Rreth dhjetë shtëpi pas tonës, domethënë pas shtëpive të Veizit, Agimit,
Hasanit, Dhorës vejushë, Lefterit, Platonit, Myrtezait, Spiros, Andonit dhe
Xhavitit, vinte shtëpia e Shejes. Megjithëse Sheja nuk ishte vejushë dhe i
shoqi nuk mund të themi që nuk ishte burrë, të gjithë banorët e lagjes, atë
godinë ndër më të varfërat e saj, mbase edhe të qytetit tonë, e thërrisnin Shtëpia e Shejes. Po të llogarisje sipërfaqen
e tokës që zinte secila nga shtëpitë e përmendura më sipër, me oborret rreth e
qark dhe me rrugicat e ngushta në çdo tri-katër prej tyre, që lidhnin rrugën
tonë me të tjerat paralele, shtëpia e Shejes mund të ishte larg times ndonja
pesëqind-gjashtëqind metra. Brenda oborrit rrethuar me gardh gjembash, që e
zvogëlonin disi sipërfaqen e tokës rreth shtëpisë, bënin hije një kumbull dhe
një hurmë. Në një cep të oborrit, në verë, Sheja me të shoqin, Arifin, mbillnin
ndonjë zarzavat për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së tyre të mjeruar.
Nuk ishte fukarallëku i tejskajshëm që e bënte të veçantë këtë familje me
pesë djem, më i vogli prej të cilëve, Astriti, ishte bashkëmoshatari i im.
Ishte Sheja vetë, madje edhe më e veçantë se sa Sheqerja, e vetmja shofere
taksie femër e qytetit tonë, gjë mjaft e rrallë për atë kohë. Sheqerja, megjithëse
siç ia donte profesioni (i konsideruar vetëm për meshkuj) kishte një shikim të
ngrysur, sapo e gjykonte një bisedë për të qeshur, merrte befas shijen e ëmbël
të femrës, duke buzëqeshur apo u gajasur hareshëm, me kujdesin që kjo „dobësi”
të mos i zgjaste shumë. Me urdhër të shpejtë, i tkurrte sërish tiparet e
fytyrës, duke thirrur me një zë të trashë burri (nuk e mësova në e trashte
enkas): „Taksi!”
Sheja ishte tjetër gjë. Ishte e vetmja karrociere e qytetit tonë. Vishej
gjithnjë me pantallona, flokë të kapura bisht pas kokës, që përngjasonte paksa
me bishtin e kalit të saj, Azganit. Ky ishte kali më trupmadh ndër gjithë të
tjerët të ndërmarrjes së „grumbullim – furnizimit”, me ngjyrë kafe në të zezë,
që dukej se i bindej të zonjës, jo thjesht nga fshikullimi i kamxhikut të saj
mbi vithet e tij epshorë, se sa nga lidhja e ngushtë që ishte vendosur midis
tyre. Goditja me kamxhik shërbente më tepër si sinjal për të ndryshuar gjendjen
në të cilën ndodhej kafsha, rëndomë, për t’u nisur nga vendi ku ndodhej, se sa
si dënim. Sheja e donte shumë Azganin. Thënë ndryshe, llastiku mbi trupin e
tij, ishte si ndezja e motorrit të makinës së Sheqeres.
Sheja ishte grua e tërhequr dhe fjalëpak. Nuk i binte kurrë njeriu në qafë,
por edhe askujt nuk ia mbante të matej me të. Karroca e saj, sipas porosive të
banorëve të qytetit tonë apo institucioneve të ndryshme, transportonte gurë
gëlqerorë, thasë me çimento, tulla, dërrasa, qymyr për ngrohje në dimër... e
ç’të doje. Pasi e zbrazte mallin në vendin e porositur dhe karroca shkarkohej
nga barra e rëndë, me përjashtim të vetë Shejes, e cila nuk llogaritej pasi
ishte pjesë e saj, pas fshikullimit të lehtë të Azganit, i gëzohej lehtësisë me
të cilën karroca rrëshqiste asfaltit të rrugëve. Kur këto ishin të lira, me pak
kalimtarë, veçanërisht në orët e herëta të mëngjesit, apo të vona të mbrëmjes,
ajo e godiste pak më fortë kalin, i cili merrte vrull dhe, me pamje krenare,
sikur ta dinte se ishte më i pashmi ndër shokë, trokëllinte thekshëm patkonjtë
dhe duronte pa sikletin më të vogël goditjet e së zonjës, e cila e nxiste të
vraponte, siç i fuste Sheqerja marshin e tretë apo të katërt makinës.
