Showing posts with label Holta Sina. Show all posts
Showing posts with label Holta Sina. Show all posts

Veçori të shkrimit muzikor bizantin në dorëshkrimet ekfonetike të AQSH-së

Holta SINA
Docente, Muzikologe, pedagoge në U. A.

Fjalë kyçe

Shkrim muzikor bizantin, periudha ekfonetike, paleobizantine, mediobizantine, kukuzeliane, krisantine, Hoeg, dorëshkrime bizantine, kodikë, fondi, AQSH, perikope ungjijsh, pergamenë, fletë, shekuj, liturgji bizantine, Tzetzes, stil recitativ, Tardo, Jan Kukuzeli,  neuma bizantine, kaligrafia, shenjëzim, shtim neumash, katërungjill (tetravangjel), okseja, vareja, apostrofi, sinemba, kathisti, kremasti, teleja, paraklitiqia, sirmantiqia, okseja e dyfishte, vareja e dyfishte, kentimata, hipokrisis, apeso ekso, apostrofoi, Pantiru, alphabet muzikor bizantin, prozodia, thekset, theksi akut, theksi grav, kombinime te çiftëzuara, çiftëzim, S. Shupo, Kodiku i Purpurt i Beratit, Beratinus-1, Sh. Sinani, kodiku i Beratit, kodiku i Vlorës, përmasat, teksti, kolona e tekstit, karakter mnemoteknik, kironomik, diastematik, recitativ, sistem muzikor, quasi parlando, quasi cantanto, parlando rubato, recto tono, ekfonesis, ekfonos, tonikë, njëshkolonë, dy kolona, fragmentarizuar, gërmëmadh (maiuscule), gërmëvogël (minuscule), titujt, grisje, hollim, vrima, lagështira, prerje, zbehje, çngjyrosje, valëzuara, brejtje, shqitje, recto,verso, Mateu, Marku, Luka, Joani (Gjoni), fashikuj, kanonet e Eusebit, rreshta, rrumbullakosur, bishta të shurtër, bishta të gjatë, luhatje, lakuara, lakueshmëri, rrumbullakosur, joungjillore, minej gjithëvjetor, sistemi modal, fragmente, greqishte e vjetër, ngjyrë, bojë, kafe, e kuqe, blu, e zezë, vishnje, e thellë shkrues (kodikografë), shenjëzues, shenjëzime, duar, tabela, mbivendosje (palimpsest), shtresa, shkronja nisëore, i lexueshëm, shënimet, anash, në mes, sipër, poshtë, në fund, mbyllje finale, fraza, fjali.


1. Pak histori mbi periodizimin e shkrimit muzikor bizantin dhe karakteristika te shkrimit muzikor ekfonetik në dorëshkrimet liturgjike bizantine

