Showing posts with label Blerina Shalari. Show all posts
Showing posts with label Blerina Shalari. Show all posts

Blerina Shalari: Kombëtarja dhe ndërkombëtarja në muzikën shqiptare


Kjo kumtesë është pjesë e studimit “Polifonia labe dhe muzika e kultivuar shqiptare” i autores Blerina Shalari, studim i hartuar gjatë punës për mbrojtjen e gradës doktor i shkencave pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës, në kuadër të së cilës funksionon edhe shkolla doktorale “Etnologji folklor”. Autorja mbetet me besimin se ky studim do të nxisë të tjerë të llojit për t’u thelluar më tej në pasqyrimin e vlerave të mirëfillta të artit muzikor shqiptar, dhe, pse jo, të synohet për ndërkombëtarizimin e tyre, si dhe të nxitet kritika për një përparim të mëtejshëm të tij.

Këto cilësime, qysh në krye të çështjes që po trajtojmë, duken si nacionaliste e politike në një kuptim aparent të kësaj fjale, por në të vërtetë ato priren drejt dy përmasash, sa shqiptare, aq edhe universale, duke synuar të nxjerrë në pah sa ndërlidhet gjithashtu ajo që është kombëtare me ndërkombëtaren në muzikë. Kur kemi folur për shkollën kombëtare, kemi thënë se cilësitë e saj janë sidomos folklori i futur në trasenë profesioniste, harmonia popullore shpeshherë modale, e cila ngjyros veprat profesioniste, melosi popullor i cili ngjiz që nga motivi bazë tematizmin e veprave profesioniste, për të mos thënë që ky melos shndërrohet vrik në një vepër aq të kultivuar, saqë ndonjëherë nuk e dallon dot që ajo të ketë qenë tjetër lloj.

Megjithatë, a i gjen studiuesit në një mendje për faktin se ”krijimi popullor është në tërësinë e tij një kombëtaritet i mirëfilltë”, duke i bërë një oponencë të fortë në këtë rast krijimit profesionist, i cili është i ndikuar, huazuar dhe nxitur edhe nga ndërhyrje të jashtme?!
Kaq e vërtetë është kjo, sa edhe kur është marrë për bazë një motiv popullor për të krijuar vepra profesioniste, nuk është hezituar të citohet i plotë si motiv dhe të kthehet në një temë kryesore për veprën – dhe shembuj të tillë ka plot. Por ky është një gjykim strukturalist, e më tej gjen edhe aludime të tjera që dalin jashtë formës së kësaj muzike.
Kombëtarja në muzikën tonë, në termat e sotëm të një kritike moderne, do të merrte tone pathosi thjesht politik, por përndryshe ka edhe diçka tjetër, sepse meqë ky koncept ka një origjinë tërësisht popullore, duket si një utopi për këtë gjykim, që priret gjithmonë drejt elektros dhe shfaqeve të tjera të ngjashme.

Nga njëra anë, kombëtariteti popullor i muzikës sonë duket i veshur me komplekse artistike dhe jo të tilla, ç’ka e bëjnë këtë art të vështirë për t’u gjykuar, të pakrahasueshëm me të tjera sfera, qofshin edhe jashtë saj etj. Formulat e ndërtimit të kësaj muzike, por edhe mosdepërtimi deri në fund ndaj historisë së saj ka bërë që të kemi përçarje në sintetizimin e këtij arti me termin “kombëtare”, e le më pastaj ta krahasojmë me profesionizmin tonë jashtësor, ku kombëtariteti lëkundet deri në kufijtë e ekzistencës.

Blerina Shalari: Shkolla muzikore shqiptare nën ndikimin e realizmit socialist

Abstract: Epoka e njohur si e realizmit socialist sjell me vete një sërë atmosferash artistike e ideologjike, të imponuara ose jo, të diktuara nga kushtet apo njerëzit, si dhe të veshura me një mbingarkesë sociale. Kjo mbingarkesë nuk ishte gjithmonë negative, sepse shumë prej prurjeve muzikore ishin origjinale, identike, dhe kjo kushtëzohej rrethanat përkatëse, si dhe nga mungesa e informacionit, e lirisë krijuese, gjë që solli shumë forma shtrënguese politike, duke bërë që të kishte vepra të mbetura bocet. Në këto rrethana kemi edhe zhvillime kryesisht pozitive, siç janë: vendosja e institucioneve muzikore, duke përfshirë gjithë sistemin e shkollëformimit; formacionimi i shumë degëve të artit në grupe artistike, shoqëri kulturore, festivale, dekada, anketa etj; u hodhën disa baza shkencore në drejtim të metodologjive të kërkimit shkencor, mësimdhënies, kualifikimit, kritikës, gazetarisë kulturore, teksteve mësimore etj.
Pavarësisht se shumë prej tyre i përkasin një teknike adaptive të formulimit si: përkthimet, përshtatjet, huazimet, mund të themi se këto përvoja të cilat vinin nga jashtë sillnin teknika të domosdoshme për thellimin drejt artit profesionist.

