Para se të
nisim shtjellimin e temës sonë, është e domosdoshme të trajtojmë në vija të
përgjithshme mendimin shkencor të gjithëpranuar mbi dukurinë e moderninetit në
art e në letërsi. Vetëkuptohet që këto faqe s’janë tjetër veçse një përpjekje
për të sjellë thelbin e kësaj dukurie, zbuluar e përgjithësuar prej kaq e kaq
studiuesish të huaj.
Me qëllimin e
përvijimit të një ideje më konkrete se ç’nënkupton në vetvete modernizmi si koncept dhe çfarë përfaqëson
si lëvizje në mendësinë botërore, në kulturë, teknologji dhe në psikologjinë e
përgjithshme shoqërore, duhet të rikthehemi në kohë, për të këqyrur gjenezën
dhe faktorët përbërës nga të cilët u formua kjo lëvizje. Modernizmi lindi si
një term me anë të cilit fillimisht tregohej prodhimi arkitektonik. Më tej ky
term do të fitonte terren në shumë fusha të rëndësishme të veprimtarisë
njerëzore; me modernizëm do të
cilësohej edhe arti i ri figurativ që u zhvillua në Spanjë, veçanërisht në
Katalonjë me përfaqësuesit e tij Gaudi, Puig Cadafalch. “Gjatë njëqind e pesëdhjetë vjetëve të
fundit, terma të tillë si “ modern”, “modernitet” dhe së fundit “modernizëm”,
si dhe një numër nocionesh që lidhen me to, janë përdorur në kontekste
artistike apo letrare për të përcjellë kuptimin gjithnjë e më të mprehtë të
relativizmit historik, i cili në vetvete është një formë e kritikës së traditës
”[1].