Showing posts with label Frederik Rreshpja. Show all posts
Showing posts with label Frederik Rreshpja. Show all posts

Frederik Rreshpja: Copilărie (Fëmijëri)

Răsări trandafirul roșu la poartă dimineața
Ca un fulger.
Veni cândva o fată cu șal roși și bătu la poartă.

Acum nu mai sunt tânăr și culorile confund
Poate-i un trandafir alb
Poate-i un trandafir albastru.

Dar știu: veni cândva un trandafir cu șal
Și o fată răsări frunze la poartă.


“Iso” e Rreshpes - një model i rangut më të lartë të stilizimit të një poezie popullore dhe disa konsiderata për poezinë e tij.

Anton ÇEFA


Poezia e kultivuar është ushqyer gjithnjë prej këngës popullore. Poetët tanë më të mëdhenj, De Rada, Fishta, Poradeci, janë frymëzuar prej saj, janë shquar për stilizimet që i kanë bërë poezisë orale, kanë huazuar prej saj tema, subjekte, përbërës të tjerë të teknikës poetike folklorike, dhe kanë krijuar kështu xhevahire artistike me kënaqësi estetike të rralla.
Në këtë hulli, nga breznia e poetëve të sotëm, si një nga më më të talentuarit, po veçoj Frederik Rreshpen. Në vëllimin poetik “Vetmi”, botuar në vitin 2004, në Tiranë, në shtëpinë botuese “Medaur”, gjejmë pesë stilizime: “Ajkuna pas betejës”, “Mane”, “Iso”,“Rozafa e flijuar”, “Bjeshkët e Namuna”; tri të parat nga këngë popullore, dy të fundit nga legjenda.
Ja stilizimi i Rreshpes për këngën elegjiake “Mbeçë, more shokë, mbeçë”:

            ISO

Endrra e kaut të zi vërtitej mbi duna
Nën qiellin e Ixhasit të trishtuar.
Koka e trimit në dhëmbët e erës,
Shpata në duart e shiut.

Dunat e erës, tutje Urës së Qabesë,
Hëngrën sytë e nizamit të ri
Dhe E Bukura në Ballkanin me borë
Ndjeu në buzë puthjen e shkretëtirës.

Një natë të fjetur, një puthje në sy . . .
Iso për kontinentet: oi; oi !

Çdo lexuesi që njeh sadopak folklorin tonë kjo poezi i kujton elegjinë aq të njohur popullore “Mbeçë, more shokë, mbeçë”.
      
MBEÇË, MORE SHOKË, MBEÇË

Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë.

Falëm me shëndet nënesë,
Kaun e zi le ta shesë.

Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.

Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori.

Në pyestë se ç’ kalë hypi
Atje tek hypën meiti.

Në pyestë se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat e hanë.