Fjalë-kyçe: realizmi socialist, muzika shqiptare, studim, histori, vepra, analiza

Blerina Shalari: Studimet e ndryshme mbi muzikën shqiptare

Abstrakt

‘Studimet e ndryshme mbi muzikën Shqiptare’ flet për studimet e ndryshme që i janë kushtuar muzikës shqiptare, si asaj profesioniste, ashtu edhe asaj popullore. Në trajtesë këqyren aspektet më të veçanta të tyre, lidhur edhe me kohën kur janë botuar, si dhe varur nga kushtet të cilat diktonin zhvillimin e studimeve të thelluara për muzikën, gjykuar më së shumti nga pozitat e realizmit socialist. Në studim përmenden çështje që kanë të bëjnë me thelbet e muzikës profesioniste e popullore. Gjithashtu, studimi përmban një sërë përgjithësimesh në lidhje me ndihmesën që kanë sjellë këto studime, artikuj, monografi etj, për fushën e kërkimit shkencor në artin muzikor.
Në këtë trajtesë janë përfshirë pikëpamjet e mjaft autorëve të njohur, si Ramazan Bogdani për fushën e folklorit, Fan Noli për kritikën, Ramadan Sokoli për muzikologjinë etj. Ky studim nxjerr në pah ato që janë prurjet më të rëndësishme për fushën e kërkimit, si shenjimin e momenteve kyçe të historisë së muzikës, dokumentimi i koncerteve, veprimtarive masive si dhe kritikës.
Në studim gjejmë edhe disa vlerësime të muzikologëve mbi momentet kyçe të historisë së muzikës në Shqipëri, dhe se si ajo ka depërtuar në botë me elitizmin e saj.

Fjalë kyçe:
Studim, autor, muzikë, kërkim, histori, muzikologji.

Përmes poezisë shtegtare

Blerina SHALARI

 

Eca në rrugët e mendimit ku gjeta një shteg të ngushtë për ikjen dhe një shteg të gjerë për ardhjen. Aty, në njërin nga labirinthet dallova një portë ku shkruhej:

S’KA GJUMË NË HIMALAJA.

