Veprimtaria
letrare artistike në Shkodër i ka burimet e hershme dhe është zhvilluar disi e
veçantë në trungun e letersisë kombëtare, duke i dhënë një kontribut të
ndjeshëm asaj. Siç dihet, Çabej, në përpjekje për të nxjerrë konkluzione sa më
të sakta në studimin e letërsisë sonë, në veprën e tij “Për gjenezën e
literatyrës shqipe”, botuar në vitet 1938-1939 në disa numra të “Hyllit të
Dritës” 1), e klasifikoi atë në katër qarqe kulturore e letrare, njëri prej të
cilëve, ai i pari, është “Qarku katholik i Shqipërisë Veriore”.
Ernest Koliqi,
duke ecur në gjurmët e Çabejt në lidhje me një klasifikim të tillë, studioi më
tej zhvillimet letrare të këtij qarku në punimin e tij “Dy shkollat letrare
shkodrane”, “të cilin autori filloi ta botojë në gazetën “L’ Albanie libre” që
nga viti 1954, për të vazhduar herë mbas here deri më 1961. Çështjes iu kthye
përsëri më 1973, në një shkrim të botuar një vit para vdekjes në revistën
“Shejzat”, ku ndriçoi dhe e pasuroi çështjen edhe me disa ide e vlerësime të
rëndësishme” 2).