Në historinë e muzikës bizantine, njihen pesë etapa (periudha) në të cilat ka kaluar muzika kishtare e ritit orthodhoks, etapa të cilat tashmë janë të njohura dhe të aprovuara në parim nga studiuesit evropianë e më gjerë por, me dasi te shumta për kohëzgjatjen dhe për karakteristika të vecanta të seciles prej tyre. Këto ndarje apo mendime “ndryshe” të studiuesve, sidomos për kohëzgjatjen e këtyre periudhave, justifikohen me faktin se nuk ka një kufi ndarës të menjëhershëm, mes njerës apo tjetrës etapë kohore, pasi sistemi pararendës i shenjëzimit muzikor vijon të “bashkëjetojë” për njëfarë kohe edhe në periudhën pasardhëse pra, njëkohshëm me sistemin tjetër më të avancuar. 
Periudha e parë është periudha e të kënduarit ekfonetik, si dhe e shkrimit që u ngrit mbi këtë bazë ekfonetike, qe perfshin shekujt ~ IV-XV[1]. Pas kësaj etape të parë dhe tepër të rëndësishme për ngritjen e një sistemi shenjash, ose siç njihen me termin neuma, vijojnë katër periudhat e tjera në të cilat zhvillohet muzika dhe shkrimi bizantin e, konkretisht, periudha e dytë – paleobizantine (~ IX-XIII) periudha e tretë – mediobizantine (~XII-XV) periudha e katërt – kukuzeliane (~XIV-XIX) dhe periudha e pestë – krisantine (çereku i  parë i  shek. XIX).
Në këtë kontekst, periudha ekfonetike është dhe periudha me një vlerë të shtuar historike e dokumentare, pasi është pikënisja nga mori udhën dhe “rrugëtoi” shkrimi e këndimi bizantin në shekuj. 
Me termin ekfonetik nënkuptohet ai sistem i shenjave - neumave, me të cilin shkruhet melodia dhe këndohen perikopetë e ungjijve. Në kuptimin etimologjik, termi ekfonetik do të thotë “Lexim me zë të lartë”, term i perdorur nga dijetari grek Tzetzes [2], ndërsa bizantologu i njohur Tardo bën një shpjegim pak më të ndryshëm, kur pohon se “ekfonesis quhet lutja apo mbyllja e lutjes” të cilën prifti e thotë me zë të lartë dhe të moduluar lehtë d.m.th.ekfonos”[3]. Në këtë kontekst, njësërë studiuesish e pohojnë se ndryshe ky shkrim është quajtur edhe shkrimi i të kënduarit recitativ, pasi në këtë periudhë, meloditë bizantine ekfonetike, ndërtoheshin mbi një karakter të theksuar recitativ, gjë që rridhte nga mënyra e leximit dhe njëkohësisht e këndimit të teksteve liturgjike, ku melodite ishin quasi parlando[4]. Interpretimi në këtë mënyrë i tekstit letrar, qëndron në kufirin midis tekstit të folur dhe melodisë së kënduar.
Muzikalisht ky stil ka dy forma:
e para është një formë recitative e pastër (recto tono), në të cilën teksti liturgjik këndohet
mbi një tingull të vetëm, ku ritmi rrjedh nga ritmi i fjalës dhe ai i prozodisë;
e dyta: recitative i pastër (recto tono) shoqërohet me lëvizje të vogla melodike dhe zhvillohet quasi cantanto. Karakteri i ketij recitativi është solemn dhe deklamues si dhe me nuanca të theksuara retorizmi. Për karakterin e tij gati parlando, por dhe për mënyrën e lirë të interpretimit (ndalesat gjatë leximit dhe këndimit liturgjik) ritmi i kësaj melodie deklamuese është parlando rubato.   
Për ta qartësuar më tepër këtë aspekt, trajta ritmike e stilit recitativ nuk është e përcaktuar mirë, pasi nuk ka strukturë ritmike të përcaktuar (dhe aq më tepër, përcaktime të lëvizjes, tempit ose metrit, të cilat saktësohen vetëm në periudhën e pestë krisantine). Por, këndimi realizohet, siç e pohuam më sipër, duke kombinuar ritmin e fjalës me atë prozodik.
Shkrimi muzikor ekfonetik është mbështetur tek thekset gramatikore të gjuhës greke, konkretisht, tek theksi akut - okseja ( / ) dhe theksi grav - vareja ( \ ), ndërsa apostrofi
( > ) është i përbashkët për të dy sistemet, si atë muzikor dhe atë prozodik.
