sërish sytë vazhdoi:
-Orët e mia janë të numëruara. Nderimet, madhështitë, shkallët jerarqike, gjithëçka kam patur zili gjatë jetës time, në këtë moment po bëhen hi e pluhur përpara vetë syve të mi, që po mbyllen një herë e përgjithmonë. Perëndia, Zoti ynë, nuk më braktis dhe më tregon shpresën dhe lakuriqësinë e të gjitha gjërave... Po më afrohren hijet e përjetësisë por shpirti im ndriçohet nga brenda me qartësine hyjnore të Hirës.
Përsëri u detyrua të pushojë dhe, për mungesë forcash, mbylli sytë. Njëri nga familjarët iu afrua dhe i fshiu ballin me një shami të hollë. Pastaj, duke m’u drejtuar mua, pëshpëriti me zë të ulët:
-Zoti Kapiten, kujdesuni që të mos flasë.
Un pranova me anë të një gjesti. Imzot hapi sytë dhe na vështroi të dyve.Një mërmëritje e shuar dolli prej buzëve të tij: U përkula për t’a dëgjuar por nuk munda të kuptoj ç’po më thoshte. Njeriu i familjes më shtyu ngadalë mënjanë dhe, si u përkul mbi gjoksin e atij që po jepte shpirt, shqiptoi me autoritet dashamirës:
-Tani duhet që Shkelqesia Juaj të shlodhet. Mos flisni...
Prelati bëri një gjest të dhëmshur. Familiari i fshiu përsëri ballin me shami ndërkohë që syte e tij dinak prej kleriku italian më thoshin se nuk duhej të vazhdoja më atje. Duke qënë se ajo ishte edhe dëshira ime i bëra nje gjest mirësjelljeje dhe u largova. Familiari u ul në një kolltuk që ndodhej pranë kokës së shtratit dhe pasi mblodhi ngadalë teshat filloi të mendonte ose, ndoshta, të flinte por, në atë moment, Imzot vuri re se un po tërhiqesha dhe, duke u ngritur me një mundim të madh, më thirri:
-Mos ik, biri im! Dua t’i çosh rrëfimin tim Atit të Shenjt.
Priti të afrohesha përsëri dhe, me sytë të ngulitur në altarin e thjeshtë që ndodhej në një kënd të dhomës, filloi:
-O Zot, le të më shërbejnë si dënim qoftë dhëmbja për fajin që kam bërë ashtu dhe turpi që më shkakton rrëfimi i tij!
Sytë e Prelatit ishin të mbushur me lotë. Ishte i mundimshëm dhe i ngjirur zëri i tij. Njerëzit e familjes u grumbulluan për rreth shtratit. Fytyrat e tyre shikonin në dysheme. Të gjithë shfaqnin një hidhërim të madh dhe dukeshin të pregatitur qysh më parë për rrëfimin që deshte të bënte përpara tyre Peshkopi i Betulias që po jepte shpirt. Unë u ula në gjunjë. Prelati lutej në heshtje me sytë të ngulitur në kryqin mbi altar. Nëpër mollzat kockë e lëkurë lotët rendnin njëri pas tjetrit.
-Faji im filloi kur mora letrat e para me të cilat miku im Imzot Ferrati më njoftonte për qëllimin që kish Shenjtëria e Tij për të më dhënë kapelën e kardinalit. Sa e dobët është natyra jonë njerëzore dhe sa delikate balta me të cilën jemi gatuar! Besova se gjaku im prej princi vlente më shumë se shkenca dhe virtyti i burrave te tjerë: U shfaq në shpirtin tim mëndjemadhësia, këshilletari njerëzor më fatal, dhe mendova se ndonjë ditë do të më jepej të drejtoja krishtërimin. Kryepriftër e shenjtorë pati në shtëpinë time prandaj gjykova se mund të ishja si ata. Në këtë mënyrë na verbon Satanai! E ndjeja se ishja plak prandaj prita që vdekja të sheshonte rrugën time. Perendia-Zoti yne nuk deshi që unë të arrija të vishja purpurën e shenjtë por, megjithatë, kur mbërritën njoftime të pasigurta e alarmante unë u trëmba se mos shpresat e mia do të fundoseshin me vdekjen e Shenjtërise së Tij, për të cilën të gjithë kishim frikë....Zoti im, përdhunova altarin tënd duke të lutur të ruaje atë jetë të shtrenjtë sepse, e keputur në ditët më të vona, mund të kish qënë në të mirën time vdekja e tij. O Perendi, i verbuar prej Djallit, deri më sot nuk kam qënë i ndërgjegjshëm për fajin tim! Zot, Ti që lexon deri në fundin e shpirtërave, Ti që njeh mëkatin tim dhe pendesën time, nga Ty kërkoj Shpëtim.
