Showing posts with label Mjeshtëria e të menduarit (Meseria de a gandi). Show all posts
Showing posts with label Mjeshtëria e të menduarit (Meseria de a gandi). Show all posts

Vasile Andru: Mjeshtëria e të menduarit (Meseria de a gandi)

Vasile Andru (lexohet: Vasíle Ándru, pseudonimi letrar i Vasil Andrukoviçit; n. 22 mai 1942, Bahrinești, Rădăuți, sot Ukrainë, 22 maj 1942 - Bukuresht, 21 tetor 2016), prozator, dijetar, eseist dhe isihast* rumun, autor, mes të tjerash, i Nusja vjen me mbrëmjen, Arkeologjia e dëshirave, Nata e perandorit, Kulla, Mali i kalvarit, Një gjithësi me një dalje të vetme, Zogjtë e qiellit, Parajsa më e largët, Jetë dhe shenjë, Terapia e fatit, Mistikë nga Karpatet, Histori dhe fshehtësi në Malin Atos, Takime me mjeshtra e vizionarë, Isihazmi, ose mjeshtëria e qetësimit. Ka qenë anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, i European Academy of Performing Arts dhe i disa institucioneve të tjera të rëndësishme.

Në fillim një anekdotë. Një mësues thyen një degë shelgu para nxënësit. Pastaj i kërkon: ”Më përshkruaj çfarë bëra në këtë çast. Çfarë bëra?” Nxënësi përgjigjet: „Thyet, me veprime të shpejta, një degë të gjelbër”. Mësuesi e quan dembel në të menduar, të joshur nga përshkrimet dhe të paracaktuar që të huajsohet. Nxënësi kërkon një mënyrë tjetër për të ‚përshkruar’ gjestin e mësuesit. Ai jep shumë përgjigje shpjeguese, por mësuesi mbetet gjithmonë i pakënaqur; më një fund, nxënësi kupton se përgjigja e saktë do të kish qenë: të marrë (nxënësi) një degë shelngu dhe ta thyejë.
Me një fjalë: mund të shmanget e folura, e cila krijon realitete të dorës së dytë dhe na largon nga thelbi. Filozofia praktike ka parapëlqyer ta kuptojë veprimin përmes veprimit, dhe objektin përmes identifikimit me objektin, jo përmes koncepteve. Jo me shpjegim, por me njësim. Jo me përshkrim, por me rijetim. Përtej koncepteve. (Nuk di nëse  Wittgenstein-i ka ditur diçka për Hui Nang-un kur ky ka shkruar: „Ajo që mund të tregohet, s’mund të thuhet”). I mençuri ka synuar gjithmonë ta verë në jetë mençurinë, jo të filozofojë rreth saj.

Për një kohë, filozofia praktike shihej si tipar i Lindjes. Por ajo është veçanësi, siç shohim, e një niveli të mendimit, që arrihet përmes një disipline të qetësisë, pavarësisht nga hapësira gjeografike. Ajo është më fort një veçanësi e njeriut jokohor, të njësuar, e njeriut të shpirtëzuar në nivele të larta. Vërtet Lindja e ka çmuar më shumë këtë lloj njeriu dhe e ka kthyer në një ideal të kërkimeve... Por, mes kësaj, nuk e ka përvetësuar plotësisht dhe përjashtueshëm. Vjen vërejtja: Por janë, megjithatë, disa dallime mes Lindjes dhe Perëndimit! Për shembull, në marrëdhënien subjekt-objekt është vënë re se Lindja shtyn drejt njohjes përmes njësimit, shkrirjes, ndërsa Perëndimi mjaftohet me dallimin.