„- Janë të sakta këto që po mbështesin etërit? – tha teologu, duke iu drejtuar Plakut Teolipt. Se po më çoni nga paqartësia në paqartësi me këtë përcaktim krejt të ri të shpirtit të krishterë.
- Unë nuk jam i paqartë nga paqartësitë Tuaja, - u gjegj Plaku. Ngaqë s’keni mundur ta ndani Murgimin nga jeta në botë, tek dëgjoni një murg duke folur, do bini nga paqartësia në paqartësi. Vëlla Krisostomi (Gojarti) qëndron qartë në vijat e Murgimit. Ne, i dashur teolog, nuk habitemi kur nuk gjejmë mirëkuptim tek njerëzit e botës, qofshin ata edhe teologë. Dhe është e trishtme, sepse ata nuk lexojnë letërsinë tepër të pasur të murgjve, që të informohen.
Murgimi Lindor, të cilit Kisha i dha trajtë dhe mision, përbën një realitet të qartë, ‚një jetë të fshehur në Krishtin’ (Kolosenëve, 3, 3), një jetë besimi të përsosur, që kryhet në një lidhje të pandashme me Zotin dhe nuk pranon të ndjekë udhën e arsyeve njerëzore. Përcaktimi im nuk duhet t’ju shqetësojë. Murgimi ynë është shkëlqimi i shpirtërimit Ortodoks, është thelbi, qënia e tij, sepse themelohet në besim...