Këto janë dhe 3 nga 9 shenjat e thjeshta te shkrimit ekfonetik, ku së bashku me 6 shenjat e përbëra, e çojnë në 15 numrin e neumave të kësaj periudhe (shih në fund të punimit: tabela nr. 1 kuptimore e neumave ekfonetike). Pavarësisht grupimeve të studiuesve dhe qëndrimeve të ndryshme që ata mbajnë në lidhje me kuptimin muzikor të shenjave, S. Shupo në librin e tij Muzika bizantine, Shkrimi muzikor dhe sistemi modal, arrin në konkluzionin se “që të gjithë studiuesit bien dakord për një gjë: këto shenja nuk kanë karakter diastematik, pra nuk tregojnë lëvizje intervalore. Ato tregojnë tinguj me lartësi pak a shumë të fiksuara në raport me një tingull referencë (tingullin bazë, tonikën)”[5]. Vecohet vetëm njëra prej shenjave që ka karakter diastematik (vjen nga fjala greke dhiasmos që do të thotë interval) dhe është apostrofi, që tregon një sekundë zbritëse nga tingulli bazë, pra është i përcaktuar kuptimi i tij intervalor.Vlerat intonative të tingujve të tjerë përcaktohen duke marrë si referencë tingullin bazë nisëtor - kathistin, i përcaktuar me tingullin do; dhe telenë - si shenjë finale – tonikë. Por, siç pohon S. Shupo tek libri i tij i cituar më sipër, “ky përfundim është arritur duke studiuar pozicionin e shenjave në raport me rrokjet e fjalës dhe pjesët e fjalisë…”[6]. 
Ky shkrim, në këtë periudhë, është në hapat e parë të tij, prandaj dhe haset shumë më i thjeshtë nga pikëpamja e kombinacioneve të shenjave-neumave në perikopetë e ungjijve, (shenjat ekfonetike përdoren gjithmonë të ciftëzuara përmes mënyrave të ndryshme të kombinacioneve shenjë me shenjë) sesa në periudhat e mëvonëshme kur numri i tyre rritet deri në absurditet (u shtuan edhe shenjat kironomike - art i të drejtuarit të korit me gjeste) prandaj ishte tepër e nevojshme reforma që mban emrin e Jan Kukuzelit (në periudhën e katërt).
Neumat ekfonetike zakonisht shkruhen me ngjyrë të kuqe, por hasen edhe neuma me ngjyrë vishnje si dhe me ngjyrë blu apo të zezë (si tek kodikët e periudhës ekfonetike në AQSH). Neumat vendosen sipër (okseja, vareja, kremasti, paraklitiqia, sirmantiqia, okseja e dyfishtë, vareja e dyfishtë) duke treguar ngritje të intonacionit; poshtë (apostrofi, kathisti) tregojnë ulje të intonacionit por edhe anash (në mes) të fjalëve (hipokrisis) ose në mbarim (kentimata) apo në fund (mbyllje finale) të frazave e fjalive të tekstit liturgjik (teleja). Ato shkruhen përgjatë tekstit me qëllim që ti kujtojnë psalltëve melodinë që do të shoqërojë tekstin (pra ka karakter mnemoteknik - kujtesor) dhe, siç përkufizon studiuesi rumun Pantiru “të theksojë vendet e ndryshme të pjesëve të shkruara dhe të tregojë mënyrën e modulimit sipas rëndësisë dhe vendit të tyrë”[7].  
Për transkriptimin e shenjëzimit ekfonetik në pentagram, përdoren vlerat e notave 1/8 për një neumë të thjeshtë, 1/4 për neumën fundore - tonikën (telenë) si dhe grupetet me vlerat përbërëse 1/16 dhe 1/32 (për sirmantiqinë - shenjë ornamentale); ndërsa tek neumat e dyfishta, dyfishohet vlera sipas kuptimit të tyre.  
Paraqitja grafike e neumave muzikore është e veçantë dhe specifike për secilën shenjë, pavarësisht mënyrës kaligrafike të shkrimit e cila varion. Operohet përmes vijave të pjerrëta me kulm të anuar me thep apo të lakuar, lart apo poshtë, të thjeshta apo të dyfishta; zig-zageve dyshe apo treshe vertikale dhe tri pikave horizontale të shenjave të përbëra; pikës ose kryqit (për tonikën) që shkruhet dhe me ngjyrë ari si shenjë finale. Kaligrafia ndryshon jo vetem nga një dorëshkrim në tjetrin por, edhe brenda të njëjtit dorëshkrim, p.sh, kur kanë marrë pjesë dy ose tre shkrues, stili kaligrafik i tyre është i ndryshëm. Ky kalim nga njëri shkrues në tjetrin konsiston në dy vecori shumë të rëndësishme për studimin e neumave të periudhave të ndryshme si dhe në përcaktimin sa më të afërt ose sa më të saktë të ndryshimeve brenda një periudhe por, edhe nga periudha në periudhë: e para kur mbi shkrimin ekzistues ka mbivendosje (palimpsest) dhe e dyta kur ka shtim neumash në vazhdim (në të njejtën faqe ose në faqe të tjera), të cilat përcaktohen nga ndryshimi kaligrafik dhe (në disa raste) i ngjyrës. Këto karakteristika tregojnë për një evoluim të këtyre shenjave dhe përsosjen e tyre nga njëri shekull në tjetrin (shih në fund të punimit: tabela nr. 2 e ndryshimeve kaligrafike, mbështetur tek tabela e L. Tardos, op., cit., tabela II, por e pasuruar më tej me forma kaligrafike të neumave të gjetura në të tjerë kodikë).

