Showing posts with label "Dy fjalë për lirikën e Mitrush Kutelit". Show all posts
Showing posts with label "Dy fjalë për lirikën e Mitrush Kutelit". Show all posts

Dy fjalë për lirikën e Mitrush Kutelit

 Akad. Kopi Kyçyku


Në fillim të viteve 2000 përktheva në rumanisht tri nga prozat e njohura të Mitrush Kutelit (Lumi i madh, Xha Brahua i Shkumbanores dhe Pranverë në Transilvani, që u përfshinë në antologjinë „Bukuria që vret” (Librarium Haemus, Bukuresht, 2006) bashkë me proza të zgjedhura nga shtatë klasikë të tjerë të letrave shqipe. Nga të dhënat e shtypit kulturor rumun të asaj kohe, del se Kuteli, - që pat jetuar vite me radhë në Rumani, - ishte një zbulim dhe një vegim për lexuesin e zgjedhur dhe kritikën rumune. Një prozator që kujtonte tërthorazi prozën më të mirë të Ion Creangă-s (Amintiri din copilărie), por jo si ndikim. Ishte më fort aftësia dhe dhuntia e Kutelit për t’u ushqyer e rifreskuar mënyrat popullore të rrefimit ballkanik, por tashmë të vendosura mbi një kulturë moderne tejet të pasur dhe në një hap me kohën. Kritika nxori në pah thelbin poetik të shumicës së rrëfimeve kuteliane. Përmes Revistës Haemus, themeluar në vitin 1998, vijuam të bënim sadopak të njohur edhe lirikën e Kutelit. Nuk kam parasysh këtu lirikën e tipit nolian, me ritme marshesh e kushtrimesh dhe me tragjizëm gati shekspirian. Dua të them dy fjalë për lirikën shpirtërore, në mund ta quajmë kështu, e cila, gjatë kohës së diktaturës së proletariatit, qarkullonte nën dorë dhe gojarisht, ndër lexues që nuk ishin shformuar nga realizmi socialist i të lexuarit të letërsisë.