Motto: Unë mendoj se familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë, më ekzotiku në botë, dhe më interesanti në botë.
Amos Oz
Personat:
ADAMI, në moshë relativisht të re
EVA, në të njëjtën moshë me Adamin,
VITA (gruaja, 35 vjeçare)
MORTI (i shoqi, 40 vjeç)
KLARA (gruaja tjetër e Mortit, 40 vjeçare)
DRENI (i vëlla i Vitës, 30 vjeçar)
VAJZA (e bija e Vitës dhe e Mortit, 15 vjeçare)
RRËFIMTARI
Ngjarja e pjesës së parë ndodh në një vend imagjinar të botës – në Lindje, ndërsa ajo e pjesës së dytë ndodh në një vend të mërgatës shqiptare - në Perëndim. Aktori që interpreton rolin e Adamit mund ta interpretojë edhe rolin e Mortit si edhe aktorja që luan rolin e Evës mund ta luajë edhe atë të Vitës.
Veshja e personazheve: Veshja e Adamit dhe e Evës mund të jenë të llojit siç përshkruhet në bibël, duke mbuluar vetëm pjesët intime me gjethe fiku. Por, është e mundur që ato të përshtaten në raport me specifikat kombëtare të aktorëve që interpretojnë. Ndërkaq, veshjet e personazheve të tjera mund të jenë veshje të kohës së ngjarjeve, që përkojnë me bashkëkohësinë.
Çdo ngjashmëri me personat e kësaj drame është e rastësishme.
NË VEND TË PROLOGUT: MEMENTO
Ti nuk e ke kryer asnjë shkollë të pikëllimit
Ke banuar vetëm në çerdhe të vuajtjes
Andaj nuk ia di kuptimin gëzimit
As kuptimin e të jetuarit
Ti nuk e ke mësuar gjuhën e bishave
Andaj kërkon ndërmjetësues për shkëmbimin e dhembjeve
Por ndërmjet mishit e thoit nuk hyhet
Hyhet vetëm kur s’hyhet
A thua nga unë kërkon syza për të verbër
Apo nuk e gjen derën që e ka çdo shtëpi
Dielli nuk është i verbër pse ne s’kemi sy
As pse verbohemi ne dielli s’është i zi
Edhe po të biesh në shtrat me djallin
Mos ia mëso vetes gjuhën e urrejtjes
Edhe pse t’është djegur shtëpia e dashurisë
Por dije mbretëria e qiellit është brenda nesh
Andaj thuaj vetëm memento memento memento
Për djallin e dashurisë sate të engjëlltë
Dhe për gjuhën e pamësuar të jetës
Jeta është shkollë e rëndë për të cilën nuk jepen diploma
Të gjithë e shqiptojmë gabimisht këtë gjuhë të huaj
Nëse m’akuzon s’e s’bëra asgjë
Fajtor edhe ashtu ndihem për Ty
Dije se ajo që zihet n’kozmos (s’)varet prej meje
Unë mund të lutem për ty dhe t’i mëshiroj
Hajnat e lumturisë
Sepse butësia është më e fortë se fortësia
Uji është më i fortë se shkëmbi
Dashuria – më e fortë se dhuna*
*Tre rreshtat e fundit janë mendime të shkrimtarit gjerman Hermann Hesse
Pjesa e parë (në fillim të fillimit): Kopshti i Edenit
(Katër pamje surrealiste)
I. (PRANVERA E DASHURISË)
ADAMI, EVA
Pamje kopshti në mëngjes, ashtu siç ekziston në përfytyrimin biblik për Kopshtin e Edenit. Vërehet një harlisje pranverore. Për të mos e ngarkuar skenën apo për lehtësi praktike një pamje e tillë mund të jepet në sfond nëpërmjet kinoprojektorit (videobimit).
EVA
Çka po sillesh si pordha në tirqi?
ADAMI
Pse, çka po ta zë rrugën ty nëse sillem ashtu?