Pa mëdyshje vendosa të trokas në të pa menduar nëse do të hapet apo jo. Porta u hap dhe brenda si në një muze gjeta gjithëfarë personazhesh. Ata nuk ishin të ngurosur,lëviznin te gjallë, flisnin të gjithë përmes vargut shëtitës.
Aty u njoha me një qytet ushtarak, që si në legjendë ndërtohet dhe prishet brenda ditës, u njoha edhe me një gur që i ngjante gurit të pritjes në një film të pas-viteve 90, por që barbarët, siç thotë vjersha, nuk e lanë të gjatë, e donin gurë të prerë, si për të fshirë nga jeta historinë e fshatit të poetit. Poeti, ikën dhe e lë fshatin në një agoni të padëshiruar, dhe shkon ca më larg, në Tiranë dhe nëpër botë. E mban vrapin tek sheshi “Skënderbe” dhe në sheshe të tjera të kryeqyteteve të Evropës që bota ta shikojë të veshur me kostumin “GUCCI”të babait që e kishte blerë në Italinë e Luftës së Dytë e me të cilin ai u bë dhëndërr në Zululand aty nga mezi i shekullit njëzet. Të nesërmen e dasmës babai shkoi në luftë për të realizuar një ëndërr: që i biri, pra poeti, në shekullin njëzet e një me kostum “GABI”most të bëhej dhëndër.
Më pas e harron guccin, i hipën avionit dhe drejt e në Kinë. Atje supershteti e bën për vete me botën e biznesit, me disko, me vajza të dehura nga pasionet e çastit, me vjershëtarë që kanë vdekur këtu e njëmijë e treqind vjet, dhe ngaqë është i huaj në Kinë e pi kafenë çdo mëngjes me fantazmat e veta imagjinare, i duken njëmijë e treqind vjeçarët sikur jetojnë ende. Pastaj e zbeh imagjinatën e largët dhe bëhet më realist .Dhe ja ku gjendet papritur me kinezen Bora në bibliotekën e Pekinit, rri në vetvete dhe bën krahasimin, biblioteka historike apo Bora duhet lexuar vetëm për pak? Me siguri, që dy sy të paqmë mund të fshehin më shumë, pasi librat janë ca të ftohtë.
Në njërën nga ditët e akullta në Pekin kërkon të vjedhë pak nga krenaria e qytetit të paradave, dhe e quan vehten:
TREGTAR PEKINI, dhe për ta veshur krenarinë me nofkën e zotërisë, seç ka një kinez adoleshent që i ruan kontenierin me mall, i cili jo për nga vlefta, por për nga tekat e fatit, i ngjan një vendi pelegrinazhi, dhe i vetmi pelegrin është adoleshenti kinez, që pret të paguhet në minus njëzet gradë, dhe pret të paguajë me jetën e vetë. Edhe vetë poeti i bën thirrje adoleshentit, mos u mundo dhe shumë ta ruash konteinerin tim, se mua më vjedhin në mes të ditës në Tiranë, në dyzet gradë. Por ai nuk e dëgjon, është besnik i zotërisë së tij!
Pastaj mundohet të zbresë nga maja e personazheve prozaikë dhe fshihet i tëri në një mbrëmje maji. Maji, fleta e pestë e kalendarit i duket ditar për gjithë vitin, si duket ngaqë kjo fletë ndodhet pak a shumë afër, në mes të trupit të vitit, ndoshta mund të jetë zemra, sepse si për konçidencë, flirti apo ujrat që rrjedhin prej tij, fillojnë e marrin jetë në Maj…
Tani rri mendoj dhe më ndërrohet tërësisht imazhi, më vjen ndërmend ngjyra pelegrine e veshjes së ushtarit, si dhe disa nga mjetet proklamative pa të cilat ushtria as që mund të mendohet, dhe vjersha zgjedh të flasë për më të fuqishmin zë të ushtarit, atoparlantin, i cili disa herë sjell lajme të mira, dhe disa herë shndërrohet në provë krimi. Dhe më tej, ardhja e emblemave të Maos ia solli poetit Kinën e madhe në Shqipërinë e vogël, si për ti parathënë:
Do të vish një ditë dhe do të më njohësh nga afër.
Dhe profetësia e ikjes nga vendi u përmbush si jehonë e eksodit biblik. U provua shumë largimi, dhe prej andej si prej detit, erdhën shkronjës vjershash, që as e kishin menduar ndonjëherë vehten të tillë, erdhën të rinj me plakje të dukshme, të moshuar me rini të rizgjuar...Dhe siç vijnë befasitë, e gjej autorin në një tavolinë pa emra. Për të, të gjithë janë njësoj, kanë një emër të përbashkët, quhen Miq, dhe që të gjithë janë eksodikë, të gjithë kanë emra tregëtarësh dhe numra llogarie në telefonat mobile, dhe mblidhen së toku thjesht në një tavolinë, ku gjenden gota të zbrazura nga vera, dhe të mbushura me pijen mikse të trishtimit dhe komercit, dhe ca nga dehja, ca nga largësia e atdheut, gjysëm në ëndër gjysëm zgjuar, kuturiset autori dhe shkon e kërkon një soditje aq të dëshiruar për shpirtin e tij të lodhur nga shifra të akullta, nga fatura në copa letrash të zhubrosura, dhe e gjen shpëtimin pranë pemës së një rrapi ku pret të dëgjojë ndonjë kuvendim të burrave të fshatit, por asnjë zë nuk përgjigjet, veç disa kujtimeve mbi benë. Dhe rrapi degë-tendë siç thotë vargu, bën pa ngurim një be të madhe për njërin nga bijtë e tij, që e ka braktisur pa dëshirë, ashtu si shumë të tjerë, dhe thotë:
Qofsh jetëgjatë, dhe tregofsh sa më shumë për bëmat e mia si hero i natyrës!
Poeti, duke e dëgjuar benë e rrapit, e vazhdon tregimin me shtëpinë ku erdhi në jetë, dhe që tani ka ulur kokën dhe mendon se mund të ngrihet e të gjallojë një ditë, por ajo gjendet në prehje në gjirin e natyrës, e vetmja nënë, që nuk braktis, dhe vargëtari, nga frika se mos shtëpia rrëzohet nga dallgët e halleve që ka duruar, i jep zemër çdo guri të saj deri tek kulmi i çatisë duke i thënë:
Të dua kështu siç je, karakatinë.
Dhe mezi e hedh pas atë dhimbje, për t’u harruar ca tek disko “LENA” ku shkon i krehur sipas modës së fundit, dhe ku këpucët e lustruara, mundohen ta bëjnë poetin të harrojë varfërinë e fëmijërisë.
Aty, mu në mes të haresë ia trazon shpirtin një vegim I largët, një kujtim i rëndë ku mbështillen vorbulla mjegullash që flasin për fatin e tij të kursyer ndaj të qenurit vargëtar, dhe fare të egër ndaj të qenurit ushtar i përpjekjes, por këtë mjegullë pak e shohin, ose vetëm një, pedagogu i tij, i cili e sheh studentin e shkollës së zjarrit, në një tallaz të fortë, ku vargjet e tërheqin nga vetja, dhe ku krismat e armëve e shtyjnë për në luftën imagjinare. E kush si ai, mësues i ushtarëve të fatit, me zë vetëm të brendshëm qau për studentët e tij?
E sikur të mos mjaftonte kjo, e trondit vargun edhe më shumë, duke freskuar plagët e së kaluarës tragjikisht me plagë të reja, ndoshta edhe më të thella të shkaktuara nga erozionet e mendjes, që shpërthen me gjithë fuqinë tek armët, të cilat janë të pafajshme, përballë çmendurisë njerëzore, që i shkrep nga padija! Dhe nuk e di se ku e gjen guximin shkronjësi, dhe i thotë vehtes:

