Showing posts with label Valbona Bozgo. Show all posts
Showing posts with label Valbona Bozgo. Show all posts

Valbona Bozgo: Sheja (tregim)

Rreth dhjetë shtëpi pas tonës, domethënë pas shtëpive të Veizit, Agimit, Hasanit, Dhorës vejushë, Lefterit, Platonit, Myrtezait, Spiros, Andonit dhe Xhavitit, vinte shtëpia e Shejes. Megjithëse Sheja nuk ishte vejushë dhe i shoqi nuk mund të themi që nuk ishte burrë, të gjithë banorët e lagjes, atë godinë ndër më të varfërat e saj, mbase edhe të qytetit tonë, e thërrisnin Shtëpia e Shejes. Po të llogarisje sipërfaqen e tokës që zinte secila nga shtëpitë e përmendura më sipër, me oborret rreth e qark dhe me rrugicat e ngushta në çdo tri-katër prej tyre, që lidhnin rrugën tonë me të tjerat paralele, shtëpia e Shejes mund të ishte larg times ndonja pesëqind-gjashtëqind metra. Brenda oborrit rrethuar me gardh gjembash, që e zvogëlonin disi sipërfaqen e tokës rreth shtëpisë, bënin hije një kumbull dhe një hurmë. Në një cep të oborrit, në verë, Sheja me të shoqin, Arifin, mbillnin ndonjë zarzavat për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së tyre të mjeruar.