Gjuhë të lashta – letërsi të reja
Letërsia shqipe hyn në një grup të vogël e të
zgjedhur, me letërsi të reja që vijnë nga
gjuhë të lashta dhe që bartin në themele një thesar epiko-lirik të
pazakontë, shprehur e përkryer gojarisht, - falë përmasës ritualistike të
Kujtesës, - nga disa brezni. Shkrimtarët shqiptarë të viteve '20-'30, veçmas
Kuteli, Poradeci, Koliqi, Fishta, Noli dhe
Migjeni morën tema
dhe struktura metaforike nga ai thesar dhe u përpoqën t’i vendosnin si gurë
themeli në letërsinë e shkruar, e cila s’mund të përfshihej në korin e
letërsive perëndimore pa shlyer ‚haraçin‘ e rimarrjeve apo të kopjimeve të
stërholluara. Për fat të mirë, veçanësia e gjuhës shqipe, si edhe sot, u mësoi
se lashtësia e një gjuhe nuk pranon gjithçka, pavarësisht nga vlera e diçkaje
në një gjuhë apo letërsi të madhe. Çdo gjuhe i takon një truall (realitet), të
cilin s’mund ta njohë, ta punojë e ta mbrojë me mjete të huaja. Për këtë arsye,
edhe përkthimet e perlave të shqipes në gjuhë të tjera kërkojnë dhunti gati të
së njëjtës përmasë. Kur shkrova se ‚shqipja
ua pakëson mundësitë e përkthimit në gjuhë të tjera pikërisht autorëve që e
shkruajnë më mirë‘, pati zëra që e përqeshën, apo e keqkuptuan këtë bindje.
Në fakt, shqipja është një gjuhë që, përmes pasurisë dhe së papërsëritshmes,
mban ‚peng’ bijtë që e shkruajnë më mirë. Sa më mirë ta shkruash, aq më peng
mbetesh në kohë e hapësirë, gjer edhe vetëm nga paaftësia e bashkëfolëseve për
të të lexuar, si dhe e përkthyesve për ta njohur me themel shpirtin e gjuhës
sate[1].