Kadare, që e ka komentuar këtë elegji aq bukur në veprën e tij “Autobiografi e popullit në vargje”, e ka cilësuar “pa dyshim më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë botërore në përgjithësi.”
Duke stilizuar pikërisht këtë këngë, poeti i talentuar Frederik Rreshpja na ka dhënë një tjetër margaritar të çmuar poetik, që qëndron me dinjitet në rrafshe të epërme të poezisë europiane e botërore. Stilizim është një fjalë e varfër për të paraqitur mënyrën se si është mbështetur poeti tek gurra popullore, si e ka konceptuar ai veprën e poetit anonim, shndërrimet që ka bërë në tekstin e elegjisë orale, risitë me të cilat e ka pasuruar subjektin dhe sidomos kontekstin me të cilin e ka veshur. “Iso-ja” e Rreshpes është një model i rangut më të lartë të rikrijimit të një poezie popullore.
Frederiku i ka qëndruar dhe nuk i ka qëndruar besnik subjektit dhe mesazhit artistik të kësaj elegjie madhore. Ai i ka pasuruar e përsosur ato sipas kodit të tij të veçantë poetik, që është një kod krejt i veçantë në gjithë poetikën shqiptare, një kod kristalin në formë dhe ekzistencial në mesazhin filozofik.
Shndërrimet në teknikë lidhen me modernitetin poetik edhe në këtë fushë. Nëse tek “Ura e Qabesë” është ushtari, pra heroi që flet dhe na tregon gjëmën e tij, tek “Iso-ja” është vetë poeti që e merr fjalën. Poezia është zhvendosur në vetën e tretë, duke u pajisur me një ngjyrim të fortë poetik. Kjo për t’iu përshtatur shndërrimeve në subjekt, dhe, më së shumti, sepse natyra e figuracionit të poezisë së stilizuar është tepër moderne për ta vënë në gojë të muzës popullore: “Koka e trimit në dhëmbët e erës”. Kjo vetë e tretë këtu dhe, në vargun tjetër, “Shpata në duart e shiut”, përballë vargjeve “Mbeçë, more shokë, mbeçë / Përtej Urës së Qabesë”, nëpërmjet këtij stilizimi mjeshtëror, modern dhe të befasishëm, na njohin me fatin tragjik të ushtarit të mbetur në shkretëtirat arabe. Situata bëhet më e qartë dhe efekti artistik më i madh me vargjet pasuese: “Dunat e erës, tutje Urës së Qabesë / hëngrën sytë e nizamit të ri”.
Dëshira e fundit e nizamit në agoninë e pragvdekjes, e shpallur që në vargun e parë me një tonalitet alarmues: “Endrra e kaut të zi vërtitej mbi duna / nën qiellin e Ixhasit të trishtuar” është amaneti që kërkon të çohet në vend. Ç’ është kjo ëndërr për një ka të zi? Duke shmangur çdo hollësi sqaruese, lexuesit i është lënë detyra e interpretimit, hamendësimi për ëndrën që mund të ëndërrojë në momentet e fundit një fshatar i rekrutuar me dhunë që e di gjendjen e keqe ekonomike që ka lënë në familje. Një ëndërr permasash të tilla, aq sa të vërtitet në qiell mbi dunat.
E gjithë sa komentuam është pjesa e parë e poezisë. Pjesa e dytë e “Iso-s” është një fiksion krejt origjinal i poetit.
Duke bartur të njëjtin motiv, fatin tragjik të nizamëve shqiptarë të rekrutuar nga Perandoria Osmane, që luftojnë dhe mbeten në shkretëtirat arabe dhe pasojat ekonomike e shpirtërore që pësojnë familjet e tyre në atdhe, në këtë pjesë, poeti i jep hapësirë temës, tregohet i kursyer në kuadrin e tragjikës së ushtarit që ka dhënë poeti popullor në “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, dhe e zhvendos ato në tragjikën e nuses, që mbetet pa dashurinë, pa gëzuar jetën familjare dhe në mjerim ekonomik. E gjitha kjo e dhënë përmes dy vargjeve lapidare të ngarkuara me një kontekst tejet të pasur:

Dhe e Bukura në Ballkanin me borë
Ndjeu në buzë puthjen e shkretëtirës.

Në gjirin e një antiteze madhështore të natyrës , në malet me borë të Ballkanit, plot dritë e madhështi përballë shkretëtirave arabe të hirta e të zymta me rërë, na shfaqet E Bukura që e parandjen gjëmën, duke ndjerë në buzë puthjen e shkretëtirës. Ajo që ëndërronte kthimin e burrit, puthjet e tij mbas kaq kohe largimi, vijimin e idilit të dashurisë së posafilluar, atmosferën e ngrohtë të jetës familjare, ndjen puthjen e vdekjes që ia bie shkretëtira ku ka ndodhur gjëma.
Me dy vargjet e fundit, “Iso-ja” i jep mesazhin kontinenteve, jo vetëm Europës dhe Azisë, por gjithë botës, mesazhin e zezonës së tragjedisë së pushtimeve, mesazhin tragjik të shkatërrimit të familjeve, të dashurive të vrara:

Një natë të fjetur, një puthje në sy
Iso për kontinentet: oi; oi !

