Showing posts with label Dokumentar (Documentar). Show all posts
Showing posts with label Dokumentar (Documentar). Show all posts

Alexandru Monciu-Sudinski: Dokumentar (Documentar)

Prozator i një lloji krejt të veçantë, (lindur në vitin 1944 në qytetin Turnu-Măgurele) Alexandru Monciu-Sudinski mbaroi studimet në Fakultetin e Gjuhëve Sllave në Bukuresht dhe e mbrojti diplomën në filozofi (1972). Debutoi në vitin 1971 me vëllimin Rebarbor, i cili u ndalua menjëherë pas botimit dhe u shndërrua në karton. Përpara se të mërgonte në Suedi dhe të tërhiqej krejt nga jeta publike, Monciu-Sudinski botoi librat Karaktere (Caractere, 1973) dhe Biografi të zakonshme (Biografii comune, 1974).

Pra, ç’shohim ne në këtë film, fëmijë? Ca ushtarë të veshur në uniforma të lezetshme, duke kalëruar mbi këto çudira. Ushtarët, veshur me uniforma të lezetshme, bëjnë shenja drejt ekranit. Pas tankeve të tyre vrapojnë, ose hiqen zvarrë në pluhur ca tipa antipatikë, të pistë e shëmtakë; ata janë të lidhur me litarë, çka duket se nuk iu shkakton kënaqësi, mirpo ja që ushtarët simpatikë e kuptojnë këtë; ushtarët i ndalin dy tanket mbi një lëndinë me lule, atje i zgjidhin shëmtakët dhe u japin ca lopatëza që mund të emërtohen edhe Linemann*. U bëjnë shenjë të hapin ca gropëza. E teksa shëmtakët (sa janë? ja t’i numërojmë pak: një, dy, tre, pesë, gjashtë, tetë. Tetë janë, fëmijë, po?), ndërsa shëmtakët po hapin gropëza, çunat tanë ushtarë, leshverdhë e të urtë, ulen në hije, shikoni, nxjerrin termusët me kafe me qumësht dhe gazeta dhe një kutizë me letra bixhozi, dhe pinë kafe me qumësht dhe lëçitin gazeta dhe luajnë letrash. E shihni sa bukur? Dhe sa qartë duken... Ja, ai zezaku kaçurrel pranë tytës së tankut, është i vetmi që s’është biond, po megjithatë është simpatik, shikoni si rri me automatikun në dorë dhe mbllaçit bukë me gjalpë dhe bën roje që shëmtakët të mos arratisen. Dhe sa lezetshëm na buzëqesh. Ndërsa melodia që dëgjohet nga tanku dhe që na pëlqen të gjithëve titullohet Yes, yes, she smiled to me; domethëne „Po, po, ajo më buzëqeshi”. Melodi e lezetshme, dhe kur njëri syresh shkon drejt tankut t’ia ngrejë zërin melodisë, që ta dëgjojmë edhe ne, se jo më kot po e filmojnë, një tjetër shkon drejt atyre tetë shëmtakeve dhe u bën shenjë të nxitojnë, se ç’të s’ëmës, veç faktit që janë shëmtakë, qënkan edhe dembelë; s’mund ta humbin kështu kohën në tërë atë vapë...