Heshti dhe një rrënqethje agonie përshkoi trupin e tij. Kish folur me zë të shuar, të mbushur me një hidhërim të qetë e të qartë. Gjurma e veshëve u shtri në drejtim të mollëzave dhe sytë, që thelloheshin gjithmonë e më shumë në gropëzat e tyre, u mbuluan me një hije vdekje. Pastaj mbeti shtrirë, i ngrirë e indiferent, me kokën të shtrëmbëruar, gojën të hapur, gjoksin të shqetsuar. Të gjithë ndenjëm në gjunjë, të pa vendosur, pa guxuar t’i flisnim dhe pa lëvizur për të mos shqetësuar atë prehje që na kallte tmerr. Më tutje lëshonte dënesën e tij të përhershme shatërvani që ndodhej në mes të sheshit dhe dëgjoheshin zërat e disa vajzave që luanin në rreth: po këndonin një këngë të vjetër me ritëm të ngadaltë e të përmallshëm. Një rreze dielli mëngjezor prilli shkëlqente në vazot e shenjta të altarit dhe njerëzit e familjes luteshin me zë të ulët, të nxitur nga mëdyshjet plot përkushtim që torturonin shpirtin e çiltër të prelatit.... Unë, gjynaqari, fillova të dremisja nga që kishja udhëtuar tërë natën me karrocën e postës, se të rraskapit kur eshte e gjatë rruga.
Kur dola nga dhoma ku jepte shpirt Imzot Gaetani takova një maxhordom plak e ceremonial që po më priste te dera.
-Shkëlqesi, Zonja ime, Princesha, më dergoi t’ju tregoj dhomat tuaja.
Unë mezi munda të përmbaj një rrënqethje. Në atë çast, nuk di të them se ç’farë arome pranëverore të vagëlluar sillte në shpirtin tim kujtimi i të pesë vajzave të Princeshës. Më gëzonte shumë idea për të ndënjur në pallatin Gaetani por, megjith’atë, pata guximin të mos e pranoj:
-Shprehini Zonjës tuaj, Princeshës Gaetani, mirënjohjen time të plotë por do të strehohem në Kolegjin Klementino.
Maxhordomi u duk i shqetësuar.
-Shkëlqesi, më besoni se po i shkakëtoni një pakënaqësi të madhe. Në fund të fundit, në se nuk pranoni, kam urdhër ta njoftoj. Merrni mundimin e prisni disa çaste. Eshtë duke mbaruar dëgjimin e meshës.
Bëra një gjest pajtimi:
-Mos i thoni gjë. Zoti do të më falë që po preferoj këtë Pallat me të pesë zonjushet e tij të mrekullueshme dhe jo teologët hijerëndë të Kolegjit Klementino.
Maxhordomi më veshtroi i habitur sikur të dyshonte për gjykimin tim. Pastaj shfaqi dëshirën për të më folur por, pas disa lëkundjeve, përfundoi duke më treguar rrugën, duke e shoqëruar këte veprim vetëm me një buzëqeshje. Unë i shkova pas. Ishte plak, i rruar, i veshur me një redingotë të gjatë, prej ekleziasti, e cila gati i prekte këpucët e zbukuruara me tokëza të argjenta. Quhej Polonio, ecte me majë të këmbëve, pa bërë zhurmë dhe, në ç’do cast, kthehej për të më folur më zë të ulët e misterioz:
-Pakë shpresa ka që Imzot të mbetet në jetë…
Dhe pas disa hapave:
-Unë i fala të nëntën Shën Maries.
Dhe pak më tej, ndërsa po ngrinte një perde:
-Të paktën nuk ishja i detyruar. Imzot më kish premtuar të çonte në Romë.