Në dimër Sheja mbathte gjithnjë çizme llastiku. Në pranverë dhe vjeshtë
përdorte këpucë, po prej llastiku, të pajisura anash me vrima të vogla, për të
ajrisur këmbët dhe shmangur sa të mundje erën kundërmuese të djersës. Por, edhe
stinës së verës, këmbët nuk i shpëtonin llastikut, i cili këtë herë
materializohej në formën e sandaleve. Edhe familjarët e saj u mbathnin këmbëve
të njëjtin material, si më pak i kushtueshëm që ishte.
Vetëm Azganit..., ah, atij nuk ia kursente kurrë shërbimin më të vogël. Ia
kontrollonte thundrat vazhdimisht për të parë konsumimin e patkonjve e për t’ia
zëvendësuar me të reja, sapo ta shihte të arsyeshme. Nuk kishte „gili-vili” me
Shejen. Kur kërkonte ndërrimin e patkonjve të Azganit, kërkesë-urdhëri i saj
duhej zbatuar menjëherë, në afatin më të shkurtër. Ai ishte krenaria e saj dhe
e familjes.
Me Astritin, më të voglin e djemve, qëlloi të uleshim në të njëjtën bankë,
në klasë të parë. Ishte shtator dhe mua më kishin veshur me pantallona të
shkurtra teritali, të kaltra, me uniformën e shkollës: përparëse e zezë me jakë
të bardhë dhe sandale prej lëkure mbi çorapet e bardha.
Astriti ishte veshur gjithashtu me pantallona të shkurtra doku, të dala
boje, që me gjasë duhej të kishin qenë blu të errëta, dhe, sikurse unë dhe tërë
nxënësit, kishte përparse të zezë, pa jakë të bardhë. Në këmbë, siç mund të
ishte e kuptueshme, kishte mbathur sandale llastiku, pa çorape.
U bëmë shumë shokë, shoqëri që e ruajtëm edhe në vazhdim të klasave më të
larta, paçka se nuk patëm më rastin të rrinim bashkë në një bankë.
Filluam të vizitonim familjet e njëri-tjetrit. Ai rrinte tepër i drojtur në
prani të mobilimit të kënaqshëm të shtëpisë sime dhe unë i shtangur para atij
boshllëku të paparë të shtëpisë së tij, e përbërë nga dy dhoma të vogla, një e
prindërve dhe tjetra e fëmijëve, dhe një kuzhinë e dhomë ndenjjeje
njëkohësisht. Të vetmet pajisje nëpër dhoma ishin krevatet dhe nga një sënduk
druri, ku futeshin teshat, të cilët, sa herë hapeshin e mbylleshin, kuisnin
tmerrshëm tek menteshat. Rrobat e ditës vareshin në gozhdët pas dyerve. Në
dhomën-kuzhinë kishte një dollap ushqimesh, njëri kanat i të cilit nuk puthitej
mirë, duke i detyruar të shtëpisë të ktheheshin për ta mbyllur, derisa të
puthitej me kanatin tjetër. Tavan nuk kishte. Në vend të tij nxinin disa trarë,
që i binin kryq e tërthor atij vendi, ku duhej të ishte ai, tavani. Në mes të
dhomë-kuzhinës, ndodhej një tryezë me shtatë karrike, secila me nga një cen.