EVA
Bëj diçka përderisa nuk bën asgjë!
ADAMI
Pse, asgjë të duket ekzistenca ime, asgjë të duket puna ime e përditshme?
EVA
Shih mendo diçka edhe për mua derisa lodhesh e humb kohë për të tjerat.
ADAMI
Ku ka femra të tjera në Eden, oj e marrë?
EVA
Atëherë eja e t’i numëroj brinjët se ty nuk të zihet besë!
ADAMI
Kujt nuk i zihet besë? Ti që e shtie djallin në shishe më thua se nuk më zihet besë?
EVA
Pse ti mendon se je një engjëll, oj krijesë balte?
ADAMI
Jo vetëm nga balta, por edhe nga fryma, oj mosmirënjohëse.
EVA
E di, e di çfarë malli je, prandaj nuk ke arsye të krekosesh.
ADAMI
Fundja i njëjti mall jemi nëse të kujtohet. Mbase më keqkuptove kur të quajta mish i mishit tim dhe asht i eshtrave të mi.
EVA
U mësova tashmë me këtë demagogji tënden, me këtë shovinizëm mashkullor.
ADAMI
(I afrohet t’ia marrë belin, t’ia marrë gjinjtë në duar)
Eja oj bukuri e bukurive, oj dashuri e dashurive! Eja se m’u bë zemra prush, se u dogja i tëri!
EVA
Mos ke pirë viagër rastësisht, o horr i horrave? Ti deri tash ishe krejt indiferent ndaj meje. Nuk doje të dije për bukurinë e as për dashurinë time. Çka u bë tash? Çka të gjeti?
ADAMI
Ah, moj e pacipë, ti sikur nuk e di që viagra do të zbulohet tepër vonë nga Ferid Murati, kur të zërë e të plaket njerëzimi.
EVA
Atëherë pse je i shqetësuar, çka po i çon duart aty ku s’duhet?
ADAMI
Prej se e kafshova frytin e asaj peme që ma dhe, nuk po më zihet vendi vend.
EVA
Po mendon prej se i shijove cicat e mia?...
ADAMI
Njëjtë: molla ato, molla ato... Kryesorja më yshte në mëkat.
EVA
Vetë u joshe, o idiot! Vetëm sa nuk qave pas krejt atyre përgjërimeve.
ADAMI
Kryesorja e hëngra...
EVA
Jo, për ta ngrënë, e hëngra unë...
ADAMI
Kot kërkon të shfajësohesh. Hyji, në ndërhyrjen e tij, urdhëroi që të mbetesh nën këmbët e mia, e ti gjithmonë më rri mbi krye.
EVA
Po, por po të mos jem unë, ty nuk do të hanin as qentë, o i marrë; po të mos jem unë, ti do të vdisje në gjumë, dhe po të mos jem unë pastaj do të droja se nuk do të isha as unë.
ADAMI
Pse, ti a je për mua a për vetveten?
EVA
Si mendon, ti?
ADAMI
Paj, ti që çove krye ndaj Hyjit nuk është çudi që as mua të mos ma marrësh në dorë.
EVA
Ti ose shtiresh a bëhesh me qëllim i marrë, ndonëse shumë mirë e di se si në këtë punë na e drodhi djalli.
ADAMI
Prandaj do të vijë koha të kryqëzohet Jezui, prandaj njerëzit nuk do të gjejnë paqe, prandaj një ditë do t’ua mësyjnë faltoreve: kishave, sinagogave, xhamive...
EVA
Ah kur profetizon edhe një budalla se ti, merre me mend çdo të trashëgojë njerëzimi i gjorë.
ADAMI
(Me ironi)
Ti si quhesh me shëndet? Po shëndetësinë mentale a e ke marrë me vete, a e ke mirë?
EVA
Po ma çon mallin e atyre poetëve të së ardhmes që iu ka ikur truri.