Dhe vazhdoi përsëri të ecte.
-Nuk desh Zoti…! Nuk desh Zoti…!
Në këto e sipër kaluam paradhomën dhe një sallon pothuaj të errët si dhe një bibliotekë ku nuk ndodhej njeri. Aty maxhordomi qëndroi përpara një dere të mbyllur duke u rënë xhepave të pantallonave të tij të shkurtëra.
-Ruajm’ o Zot! Kam humbur çelsat....
Megjithatë vazhdoi të kërkonte. Më në fund i gjeti, hapi derën dhe u mënjanua duke më lënë të kaloja.
-Zonja Princeshë dëshëron të kini në dispozicjon sallonin, bibliotekën dhe këtë dhomë.
Hyra. Dhoma m’u duk plotësisht e ngjajshme me dhomën ku po jepte shpirt Imzot Gaetani. Ishte njësoj e thellë dhe e qetë, me perde të vjetra damasku kërmez. Hodha mbi një kolltuk mantelin tim të rojës fisnike dhe u ktheva të vështroja kuadrot që vareshin në mure. Ishin piktura të lashta në pëlhurë të shkollës fjorentine të cilat pasqyronin skena biblike. Moisiu i çliruar nga ujrat, Suzana dhe pleqtë, Juditi me kokën e Holofernës. Që të mundja t’i shifja më mirë, maxhordomi vrapoi, sa në njërën anë të dhomës në anën tjetrën, duke ngritur perdet e dritareve. Pastaj më la t’i kqyr në qetësi. Ecte pas meje si një hije, pa hequr buzeqeshjen nga buzët, një buzëqeshje të vagëlluar si buzëqeshje doktori. Kur mendoi se i kishja parë sipas qejfit e deshirës u afrua në maja të këmbëve duke folur me zërin e tij të ngjirur, më të ëmbël e misterioz se kurrë.
-Si ju duken? Janë të gjitha nga e njejta dorë...Dhe ç’farë dore!
Unë e ndërpreva.
-Pa dyshim të Andrea Sartos.
Zoti Polonio mori një qëndrim hijerëndë, gati solemn.
-Konsiderohen të Rafaelit.
Si u hodha një vështrim tjetër, Zoti Polonio vazhdoi:
-Vini veshin mirë pse po them vetëm konsiderohen. Sipas gjykimit tim modest vlejnë më shumë se në rastin që do të ishin të Rafaelit…Unë i quaj të Hyjnorit.
-Kush është Hyjnori?
Maxhordomi hapi krahët plotësisht i tmerruar:
-Dhe më pyesni, Shkëlqesi? Kush mund të jetë tjetër veç Leonardo da Vinçit…?
Dhe qëndroi në heshtje duke më veshtruar me keqardhje të vërtetë. Unë nuk arrita të përmbaja një buzëqeshje tallëse: Zoti Polonio bëri sikur nuk e vuri re dhe, duke qënë dinak si një kardinal romak, filloi të më miklonte.
-Deri më sot nuk kishja dyshuar...Tani ju them se po dyshoj. Shkëlqesi, ndoshta kini të drejtë. Andrea Sarto pikturoi shumë në atelien e Leonardit dhe kuadrot e tyre të asaj epoke ngjajnë aq shumë sa që i kanë ngatërruar më se njëherë....Tamam në Vatikan ndodhet një shëmbull: Shën Maria me trëndafil. Disa e quajnë të Vinçit, disa të tjerë të Sartos. Unë mendoj se është e burrit të Zonjës Lukrecia e Besës të cilës Hyjnori i ka dhënë dorën e fundit. E dini pa tjetër se një gjë e tillë ndodhte shpesh midis mjeshtrit dhe nxenësit të tij.
Unë po e dëgjoja me një ndjenjë lodhje. Zoti Polonio, si mbaroi ligjëratën e vetë, më drejtoi një përkulje të thellë dhe vrapoi me krahët të ngritur lartë, nga njëra dritare të tjetra, duke ulur perdet. Dhoma mbeti në gjysëm errësirë tamam për gjum. Zoti Polonio u nda duke më përshëndetur me zë të ulët, sikur të ndodhej në gjëmba dhe dolli pa zhurmë duke mbyllur derën pas vehtes...Aq shumë ishja lodhur sa fjeta deri sa ra mbrëmja. U zgjova duke parë në endërr Marie Rozarion.
