1
Kishte tri ditë që ishin vendosur në shtëpinë e gurtë e të ftohtë me pamjen e një kulle të qëmotshme, pothuaj të vetmen mbetur pa u shkatrruar. Vetë koloneli i kishte vënë syrin me qëllim që ushtarët e lodhur të pushonin në të një kohë të pacaktuar. Ashtu si kishin vajtur gjërat me të vërtetë u duhej. Madje ai vetë kishte nevojë më shumë nga të gjithë.
Pozita e saj në periferi të qytetit të Skenderajt, në një bregore që e bënte të dukej më lart nga të tjerat e prej ku mund të vështroje tërë hapësirën përreth, sidomos tani kur nuk mund ta pengonin shtëpitë pranë të djegura e rrafshuara përtokë, me lumin Klina që rridhte qetë poshtë saj, në fillim i tërhoqi vërtet ushtarët. Por, tani që po mbushej edhe dita e tretë kishin filluar të shqetësoheshin. Jo që nuk i donin ahengjet e shfrenuara të cilave u jipeshin çdo natë. Apo edhe nuk kishin çfarë të hanin e të pinin!? Gjithë ata desh, qingja, lopë të mbetura pa zgjedhë nëpër rrugë, shitore e depo ushqimesh të grabitura para djegies, do t’ju mjaftonin për muaj të tërë. Edhe qyfyre e storje që do të trishtonin çdokend tjetër veç tyre, nuk kishin të sosur. Ajo që vërtetë i shqetësonte ushtarët ishte koloneli i tyre.