Showing posts with label Isuf Luzaj. Show all posts
Showing posts with label Isuf Luzaj. Show all posts

Mimoza Hysa: Ditari si modeli për ndërtimin e figurës së vetvetes në krijimtarinë e Isuf Luzajt

Abstrakt:

 

Trajtesa sjell në vëmendje ditarin si gjininë më të lëvruar në krijimtarinë e pasur të shkrimtarit, eseistit, poetit dhe filozofit Isuf Luzaj. Përmes kësaj gjinie autori ka synuar ndërtimin e modelit të figurës së vetvetes përmes përqasjes me figurën e profetit. Trajtesa ndjek rrugën e ndërtimit të këtij modeli profetik si përmes mënyrës së përzgjedhjes së fakteve jetike ashtu edhe mënyrës së përdorimit të stilistikës së qëlluar. Po përtej ndërtimit të qëllimshëm të modelit të vetvetes, ditaret e Isuf Luzajt janë dëshmi letrare eseistike të një personazhi historik aktiv, të një njeriu erudit, të një mësonjësi ngulmues dhe një kritiku të paepur ndaj shoqërisë.

 

Fjalë kyçe: Isuf Luzaj, ditare, letërsia shqipe, kritika

 

Përpjekja e kahershme e Isuf Luzajt për t’u paraqitur e përballur me lexuesin e tij në gjuhën shqipe dokumentohet jo vetëm nëpërmjet veprave të botuara dhe të njohura tashmë si: Rrëfimet, (poezi,1937), Gloria e çmendjes, (poemë, 1995), Ekzistenca dhe boshësia, (ese filozofike, 1996), Sëmundjet e shekullit tonë, (ese filozofike, 1999), Lamtumira e yjeve, (poemë, 2001), Topografi labçe, (poemë, 2001), Përtej së mirës dhe së ligës,(ese filozofike, poezi, 2003), Rindërtimi i fuqive shpirtërore, (ese filozofike, 2005, Filozofia e bukurisë, (ditare, rrëfime për veten, 2009), por edhe nga një korpus i gjërë dorëshkrimesh[1], të cilat presin dritën e botimit.

E gjithë krijimtaria e Luzajt mund të quhet një rrëfim i pandalshëm e i sinqertë për vetveten, ngulitur në kryeqendër, e për botën përqark të përcaktuar e të paraqitur po sipas vetes, tipar ky dallues për një shkrimtar modern. Mëvetësia dhe subjektivizmi në trajtesat eseistike, vetëdija letrare në ndërtimin e strukturave të hapura në prozë ku ndërthuret dokumentarizmi autobiografik me trillimin, si dhe fryma kritike përballë himnizmit romantik, përbëjnë edhe thelbin e modernitetit të veprës së Luzajt. Projektimi i modelit të vetvetes fillon tërthorazi që në poezitë lirike e romanin autobiografik “Lumejtë rrjedhin të kuq”, për t’u shfaqur qartazi në ditaret e shumta në dorëshkrim, si: Përpjekja e viganëvet (Lufta e Vlorës), Ditari politik, Kujtime pleqërie, Ditari i përpjekjes, Ditari i një zonje shqipëtare, Kujtime të një ditari të humbur, Ditari, Autobiografi, Ditari i mësonjësit, etj. Autori dëshmon se gjatë gjithë jetës së tij ka mbajtur pranë “një fletore dhe një laps për të regjistruar përshtypjet”[2], kujtimet, mendimet duke formuar kësisoj një lëndë “aq heterogjene sa është natyra e vetë jetës; aq homogjene sa mund të jetë mendimi i një mërgimtari në shërbim të të huajve që provojnë punën e tij”[3].

Por e gjithë kjo lëndë nuk është ende në duart e lexuesit dhe kritikës, gjë që përbën edhe një kufizim për të formuluar një mendim të përmbyllur e shterues mbi figurën e vetevetes të paraqitur nga autori. Kjo trajtesë do të përqëndrohet në dy ditaret e botuara në mënyrë fragmnentare në librin e fundit “Filozofia e bukurisë”[4]: “Ditari i përpjekjes” dhe “Ditari i mësonjësit”.