Biblioteka kishte tri dyer që çonin në një tarracë prej mermeri. Në kopsht shatërvanet përsërisnin komentin epshor që, me sa duket, zërat e tyre të përjetshëm e rinorë bëjnë për ç’do mendim dashurie. Ndërsa po përkulesha mbi parmak ndjeva se flladi i pranëverës po më përkëdhelte fytyrën. Ay kopsht i vjetër me mërsina e dafina, dukej i mbushur plot hir njerëzor nën diellin që po perëndonte. Duke ecur nëpër rrugët tërë kthesa të një labirinti në fund të kopshtit, të pesë motrat shfaqeshin me fustane plot trëndafila si në një perrallë të lashtë. Larg shtrihej deti Tirren që përshkohej nga anije të shumta latine me vela që dukeshin si qelibar. Mbi plazhin me rërë të praruar valët shuheshin ngadalë ndërsa tingulli i guackave, me të cilat peshkatarët lajmeronin mbërritjen e tyre, i bashkuar me këngën e ngjirur të detit, dukeshin sikur përshtateshin me aromën e atij kopshti të lashtë ku të pesë motrat tregonin ëndërrat e tyre rinore nën hijen e marshallonjave.
Ishin ulur në një stol të madh prej guri për të bërë kurora me lule. Mbi supin e Marie Rozarios ishte ulur një pëllumb; në atë epizod të thjeshtë unë zbulova bukurinë dhe misterin e një alegorie. Disa kambana të fshatit po binin për festë ndërsa kisha e rrethuar me qiparise përvijohej së largu në majën e një kodre të gjejbëruar. Po dilte kortezhi që kish ecur për rreth kishës dhe dalloheshin figurat në bartinat me mantele të zbukuruar që shkëlqenin nga dielli ndërsa flamurët e kuqë të famullisë, të cilët ecnin në krye, valaviteshin fitimtarë si triumfe liturgjikë. Të pesë motrat u ulën në gjunjë mbi bar dhe bashkuan duart e mbushura me trëndafilë.
Mëllënjat këndonin nëpër degë dhe këngët e tyre harmonizoheshin duke u vargëzuar në një ritëm të largët njësoj si valët e detit. Të pesë motrat ishin ulur përsëri: gërshetonin në qetësi tufat e luleve dhe midis ngjyrës se purpurt të trëndafilave duart e tyre fërfëllinin si pëllumba të bardhë ndërsa rrezet e djellit që kalonin përmes gjethnajës dridheshin midis tyre si duaj të ndezur mistikë. Tritonët dhe sirenat e shatërvaneve derdhnin buzëqeshjen e tyre fantastike ndërsa ujrat e argjenta rendnin me murmuritjen e tyre rinore nëpër mjekrat plot llum te përbindshave detarë të përkulur për të puthur sirenat e zëna pre në krahët e tyre. Të pesë motra u ngritën për tu kthyer në pallat. Ecnin ngadalë nëpër rrugët e labirintit si princesha të magjepsura që përkëdhelin të njëjtin ëndërr. Kur flisnin, tingujt e zërave të tyre humbisnin mes zhurmave të mbrëmjes dhe vetëm vala pranëverore e të qeshurave të tyre ngrihej e harmonishme nën hijen e dafinave.
Kur hyra në sallonin e Princeshës, dritat ishin ndezur. Në mes të qetësisë kumbonte gjithë seriozitet zëri i një Bursisti që po bisedonte me zonjat që përbënin shoqërine e Princesha Gaetanit. Salloni ishte i zbukuruar me një shije franceze femërore e lluksoze. Foshnje ëngjëllore me vargje lulesh, nimfa të veshura me dantela, gjuetarë kalorsiakë dhe drerë me brirë të degëzuar mbushnin sixhadet e murit ndërsa mbi sergjenë, në grupe të bukur porcelani, dukë barinj rroknin trupin e bukur të markezeve fshatare. Për një çast unë qëndrova te dera; kur më panë, zonjat që kishin zënë vend në pod psherëtinë kurse bursisti u ngrit në këmbë:
-Me lejoni, Zoti Kapiten, t’ju përshëndes në emër të të gjithë Kolegjit Klementino.
