„- Janë të sakta këto që po mbështesin etërit? – tha teologu, duke iu drejtuar Plakut Teolipt. Se po më çoni nga paqartësia në paqartësi me këtë përcaktim krejt të ri të shpirtit të krishterë.
- Unë nuk jam i paqartë nga paqartësitë Tuaja, - u gjegj Plaku. Ngaqë s’keni mundur ta ndani Murgimin nga jeta në botë, tek dëgjoni një murg duke folur, do bini nga paqartësia në paqartësi. Vëlla Krisostomi (Gojarti) qëndron qartë në vijat e Murgimit. Ne, i dashur teolog, nuk habitemi kur nuk gjejmë mirëkuptim tek njerëzit e botës, qofshin ata edhe teologë. Dhe është e trishtme, sepse ata nuk lexojnë letërsinë tepër të pasur të murgjve, që të informohen.
Murgimi Lindor, të cilit Kisha i dha trajtë dhe mision, përbën një realitet të qartë, ‚një jetë të fshehur në Krishtin’ (Kolosenëve, 3, 3), një jetë besimi të përsosur, që kryhet në një lidhje të pandashme me Zotin dhe nuk pranon të ndjekë udhën e arsyeve njerëzore. Përcaktimi im nuk duhet t’ju shqetësojë. Murgimi ynë është shkëlqimi i shpirtërimit Ortodoks, është thelbi, qënia e tij, sepse themelohet në besim...
Besimi nuk nënkupton thjesht një pranim të ekzistencës së Zotit, - se ‚edhe djajtë pranojnë e dridhen’ (Jakovi, 2, 19) – por diçka që, gjatë një shqyrtimi, u shpëton kufijve të mendimit njerëzor. S’kam para sysh besimin dogmatik, por atë që kërkonin Apostujt: „Jepna besim” (Luka, 17, 5), nga i cili, po pati dikush qoftë edhe sa një ‚kokërr mustarde’, do të mundë të lëvizë malet. Nga ky kuptim, Besimi formon shenjën shquese të Krishterimit. Asnjë bëmë, asnjë virtyt nuk ka vlerë në Krishterim, nëse nuk është fryt i Besimit, nëse nuk rrjedh nga Besimi, nëse atë nuk E buron dhe E ndan vetë Zoti. Pa bekimin e perëndishëm, mundimet tona janë pa shkëlqim, janë të papërkryera, të varfëra, njerëzore: „Gjithë ç’nuk është nga besimi, është mëkat” (Romakëve, 14, 23). Krishti u afrohet njerëzve që besojnë tek Ai. Dhe bën mrekulli. Zbret në dëshirat e ligjshme njerëzore. Flet me njerëzit „ashtu siç flet dikush me mikun e vet” (Dalja, 33, 11). Besimi përfaqëson lidhjen mistike mes madhështisë së pafundme të perëndishme dhe qënies së kufizuar njerëzore. Besimi nënkupton afrimin e atij që beson tek Ai tek I Cili beson. Nënkupton lidhje të mirëfilltë, thithje të shpirtit nga ana e Zotit, në virtytin e punës së perëndishme.
Fjala e Zotit „Unë jam në Atin dhe Ati është në mua” (Joani, 10, 38) shpreh modelin e marrëdhënies mes Zotit dhe besimtarit në Krishtin. Kjo kuptohet edhe nga fjalia hyjnore „Qëndroni në Mua dhe Unë në ju” (Joani, 15, 4). Ja krejt e fshehta e besimit në Krishtin. Ja në krejt plotninë e vet karakteri i veguar i Krishterimit. Po pse nevojitet besimi? Është një e fshehtë! Por mbase nuk është e fshehtë. Zoti ynë është një Zot i dashurisë, është në qënien e Tij dashuri. Dhe dashuria është njësim. Kërkon, pra, lidhje, kërkon njësim. O, thellësi e pasurisë dhe mençurisë dhe njohjes së Zotit! Një oqean i pafundëm dashurie! Ai i përsëriti të gjitha në besimin tek Ai, që t’i bëjë të gjithë „bashkëpronarë të qënies së perëndishme” (II, Petri, 1, 4)...
Zoti do që njeriu të jetë tërësisht i Tij, t’I kushtohet në mënyrë absolute, sepse e do krijesën e Vet, e cila vetëm tek Ai mund ta gjejë plotësimin e të gjitha dëshirave të shenjta dhe ringjizjen e jetës së saj të përjetshme në dritë.