Kujt i mungonte dërrasa e shpinores, kujt ndonjëra që lidhte pjesët e brendshme
të këmbëve të tyre, një tjetre i qenë shqitur copa kompensate apo ishte djegur
në një cep, të tjerat kishin nga një vrimë apo një këmbë më të shkurtër se sa
shoqet. Kjo e fundit ishte më e preferuar për Astritin. Invaliditetin e
çalamanes, që u shkaktonte bezdi të tjerëve, me tundjet e vazhdueshme për shkak
të shkurtësisë së njërës këmbë, Astriti e gjente shumë argëtuese.
I vetmi divan, që shërbente si shtrat edhe për një nga djemtë, zinte një
qoshe, mbuluar nga një jorgan prej lecke, por i pastër.
Më ishte krijuar përshtypja se Sheja kishte dashur të lindte pesë fëmijë,
dhe jo si në timen, me dy, veç unë dhe motra, që të mbushte atë boshllëk të
shtëpisë, ku vija bast se, po të ishe fillikat, do të dëgjoje jehonën e zërit
tënd.
Në një nga raftet e dollapit të bukës, ishin stivuar pjata kauçuku dhe lugë
e pirunj alumini, si ato që përdoreshin në mensat e ushtrisë. Midis vakteve të
ushqimit, vëllezërit mund t’i shihje brenda në shtëpi apo në rrugë, me feta
buke të prera trashë si patkua kali, të lyer herë me sheqer dhe pika vaji sipër
e, në mungesë të tij, ujë, apo të lyer me vaj e kripë. Rrallëherë shtrinin mbi
bukë gjellë që mbetej nga dreka (në mbetej).
Sa herë shkoja tek ta, viheshin në siklet, për të më sistemuar në karrigen
më të mirë, me përjashtim të asaj topalles, të bindur se ajo do t’i turpëronte
plotësisht. Ndryshe ndodhte me ardhjen e Astritit në shtëpinë time. Prindërit
apo ime motër mjaftoheshin duke iu drejtuar me një „ulu” të vetme, pa qenë
nevoja për të zgjedhur vendin. Në rastet kur vaktet e ushqimit na zinin në
shtëpitë e njëri-tjetrit, ai hante me kënaqësi dhe druajtje në pjatat tona të
porcelanit, teksa unë u gëzohesha pa turp atyre të kauçukut në shtëpinë e tij.
Astriti kujdesej që të mos i kërciste luga në pjatën e porcelantë, jo thjesht
për të shmangur zhurmën, por edhe për të mos tërhequr vëmendjen e pjestarëve të
familjes sime, që ndiqnin rregullin „kur hahet, nuk flitet”! Në shtëpinë e tij,
unë argëtohesha me shpengimin total të vetes. Zhurma e mbytur e lugëve mbi
pjatat e kauçukta nuk i detyronte asnjë nga vëllezërit dhe prindërit e Astritit
t’u ruheshin kërcitjeve të tyre, megjithëse, edhe po të ishin prodhuar nga
tjetër material, zor se mund t’i nënshtroheshin ndonjë trajtimi special.
Një mbrëmje të vonë nëntori, ndërsa unë u harrova në shtëpinë e Astritit,
Sheja kishte gatuar trahana. Nga një tenxhere e madhe e vënë mbi sobën me dru,
nga ku i ishin hequr të tërë rrathët metalikë, meqenëse fundi i saj ishte mjaft
i gjerë, dilte avulli dhe përhapej era e mirë e trahanasë. Shpejt e shpejt, mbi
tryezë u shpërndanë pjatat e kauçukut dhe lugët e aluminit. Nën thirrjen e
Shejes, të gjithë zunë vend rreth saj. Unë në karriken më të mirë. Astriti, në
më të mirën e tij, që ishte më e keqja për të tjerët. Dy
çunat e mesit, Genci dhe Petriti, u ulën në divanin-krevat. Përsheshi i
trahanasë, gatuar me bukë gruri dhe misri bashkë, shpërndahej nëpër pjata,
ndërsa të tërë ndiqnim me imtësi çdo lëvizje të Shejes, pas avullit që ngrihej
mbi pjata dhe kondicionohej mbi hundët tona. Sipër çdo përsheshi u hodh gjysmë
luge vaj luledielli, i skuqur me pak salcë, i cili shumë shpejt humbi midis
boshllëqeve të masës së trahanasë. Hëngrëm të gjithë pa folur dhe me oreks.