Për t’u vënë re këtu dallimi: puthjen e shkretëtirës e ndjen në buzë, është një ndijim sensual, epshor; ndërsa puthjen e ndjenjës e përjeton në sy, një ndijim sentimental, shpirtëror. Art i vërtetë që jep aq bukur dy rrafshet e dashurisë!

OAZI I PËRKTHYESIT / OAZA TRADUCĂTORULUI

Anar

Dashi i bardhë – dashi i zi
(Përralla utopike dhe antiutopike)

PËRRALLA E PARË

... Dhe atëhere u shfaqën deshinjtë e kapërthyer në luftë: njëri i bardhë, ndërsa tjetri i zi. Dashi i bardhë e detyroi t’ia mbathte me të katra dashin e zi. Ti hipja dashit të bardhë dhe në çastin që do të ndodhesh sipër tij, ke për t’ia behur në dritën e ditës. E, në ia hipsh dashit të zi, ke për të mbërritur në perandorinë e errësirës...

Përralla me Melik-Mamedin

Melik Mamedli u zgjua nën tingujt e himnit shtetëror, a, më saktë, nuk u zgjua mirëfilli, por vetëm i ndjeu tingujt në një gjendje gjysmëzgjimi. Sa herë që shkonte për të fjetur, e vintetreguesin e kohës të kompjuterit në orën e mëngjezit, kur transmetohej himni dhe çdo mëngjez ngrihej njëheresh me notat solemne, por sot, diçka e çuditshme, i ndodhur në gjendje gjysmëzgjimi, u përfshi nga një ndjenjë gëzimi të veçantë. Përse, vallë, tingujt e melodisë që dëgjonte përditë, po i sillnin tani një kënaqësi të jashtëzakonshme? Dhe, pa u shkëputur tërësisht nga gjendja e përgjumjes, e nuhati shkakun: vetëm sot është dita e kremtimit të Nevruzit, dhe ai duhej ta përjetonte këtë ditë, si gjithë vendi, me një ndjeshmëri të thellë, me haré, me besim krenar dhe me bekim. Dhe, gjith duke qënë ashtu, i pazgjuar përfundimisht, po mendonte: mos ji kaq mosmirënjohës, mos vallë ti, në këta vitet e fundit, ditë e natë, nuk ke pasur, si gjithë të tjerët, të njëjtën ndjesi euforie parajsore?...
Shkurt fjala, ishte koha të ngrihej dhe, me vrrull, kërceu nga shtrati. Dhe e dëgjoi himnin gjer në fund, duke ndenjur gatitu, siç e kishte bërë tanimë zakon.
Melik e dinte se në çaste të tilla, me të njëjtën ndjenjë atdhetare, ky himn, i transmetuar nga të dymbëdhjetë kanalet e radios e të televizionit, dëgjohet nga miliona njerëz, që nga Derbenti deri në Hamadan, nga Vazyhu deri në Kazvin.
Natyrisht që e kishte vënë marrësin e kompjuterit në valën e e kanalit televiziv “Çagdaş”[1], ku punonte prej mbi tridhjetë vitesh si komentator dhe regjisor-skenarist. Kanali në fjalë u jepte përparësi programeve kulturore. Kanale të tjerë, megjithë përpjekjet për universalizim, i mëshonin më fort një tematike të caktuar.
I vetmi kanal shtetëror, „+AZRT” bënte çmos të pasqyronte, sa më shumë që të ishte e mundur, jetën e republikës dhe ngjarjet ndërkombëtare. Gjithsesi, televizionet private, kishin orientime të mirëdallueshme, për rrjedhojë edhe publikun përkatës.