UNË JAM NJË PREDHË, NJË PLUMB,

siç duket mendon se është bashkëfajtor i shpërthimit të çmendurisë, më shumë se sa e armëve.
Kërkon ta hedhë pas trondinë e luftës, dhe kujtohet t’u japë fëmijëve të vet ca këshilla prindërore që i vesh me përjetësi brenda rimave, pasi dëshiron të mos iu mungojë kurrë atyre, duke zgjedhur praninë më të pasosur, atë shpirtërore, dhe kur të mos iu flasë dot më me zë fëmijëve, atyre do t’iu kujtohet kur babai iu ka thënë:
Po s’isha këtu, gjendem tek rimat, dhe kështu ai nuk do t’u mungojë kurrë .
Vazhdoj lexoj edhe më tej mendimet e tij të vargëzuara, dhe shoh ca fjalë të skuqura nga gjaku i një sorkadheje bri-argjendë, për të cilën babait të tij nuk i erdhi keq, dhe e shigjetoi trupin e saj me dy goditje, njërën për në sofrën e varfër të fëmijëve, dhe tjetrën për tek vjershat e të birit, i cili e ngjeu penën dhe të kuqen e pafaj të gjakut të sorkadhes, e përzjeu me të flaktën e dashurisë, aty ku prushi ndrin më shumë!
Ishte ai prush, ajo djegje, që shkroi poemën me 50 këngë, ishte ajo ndritje, që bëri të mos kishte gjumë as në atdheun e vështirë të çdo shkruesi, as në shtëpinë e kujtimeve, megjithëse të vetmuar, as në malin e Dajtit, ku vargjet trazohen e bëhen këngë, thjesht nga një gjym cigani ekzotik, dhe që nga koha që Sinani e ndan jetën mes ëndrës së poezisë, dhe emigrimit të përkohshëm, që nga ajo kohë, ka mbetur i pa gjumë, pa mbyllur sytë si poetët gjumë-zgjuar Poradeci e Çabej, pa gjumë, si një i ri i sapo përfshirë nga ndjenja e parë, pa gjumë, edhe në avionin që fluturon në Himalaja, dhe që e bëri ti zgjidhë vetëm pak nga ekuacionet poetike të qiellit.
Por... A do të qëndrojë edhe më... pa gjumë... poeti?
Mjaftohuni me kaq, Lartësi të mëdha!...