Showing posts with label Scripta Manent. Show all posts
Showing posts with label Scripta Manent. Show all posts

Eleana Zhako: Në ishullin e zotit Shyti

Kur rashë ndesh për herë të parë me “Ndërhyrjet e zotit Shyti” (Dudaj, 2016) të Ardian Vehbiut, ndërsolla në mendje gjithë shqiptarët që kisha njohur me të njëjtin mbiemër. Madje jo vetëm shqiptarët, por edhe disa grekë me grepin -s në fund, Siutis. Gati vetvetiu, m’u përhi aktori Ilia Shyti. Nuk e di përse në imagjinatën time Ilia Shyti mbante gjithmonë një pardesy të gjatë gri në vjeshtë e një pallto të gjatë të zezë në dimër, me kravatën vishnje të errët, që s’e ndante asnjëherë. Ndoshta ngaqë kravata e asaj kohe ndryshonte nga kjo e sotmja, kishte më tepër identitet e sharm, pasi burrat e asaj kohe i kushtonin rëndësi të veçantë ceremonisë së nxjerrjes së saj nga dollapi ose sirtari, vendosjes së saj rreth qafës me sytë ngulimthi në pasqyrë dhe lidhjes së nyjës. Disi kështu e përfytyrova zotin Shyti të Vehbiut, veçse me flokë jo kaq të bardha, me fytyrë më të mprehtë, paksa melankolik dhe në moshë më të ndërmjetme. Pasi Vehbiu ngjan sikur enkas e ka vendosur personazhin e vet mes brezave, si një projekt intergenerational ose ndërbrezash. Z. Shyti ngjason me atë nyjën e kravatës më sipër, që lidh qafën me trupin, që mbush ullukun që ndodhet poshtë qafës, në rrëzë të saj, duke i dhënë vetësiguri, një lloj delikatese, gjestikulacion e duke shërbyer në të njëjtën kohë si litar nyjash mendimi, përsiatjeje, ligjërimi dhe arsyetimi.

Rexhep Shahu: Dy fjalë për librin ”Një mijë vjet Ajkunë”

Janë të tepërta këto dy fjalë përcjellëse, për librin “Njëmijë vjet Ajkunë” të autores Elida Rusta, botuar nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë”, Tiranë, por le të rrinë si modë a si traditë edhe për këtë libër 
Poezia e këtij libri nuk merr asnjë ngjyrë e nuancë nga këto fjalë, aq sa mund t’i jap unë me sytë e mi ndonjë ngjyrë shtesë ylberit.
Por ndihem i nderuar që shkruaj këtë përcjellje se ngjaj si lajmës që trokas në derën tuaj dhe lajmëroj se po vjen një poete e re, një zonjë, që boton vonë duke mos humbë asgjë, që e ka latue për kohë të gjatë vargun, ia ka terë ujin dhe na zgjon e na kujton se sa shumë kena vdekë përditë e përvjet e na hiç nuk e dimë. Na thotë që të harrojmë, e në jetë të mbajmë kujtimet. Na kujton pa mëshirë, pa dhimbje, e cila tashmë mallin e ka bërë gur, se na jena një grumbull me zhgënjime, me andrra të preme përgjysmë, me ndjenja të fikuna, me gjysmë përshëndetje të belbëzume me za të voktë e të qorruem mëngjeseve. Kjo poete vjen dorë për dore me Migjenin.
Elida Rusta dhe libri saj “Njëmijë vjet Ajkunë” besoj do të jetë befasi e këndshme. 

Agim Baçi*: Dashuri përmes ironisë (Mbi tiparet poetike të Marin Soreskut)

Përmes ironisë a mund të falësh dashuri? Ironia është një fjalë që vjen nga greqishtja, nga eironeia, fjalë që nënkupton shtirje ose tallje të fshehur, ku kuptimi i vërtetë është i kundërti i asaj që kumtohet. Si e tillë, parë nga burimi, ironia rrallëherë lë shtigje për të dashuruar. Por jo në rastin e Marin Soreskut. Në rastin e poezive të tij, rregullat thyhen, ashtu siç edhe bota vjen “në një rrotullim tjetër”, duke sjellë përmes ironisë gjithë dashurinë për veten dhe për botën.
“Ironia është një parim njohës që del përmes një paradoksi, në parimin e përgjithshëm të metaforës”, shprehet studiuesi amerikan V.K Vimsart[1]. Dhe paradoksi vjen. Duke marrë në analizë katër poezi, “Shekpiri”, “Shah”, “Sëmundja” dhe “Ti më njeh”, do të vërejmë se Soresku e ka rrëzuar edhe burimin e ironisë, duke dhënë përmes kumteve ironike një dashuri, e cila rrëzon kontekstin e talljes. Kjo edhe për faktin se ironia në rastin e Soreskut, duke kaluar përmes vetironisë, shëron gjithë ndjesitë negative që bart ironia në aspektin fillestar, dhe lë aty veçse dashuri.