“Turan” jepte, në radhë të parë, emisione për botën turke, “Hazar” dhe “Apşeron” - për Bakunë dhe krahinat fqinje; „Araz” ia kushtonte emisionet kryesore Azerbaixhanit të Jugut; „Ulduz”, kanal i parapëlqyer nga të rinjtë, tërhiqte ndryshimin e nesërm të vendit përmes muzikës, programe sportive dhe show zbavitëse; „Hilal” rrokte eterin kryesisht me debate fetare kushtuar historisë së Islamit, shpjegimit të Shkrimit të Shenjtë të Kuranit, jetës së profetëve, imamëve dhe teologëve… Problemet e etnografisë, folklorit, trashëgimisë kulturore, zakoneve të hershme dhe traditave, përbënin shqetësimet e dorës së parë të „Nevruzit”; „Edinstvo” ishte i prirur drejt auditorit të jashtëm dhe pakicave kombëtare të republikës; „Savalan” „fliste” dhe transmetonte nga Tebrizi, „Kianaz” – nga Ghiangi…
Melik Mamedli, një gazetar dhe regjisor i televizionit, i njohur në mbarë vendin, kërkohej me ngulm nga të gjitha kanalet, por ai parapëlqeu „Çagdaş”-in. Joshja dhe familjarizimi i publikut me thesarin e kulturës kombëtare dhe botërore, me vlerat e letërsisë dhe të artit universal, u bënë kredoja e jetës së tij.
Sidoqë Meliku merrte shpesh ftesa nga partitë politike të vendit, nuk pranoi asnjërën syresh, me një fjalë nuk u fut në politikë. Ishte thellësisht i bindur se tashmë, njëherazi me realizimin e integritetit historik-territorial të Azerbaixhanit, me zgjidhjen thuajse të të gjitha problemeve sociale, ekonomike dhe ideologjike, marrja me politikë është, në një farë mënyre, një hobby i këndshëm, si puna e aerobikës, e mbledhjes së pullave të postës apo e fluturave.
Dhe vërtet, pas lojës së ndukjes së litarit nga të djathtët e nga të majtët, kur, përmes fronmëzimit të afarizmit dhe përçmimit burokratik ndaj vlerave kombëtare, mbisundoi elektorati i forcave “të djathta”, ndërsa më pas, në kohën e lulëzimit shkretues të korrupsionit, e pasurimit përrallor të disave dhe të varfërimit të të tjerëve, tonin e jepte propaganda “e majtë”, të gjitha këto probleme u lanë mënjanë njëherë e mirë dhe shumica e zgjedhësve dukej se po votonin për partitë e djathta ose për partitë e majta sipas një zakoni tradicional, sipas një inercie të simpative dhe preferencave, të trashëguar nga prindërit.
Në Milli Megilis ishin të përfaqësuara pesë parti: dy me orientim të djathtë, dy të majta dhe një e qëndrës. Partitë e djathta nxirrnin përpara kryesisht vlerat kombëtare, idetë e turqizmit, mbronin me përkushtim ekonominë e tregut; partitë e majta militonin për barazinë sociale, duke u mbështetur në radhë të parë te klasa puntore, ndërsa centristët, duke pranuar vlera të caktuara të të parëve dhe të të dytëve, mund të thuhet se zinin një pozicion pajtues. Tani në fuqi gjendej një qeveri e koalicionit e formuar nga centristë dhe të pavarur, pra deputetë paparti.
Por, a ia vlen, vallë, barra qiranë që, në këtë ditë feste, me diell bujar, të kujtojmë çështjet politike?
Meliku, në mënyrë autokritike, tundi kokën.
Ngjarjet politike nukj u hynin pothuajse aspak në qese qytetarëve të republikës lulëzuese, pas zbulimit të rezervave të reja në det të naftës e të gazeve natyrore, pas vënies në shfrytëzim të dy tubacioneve të naftës, përveç tubacionit Baku-Geihan, që sjellin dividende të qëndrueshme; të gjitha këto mundësuan shtimin e fitimit për çdo banor të popullsisë së lumtur, madje deri në një mijë “gjelbëroshë”[2]!