Përmes ironisë a mund të falësh dashuri? Ironia
është një fjalë që vjen nga greqishtja, nga eironeia,
fjalë që nënkupton shtirje ose tallje të fshehur, ku kuptimi i vërtetë është i
kundërti i asaj që kumtohet. Si e tillë, parë nga burimi, ironia rrallëherë lë
shtigje për të dashuruar. Por jo në rastin e Marin Soreskut. Në rastin e
poezive të tij, rregullat thyhen, ashtu siç edhe bota vjen “në një rrotullim
tjetër”, duke sjellë përmes ironisë gjithë dashurinë për veten dhe për botën.
“Ironia është një parim njohës që del përmes një
paradoksi, në parimin e përgjithshëm të metaforës”, shprehet studiuesi amerikan
V.K Vimsart[1]. Dhe paradoksi
vjen. Duke marrë në analizë katër poezi, “Shekpiri”, “Shah”, “Sëmundja” dhe “Ti
më njeh”, do të vërejmë se Soresku e ka rrëzuar edhe burimin e ironisë, duke
dhënë përmes kumteve ironike një dashuri, e cila rrëzon kontekstin e talljes.
Kjo edhe për faktin se ironia në rastin e Soreskut, duke kaluar përmes
vetironisë, shëron gjithë ndjesitë negative që bart ironia në aspektin
fillestar, dhe lë aty veçse dashuri.