(Orvatje për një sprovë)
Në esenë e tij të njohur "Tradita dhe talenti individual", Th. Eliot theksonte: "Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij, është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur." 1).Është e nevojshme dhe e domosdoshme për shkencën letrare të inkuadrojë në gjirin e letërsisë kombëtare shkrimtarët e talentuar, që t'i kuptojë më mirë ata, të përcaktojë në njëfarë mënyre rrënjët e artit të tyre dhe, sidomos, të nxjerrë në pah risitë me të cilat ata e begatojnë më tej sofrën e letërsisë kombëtare. Në këtë këndvështrim, ky shkrim synon të analizojë poezinë erotike të poeteshës së talentuar Iliriana Sulkuqi.
Kritikja e njohur lerare, Klara Kodra ka shkruar: "një damar floriri ekziston në poezinë e Ilirianës" 2). Mendoj se ky damar, më së tepërmi, shkëlqen në motivet erotike, kryesisht në përcaktimin e objektit krijues dhe në trajtimin e tij artistik shikuar nga një vizion femëror, çka është jashtëzakonisht e rëndësishme për letërsinë tonë, sepse një vizion i tillë, për kushtet sociale dhe shkallën e emancipimit shoqëror e shpirtëror të popullit tonë, në përgjithësi, dhe, në veçanti, të femrës, ka ardhur i vonë, disi rryeshëm dhe i tërhequr. Më tepër se kudo, në këtë vizion femëror shquajnë origjinaliteti motivor dhe risitë stilistike të kësaj poeteshe.