Showing posts with label Mbijetimi i Kartagjenës. Show all posts
Showing posts with label Mbijetimi i Kartagjenës. Show all posts

Adonis: Mbijetimi i Kartagjenës

Në të dukshme, Luan Starova vëzhgon të padukshmen. Duke udhëtuar, ai i prek kufijtë e vendqëndrimit.
Guri, varri, vala, anija, pragu, libri: këto elemente të cilat e përbëjnë, bashkë me elemente të tjera, indin konkret të jetës sonë të përditshme, në poezinë e tij paraqiten si shenja hutimi, pasigurie, shtruarje pyetjesh. Del sheshit, kur lexohet thellë e thellë ky ind, se tek ai e gjejmë vetëm mungesën. Megjithatë, nga ai gufon drita që e nxit njeriun ta zhdukë distancën që e ndan nga gjithësia dhe të shkrihet në të.
Cila, prandaj, është më e vërtetë: e dukshmja apo e padukshmja?
Në përpjekjen ose orvatjen për t’i gjetur një përgjigje kësaj pyetjeje, mishërohet fryma tragjike e ekzistencës dhe e poezisë njëherësh.
E ekzistencës, ngase ajo shfaqet në esencën e saj, të brishtë dhe kalimtare. E poezisë, ngase fjala nuk mund ta përfshijë sendin dhe, aq sa ajo përparon në zbulimin, ec përpara edhe në një shtesë të fshehtësisë dhe të dykuptimësisë.
Kështu, prania na kthen gjithnjë në mungesë, dhe anasjelltas.
Dialektikë e pashmangshme: nga alkimia e të dukshmes distilohet eliksiri i të padukshmes. Duke e shijuar këtë eliksir, ne e shijojmë vetë tragjiken e pranisë sonë.