Dhe më zgjati dorën e tij të mbushur që dukej sikur po kërkonte amatistin pastoral. Si priviligj pontificial mbante një shirit prej kadifeje, i cili lartësonte figurën e tij të rëndësishme e plot madhështi. Ishte një burr i ri por me flokë të zbardhur. Sytë i kish plot zjarr, hundën si zhgabë, gojën si të një statuje të vizatuar mirë e që shprehte vendosmëri. Princesha ma paraqiti me një gjest plot plogështi sentimentale:
-Imzot Antoneli, dijetar e shenjtor.
Unë u përkula.
-E di, Princeshë, se Kardinalët e Romës këshillohen me ‘të për çështje teologjike nga më të ndërlikuarat dhe fama e virtyteve të tij mbërrin në të gjitha anët...
Bursisti ndërhyri me zërin e tij solemn, të qetë e të dashur:
-Nuk jam më shumë se një filozof që filozofinë e kupton siç e kuptonin të lashtët: Dashuri për Diturinë.
Dhe, si u ul përsëri, vazhdoi:
-A e keni parë Imzot Gaetanin? Ç’fatkeqësi! Sa e madhe aq dhe e pa pritur!
Të gjithë mbajtëm një heshtje të trishtuar. Dy zonja plaka, të dyja të veshura sipas rregullave të fisnikerisë me copa mendafshi, pyetën në të njëjtën kohë dhe me një zë:
 -Nuk ka shpresa?
Princesa psheretiu:
-Nuk ka...Vetëm ndonjë mrekulli.
Përsëri ra heshtje. Në anën tjetër të sallonit të bijat e Princeshës qëndisnin një copë mëndafshi me fije ari, të pesta të ulura në forëm rrethi. Flisnin më zë të ulët njëra me tjetrën dhe buzeqeshnin duke përkulur kokat: Vetëm Marie Rozario qëndronte e heshtur dhe qëndiste ngadalë sikur të ishte duke ëndërruar. Filli i artë dridhej midis gjilpërave dhe nën gjishtrinjtë e të pesë zonjusheve lindnin trëndafilat dhe shpatoret e luleve qiellore që mbushin rrobat e shënjta. Në mes të asaj qetësie, pa pritur, kumbuan tri goditje me çokun e portës. Princesha u zbeh në mënyrë të tmerrshme. Të tjerët s’bënë gjë tjetër veç se shikonin njëri tjetrin. Bursisti u ngrit në këmbë:
-Më lejoni të largohem. Nuk besoja të ishte kaq vonë...Përse kanë mbyllur dyert?
Princesha ju përgjegj duke u dridhur:
- Nuk i kanë mbyllur.
 Dhe të dy plakat e veshura me copa mendafshi të zi pëshpëritën:
- Ndonjë arrogant!
 Ato shkëmbyen midis tyre një vështrim të druajtur sikur t’i jepnin zemër njëra-tjetrës dhe mbetën në përgjim duke u dridhur lehtas. Goditjet me çokun e portës kumbuan përsëri por kësaj here brënda Pallatit Gaetani. Një erë e fortë kaloi nëpër sallon duke shuajtur disa nga dritat. Princesha lëshoi një klithmë. Të gjithë e rrethuam.Ajo na shikonte me sytë të tmerruar ndërsa i dridheshin buzet. Me një zë që mezi dëgjohej tha:
-Kur vdiq Princ Filipi ndodhi e njëjta gjë ...Dhe ai tregonte të njëjtën gjë për të jatin...
Në at çast Zoti Polonio u shfaq te dera e sallonit, ku u ndal. Princesha drejtoi trupin ne divan dhe fshiu sytë. Pastaj, me një vullnet fisnik, e pyeti:
- Vdiq?
Maxhordomi uli kokën.
- Na la lamtumirën!
Një valë rënkimesh u ngrit nga podi. Zonjat u mblodhën për rreth Princeshës të cilës po i binte të fikët me sytë të mbuluar me shami, ndërsa Bursisti bënte kryqin.
(vijon)