2. Fondi i dorëshkrimeve muzikore në AQSH

Të gjitha këto që u parashtruan më sipër, janë karaktristika që gjenden të pasqyruara edhe në dorëshkrimet e muzikes bizantine, konkretisht në dorëshkrimet ekfonetike që gjenden në AQSH. Këto dorëshkrime, janë pjesë e fondit të dorëshkrimeve ose kodikëve (tekste liturgjike me neuma bizantine) që disponon Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar në fondin me numër 488 (më parë njihej si fondi 888). Gjithsej janë 18 kodikë të periudhave të ndryshme të shkrimit muzikor bizantin (duke përfshirë edhe Kodikun e Purpurt të Beratit,“Beratinus-1” shek. VI, në të cilin, së fundmi, janë gjetur neuma bizantine në fletët 145, 111,156 (ku tek kjo e fundit, neumat janë tepër arkaike të periudhës ekfonetike) sipas S. Shupo tek botimi “Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor në Shqipëri” Neumat ekfonetike në Kodikun e Purpurt, Shek. VI [8] si dhe 2 fragmente kodikësh me neuma ekfonetike, përkatësisht kodiku i Beratit nr. 2 dhe kodiku i Voskopojës nr. 5, nga 17 fragmentet e kodikëve të AQSH-së) për të cilët janë dhënë të dhëna me interes në studimin monografik të Sh. Sinanit: Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e botës”[9].
Kodikët e AQSH-së që kanë neuma ekfonetike sipas numrit rendor të AQSH-së janë:

1. Kodiku i Purpurt i Beratit  nr.   1   shek.    VI                   dy ungjijsh
2. Kodiku i Beratit                    nr.   3   shek.    IX                    perikope ungjijsh
3. Kodiku i Vlorës                     nr.   7    shek.   XI                    perikope ungjijsh
4. Kodiku i Beratit                    nr.   8    shek.   XI                    perikope ungjijsh
5. Kodiku i Beratit                    nr. 15    shek.   XII-XIII          katërungjill
6. Kodiku i Beratit                    nr. 16    shek.   XIII                 perikope ungjijsh              
7. Kodiku i Beratit                    nr. 21    shek.   XII  (1181)   perikope  ungjijsh
8. Kodiku i Beratit                    nr. 26    shek.   XIV                 katërungjll
9. Kodiku i Beratit                    nr. 89    shek.   XIV                 perikope ungjijsh

Do të ndalemi, në objektin tonë të shqyrtimit, tek 8 kodikët ekfonetikë, duke filluar nga kodiku i Beratit nr. 3 (pa u ndalur tek Beratinus-1, për të cilin tashmë ekziston botimi i S. Shupos, dhe as tek 2 fragmentet). Këta kodikë ekfonetikë i perkasin periudhës së shekujve IX-XIV dhe janë dorëshkrime biblike (ungjillore). Te dhëna të plota përshkrimore (pasaportat e tyre) janë tashmë të botuara në “Kodikët e Shqipërisë” [10] si dhe tek botimi i Sh. Sinanit, i përmendur më sipër (Kreu II, f. 79 e vijim).

3. Te dhënat dhe vecoritë e shkrimit muzikor ekfonetik në këto dorëshkrime *

Kodiku i Beratit nr. 3. shek. IX. Perikope ungjijsh në pergamenë, 145 fletë.
Përmasat: 28 x 18 cm.