Dëgjohej përplasja e mbytur e lugëve mbi pjata, e cila sa vinte e forcohej
disi, duke lajmëruar për boshatisjen e tyre. Asgjë nuk mbeti në to. Askush nuk
kërkoi të hante diçka më shumë. Nuk u bë asnjë pyetje, si ato që bëhen rëndom
në shtëpinë time „u ngopët”! Nuk u ankua askush se kishte uri.
„Unë po iki, u thashë. U bë vonë'.' Ata më përshëndetën me dashamirësi, pas
falenderimit që u bëra edhe unë për darkën, ndërsa Astriti u ngrit nga karrikja
e tij çalamane, për të më shoqëruar deri tek porta e oborrit.
S’ime mëje, më tepër se sa kënaqësia që ndjeva për ngrënien e trahanasë së
Shejes, i bëri përshtypje mënyra e varfër e gatimit të saj. Pas një jave, që
nuk e mora vesh në ishte rastësi, apo stisje e mamasë, e mbajtëm ne Astritin
për darkë. Me trahana! Kur të gjithë zunë vend rreth tryezës, ku të mundnin,
mamaja shpërndau nëpër pjata bukë gruri të prera kubikshe dhe të thekura në
furrën e sobës, duke derdhur mbi to lëngun e trashë të trahanasë. Copat e vogla
të bukës e thithnin lëngun e nxehtë si toka e zhuritur shiun e parë. Ritualin e
vazhdonte im atë, me shtrimin sipër kësaj mase, të djathit të bardhë të grirë.
Ceremoninë e mbyllte sërish ime ëmë, duke hedhur mbi djathë, dy-tri lugë vaj
ulliri të skuqur me pluhur piperi të kuq, që t’i shponte flegrat e hundës me
erën e mirë.
Astriti i gjorë më përgjonte për të mësuar se si nisej ngrënia e kësaj
trahanaje, e stolisur si tortë. A do ta përzieja të gjithë masën për ta bërë të
njëtrajtëshme, apo do respektoja hierarkinë e asortimenteve të renditura me aq
kujdes nga prindërit e mi! Për herë të parë, që nga shtatë-tetë vitet e lindjes
sime, unë e trazova trahananë. Të mitë më vështruan çuditshëm, por nuk folën. I
lehtësuar, duke u ndjerë i së njëjtës skuadër me mua, më ndoqi edhe Astriti. Si
gjithnjë hëngrëm në heshtje, por pa nxitimin që tregohej në shtëpinë e shokut
tim.
Pas rreth dhjetë ditësh u çudita pak, kur mamaja më pyeti:
„Kur do të
shkosh sërish tek Astriti?”
Ne shkonim e
vinim tek njëri-tjetri pa bërë plane të mëparshme afatgjata.
„Nuk e di! i them. Kur të më teket.”
„Më lajmëro, kur do duash të shkosh ndonjë mbasdite të vonë.”
„Mirë, i thashë”, pa kuptuar gjë, por edhe pa pyetur.
Jo më shumë se tri-katër ditë më vonë, para se të nisesha në shtëpinë e
Astritit, ime ëmë më porositi të mbaja me kujdes një tepsi të mbuluar me
gazeta, për ta ruajtur siç duket nga papastërtitë, por edhe mua nga nxehtësia e
saj.
„Ç’ka këtu?” e pyes.
„Trahana!”
„Trahana?! Pse?!”