ADAMI
Kur edhe gruaja flet për trutë, merre me mend ç’mrekulli pritet t’i ndodhin kësaj bote!
EVA
Po, a më thoshe vetë, o filozofi im injorant se, ne jemi dy gjysmat e një tërësie?
ADAMI
Po, por varet se a je pjesa e ndritshme apo e errët e imja.
EVA
Mbase ai që na krijoi, nuk na krijoi që të jemi a që të bëhemi armiq të njëri-tjetrit.
ADAMI
Por, dyshoj se na krijoi që të jemi edhe miq ndërmjet veti.
EVA
Ti gjithmonë ke qenë pesimist. Prandaj, unë po vuajë shkaku yt, shkaku i ngathtësisë sate. Shkaku yt, kam shumë droje se, do të vuajnë edhe fëmijët tanë.
ADAMI
Nuk ke arsye të flasësh ashtu. Nëse thua a mendon me tru, para se të flasësh duhet të mendosh pak më tepër. Fundja, Zoti a nuk na krijoi në trajtën e vet?
EVA
Ti gjithmonë ke qenë mjeshtër për kopalla... Por, më mirë është të nisesh nga gjendja jote faktike. Shihe si je katandisur!
ADAMI
E di, e di se ku e ke hallin. Femra është e pangopshme në urinë dhe etjen e vet.
EVA
Për jetë...
ADAMI
Që kur lindim, jetën dhe vdekjen i kemi secili brenda vetes. Urrejtja e dashuria si dy luaj grinden pandërprerë brenda nesh. Dhe, luftën e fiton ai, të cilin e ushqejmë më tepër.
EVA
Të thashë de, se nëse jam e pangopshme, e pangopshme jam për jetë.
ADAMI
(Me ironi)
Jo, po për Hyjin.
EVA
Jeta është Hyji dhe Hyji është vetë jeta, drita dhe e vërteta.
ADAMI
E di unë diplomacinë tënde. E di unë Hyjin tënd, ti që u joshe aq lehtë nga djalli.
EVA
Mos i shumëzo pa nevojë mëkatet tua, Adam!
ADAMI
Ah e dashur, ti shumë mirë e di se si i zvogëloj mëkatet e mia, madje edhe tuat: duke e futur djallin në ferr.
EVA
Thuaj çka të duash, por vërtet ferr e bëre jetën time.
ADAMI
E vërtetë, e dashur. Kot të krijoi Ai mes luleve. Kot deshi të të bëj kryelule, por ti duke dashur diçka më tepër, e humbe edhe atë që e pate.
EVA
Askush nuk të amniston nga faji yt, o kodosh! A e di sa premtimet m’i bëje para se të bëheshim burrë e grua? Dhe, mua të gjorës m’i piu sorra mendtë e të besova.
ADAMI
Ti, mendon se është lehtë të jesh qeliza e shoqërisë.
EVA
E si mendon se do ta popullosh këtë tokë të shkretë? Kam droje se edhe ata që vijnë pas nesh do të jenë të ankthshëm si ti, frikacakë e egoistë – njësoj si ti.
ADAMI
Lakmitarë, nepsqarë e të pangopshëm njësoj si ti.
EVA
E kam nga brenga se assesi nuk kanë si të bëhen më të mirë se ti.
ADAMI
Ti nuk i beson Hyjit, andaj brengosesh kaq shumë.
EVA
Duke e parë çfarë malli je ti, po e marr me mend se edhe njerëzimi nuk do të jetë aspak më i mirë.
ADAMI
Ah moj hidër uji, e di se ç’mendon ti.
EVA
Po, por dije se nuk qitet laknor me pordhë.
ADAMI
Ti sikur nuk e di si në fillim të fillimit ishte Fjala... Ti sikur nuk e di apo me qëllim bëhesh budallaqe se, ne jemi krijim i imagjinatës.
EVA
Pse, ti budallai imi dashur po mendon se po luajmë teatër, po mendon se po luajmë komedi?!...