Ky kodik ështe një perikope ungjish e fragmentarizuar.
Teksti liturgjik është në dy kolona për fletë, i shkruar në greqishten e vjetër.
Shkrimi i tekstit është gërmëmadh dhe bën pjesë në familjen e ungjijve gërmëmëdhenj (maiuscule), po ashtu edhe shkrimi muzikor ekfonetik, duke i’u përshtatur atij të tekstit. Ngjyra e shkrimit të tekstit është kafe, ndërsa titujt janë me ngjyrë kafe në të kuqe.
Kodiku ka pësuar shumë dëmtime: vihen re ngrënie, hollim, vrima, grisje të pergamenës, çngjyrosje te shkrimit si dhe janë zhdukur shkronja të tekstit (bashkë me to edhe neuma). Fletët paraqiten të valëzuara, për shkak të lagështirës. 
Në këte kodik, përdoren këto shenja ekfonetike sipas daljes së tyre për herë të parë në tekst:
kathisti, okseja, teleja, vareja, paraklitiqia, apostrofi, okseja dyfishtë, vareja dyfishtë, kentimata (me tre, por nganjëhere edhe me dy pika horizontale) hipokrisis, sirmantiqia dhe kremasti.Vihen re luhatje të shkrimit p.sh: në fletën 18 shkrimi është më i hollë e më i dendur, kurse në fletën 20 është si në fillim; në fletën 23 përsëri bëhet i dendur, kurse në fletën 109 është përseri si në fillim. Luhatje të tilla ka edhe në mes të fletëve të tjera të tekstit. Njëkohësisht me kaligrafinë e tekstit ndryshon edhe ai ekfonetik, ku disa shenja bëhen më të lakuara (rrumbullakosura në këndet) siç janë okseja, apostrofi e kremasti, ndërsa kathisti bëhet më i mprehtë, me një kaligrafi me cepa, duke e humbur lakueshmërinë e fillimit.

Kodiku i Vlorës nr. 7. shek. XI. Perikope ungjijsh në pergamenë, 287 fletë.
Përmasat: 27 x 22.3 cm.

Kodiku përmban perikope ungjijsh, fragmente relativisht të plota.
Teksti liturgjik është në dy kolona për fletë, me 21 rreshta, në greqishten e vjeter.
Bën pjesë në familjen e ungjijve gërmëvegjël (minuscule), shkruar me ngjyrë kafe (një pjesë e tij është prej ari) kurse shkrimi muzikor ekfonetik është me ngjyrë të kuqe.
Kodiku ka pësuar dëmtime të tilla si brejtje nga insektet, zbehje të tekstit, grisje, prerje, shqitje, të cilat janë prezente në fletë të ndryshme të tij. Në këtë kodik neumat muzikore ekfonetike janë shkruar sipër, poshtë dhe në mes të pjesëve të tekstit si p.sh, hipokrisis, e cila është një neumë vertikale që vendin e saj e ka më shumë në mes dhe më rralle anash kolonës së tekstit.
Në disa fletë shkrimi me ngjyrë të kuqe nuk është shumë i dallueshëm pasi mendohet se shkruesi ka përdorur të njëjtën penë si për tekstin ashtu edhe për neumat ekfonetike, por e ka ngjyer në dy bojra të ndryshme. Kjo vihet re që në pjesën e parë të ungjillit, tek disa prej gërmave të teksit ku ngjyra e kuqe është më e dallueshme se ngjyra kafe.
Kaligrafia e neumave muzikore është më e lakuar (më e rrumbullakosur) me bishta më të shkurtër dhe ka ngjashmeri me kaligrafinë e kodikut të Beratit nr. 8, të cilin do ta shqyrtojmë në vijim. Konkretisht, kjo ngjashmëri bie në sy në fletët 43 dhe 184.
Diferencohen vetëm në kombinimet e ndryshme të neumave ekfonetike. Një arsye e ngjashmërise kaligrafike me kodikun e Beratit nr. 8 mund të jetë, pasi të dy kodikët konkludohet se janë shkruar në të njëjtin shekull. 
Ndërsa studiuesi Sh. Sinani pohon, përmes te dhënave, një tjetër fakt se në listën e kodikëve të Fondit 488 të AQSH-së si dhe në “Katalogun….” e Th. Popës vlerësohet si kodik i gjetur në Berat dhe ka ngjashmëri me kodikun e 4-t dhe të 5-të të Beratit[11] që janë kodikë të shek. X (kjo në lidhje me tekstin liturgjik).