Isha shtangur i tëri.
Ajo bëri një shenjë jo shumë të qartë, me kokë e duar. Kuptova vetëm se nuk
ia vlente të pyesje për trahananë. „Shkëmbim përvoje”, thashë me vete.
Më erdhi ca turp kur dola në rrugë me tepsinë në dorë, pasi jo vetëm që nuk
ishte ora për ta çuar në furrën e pjekjes së lagjes sonë, në qoftë se doja, që
kalimtarët të mendonin se po e dërgoja atje, por edhe se furra ndodhej në
tjetër drejtim.
Përjetoja me kënaqësi habinë dhe mirënjohjen e prindërve dhe vëllezërve të
Astritit, kur t’u shfaqesha me atë trahana të ngrohtë e të shijshme, e cila
kishte gjasa të ishte ambasadorja (pas meje), e shtëpisë sime në atë të shokut.
Më pëlqente të mendoja se, pas kësaj, prindërit tanë do ta vizitonin nëpër
shtëpira njëri-tjetrin.
Siç edhe e prisja, të gjithë familjarët e shokut tim u befasuan, kur më
panë tek sikletosesha për të hyrë me atë tepsi në derë. E vura në mesin e
tavolinës dhe u thashë:
„E keni nga mamaja ime! Është trahana!”
Sheja, e ngurosur, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, e zbuloi me të tillë
kujdes dhe vëmendje tepsinë, sikur në të të gëlonin një tufë gjarpërinjsh.
Ngjyra e kuqe e vajit të ullirit, përzier me specin e kuq, shpërndarë bukur mbi
djathin e bardhë dhe ky i fundit, derdhur me bollëk mbi përsheshin e trahanasë,
i çuditi të tërë, përveç Shejes. Ajo nuk urdhëroi asnjë nga bijtë e saj për të
gatitur tryezën dhe për të nxjerrë pjatat e kauçukut nga dollapi. E mbuloi
sërish tepsinë, si të deshte të qetësonte gjarpërinjtë dhe ma ktheu.
„Dërgoja sërish mamasë. Ty të presim një mbrëmje tjetër për darkë, se unë
ende nuk kam gatuar gjë dhe është keq ta lesh këtë trahana të ftohet.”
Zëri i saj ishte i qetë, bindës, pa shpoti dhe i prerë.
Asnjë nga djemtë nuk e kundërshtoi. Askush nga ata nuk pyeti. Më uroi
sjellshëm me një „natën e mirë”, dhe i bëri me shenjë Astritit, që të më
shoqëronte.
Mamaja u mërzit shumë dhe e shpalli me zë fyerjen, që mendonte se i kishin
bërë:
„Pse?!”
„Nuk e di!” i thashë, megjithëse e kuptoja, se pyetja nuk më drejtohej mua.
Të gjithë ecnim e vinim nëpër shtëpi, gjoja se merreshim me punët tona, por
duke përsiatur të njëjtën pyetje, që kishte bërë edhe mamaja „pse”! Trahanaja
në tepsi ishte ftohur plotësisht.
Sapo u shtriva për të fjetur, dëgjova nga larg një trok kali, që afrohej në
drejtimin tonë. Zbulova pak cepin e perdes dhe prita të shquaja në errësirë
kalin dhe kalorësin. Ishte Sheja. Pa karrocë. Hipur mbi Azganin e saj, që e godiste
me këmbë në vithe, për ta nxitur të vraponte edhe më. Po ta krahasoje me
shpejtësinë e makinës së Sheqeres, duhej të ishte me marsh të katërt. Flladi i
lehtë që frynte dhe galopi i kalit, patkonjtë e të cilit, siç më kishte thënë
Astriti, ia kishin ndërruar para dy ditësh, ia shtrinin krifën kafshës, bishtin
e tij dhe atë të flokëve të së zonjës, me të tillë madhështi, si të kishin dalë
nga ndonjë pikturë.
Maj 2011