Ai ia kundërshton njeriut kthimin në drejtime të tjera, veç drejtimit të Tij. Këtë vullnet Zoti e zbuloi plotësisht në Dhjatën e Re. Ajo që thotë Apostull Pavli, ajo ‚në Krishtin’, ajo pjesëza ‚në’, plot fshehtësi dhe dashuri të përflakur, përmbledh në vete krejt Krishterimin e Apostullit të Shenjtë, krejt Krishterimin e besimtarëve. Kapitulli 11 i Letrës për Hebrenjtë është himni më i bukur kushtuar besimit. Kjo formon themelin e Krishterimit. Kërkesat e tij më të thella, sekretin e tij dhe fuqinë e tij të pamposhtshme. Besimi është pranvera e shpirtrave. Ai zhvendos nga kalimtaret tek të amëshuarat. Na bën në gjendje të ndjejmë se „nuk kemi këtu qytezë të qëndrueshme” (Hebrenjve, 13, 14). Pa besim, Krishterimi bie në mënyrë fatale në njëfarë sistemi filozofik. Para së gjithash, humb metafizikën, që përfaqëson natyrën e tij të perëndishme. Nëse pushojmë ‚së vështruari’ përmes besimit, ‚me pasqyrën e gjetjeve’ (I, Korintasve, 13, 12) nuk shquhemi me asgjë nga jobesimtarët e botës dhe e kemi humbur tashmë udhën e shpirtit tonë. Besimi është edhe qënia, edhe modeli i ne të krishterëve. Pa besim, s’jemi në gjendje t’I afrohemi Krishtit, s’mund të kuptojmë të vërtetat metafizike, thelbësore në botët jolëndore, as se cila është e fshehta e Planit të perëndishëm, as Krishtin, as veten tonë, vdekjen, jetën. Sepse, sipas përcaktimit të Apostullit të Kombeve, „besimi është dëshmia e gjërave të padukshme” (Hebrenjve, 11, 1).
Pa besim, nuk ndihemi të lirë, na merret fryma nga ndikimi i gjërave tokësore. Pa besim, jeta jonë shndërrohet në një tragjedi të padurueshme, sepse na thahet ndjeshmëria dhe na erret shpirti. Besimi jep jetë, flatra, e larton njeriun në shkallën e vet. Dhe një kusht themeltar i kësaj shkalle shpirtërore është harmonizimi i marrëdhënieve mes Zotit dhe njeriut, mes Krijuesit dhe krijesës, mes Krishtit dhe besimtarit. Besimi në Krisht është një fryt i Shpirtit të Shenjtë, që është gëzim, paqe, durim jetëgjatë, dashuri... (Galatenëve, 5,
22).
Këtë rrugë të besimit absolut ka ndjekur Murgimi ynë. Dhe duke pasur parasysh këtë natyrë, qënien dhe thellësinë e këtij besimi të përkryer dhe, nga ana tjetër, duke njohur sa e vështirë është ta përvetësojë dikush këtë gjendje mbidimensionale të besimit, nuk habitem aspak që nuk arrini të na kuptoni, pavarësisht atyre që tha vëlla Gojarti dhe unë, se Murgimi e gjen përligjjen absolute përmes Besimit dhe Dashurisë në Krishtin...”
* Cilësuar si personaliteti më prodhimtar i Athosit bashkëkohor, Uratë Teoklit Dionisiati u lind më 6 gusht 1916 në qytetin Navpaktos. Mbetur jetim nga i ati, u rrit prej së ëmës. Pas shkollës fillore në vendlindje, shkoi të kryente gjimnazin në Patra, qyteti i Shën Andreit. Pasi disa vizitash në Malin e Shenjtë dhe pasi kryen sherbimin e detyrueshëm ushtarak, në verën e vitit 1941 vendos të qëndrojë në Manastirin Dionisiu, ku bëhet nxënës i murgut Gavril Dionisiati (1886-1983). I quajtur „plaku i shekullit XX”, Uratë Gavrili ishte një figurë e pazakonshme: murg, drejtues i ndritshëm manastiri dhe ndërgjegjesh, patriot i flaktë, shkrimtar i frymëzuar. Qysh nga viti 1951, me bekimin e Mësuesit të tij, Teoklit Dionisiati nis të botojë artikuj të shkurtër me tema shpirtërore në revistat fetare të Greqisë. Në pak kohë, Dionisiati u bë autori i një vepre të rrallë si për nga cilësia, ashtu edhe për nga sasia. Një vend qëndror në veprën e Dionisiatit zenë disa monografi kushtuar etërve të shquar të Ortodoksisë (Shën Grigor Palama, Shën Nikodim Agioriti, Shën Maksim Dëshmuesi) dhe traditës shpirtërore e kulturore të Athosit. Mbrojtës i përkushtuar e i kthjellët i Ortodoksisë së mirëfilltë, Dionisiati ndikoi ndjeshëm në sqarimin e disa çështjeve thelbësore të besimit dhe në ringjalljen e filokalive të shekullit XX. Murgu Teoklit u zgjodh për katër herë me radhë (1974-1975; 1979-1980; 1984-1985; 1989-1990) „proto epistat”, ose kryetar i Epistasisë së Shenjtë, - me përfaqësues të 20 Manastireve të Athosit, - duke dhënë një ndihmesë madhore në riorganizimin e jetës shpirtërore në Malin e Shenjtë. Murgu Teoklit Dionisiati shkoi tek Zoti më 20 janar të vitit 2006 dhe u varros në Manastirin Dionisiu.
[Pjesë nga „Dialoguri la Athos”, Vol. I, Editura DEISIS,
Mănăstirea Sf. Ioan Botezătorul,
Alba Iulia, 1994]