Showing posts with label Ion D. Sîrbu. Show all posts
Showing posts with label Ion D. Sîrbu. Show all posts

Ion D. Sîrbu: Nën sundimin e barbarëve

Po nis të bindem se Perëndimi ka ndihmuar ndjeshëm në rënien e Kostandinopojës[1]. Për më shumë se 200 vjet, nga e para e ashtuquajtur Kryqëzatë, sulmet e tij nuk rreshtën. U gëzua kur, më në fund, Kështjella e Kështjellave ra në dorën e turqve dhe jo të venecianëve apo gjenovezëve, rivalë e konkurrentë. Po ashtu do të qe gëzuar edhe nëse Vjena pushtohej pas atij rrethimi të gjatë. // Evropa lindore ka qënë gjithmonë e braktisur dhe e tradhëtuar nga Perëndimi në çastet e saj më tragjike. S’mund të mos bëj tani një lidhje mes vitit 271, kur Aureliani[2] i tërhoqi trupat nga Dakia (duke na lënë për 1000 vjen nën sundimin e barbarëve) dhe Komisioneve aleate të kontrollit, angleze e amerikane, të cilat, pas Jaltës, na braktisën me gjithsej, duke na lënë t’i zgjidhim gjërat vetë. U propozua zbarkimi i aleatëve në Ballkan: po pse u zgjodh Normandia, kur, në fakt, këtu vendosej fati i luftës dhe fati i politikës së botës pas lufte!?"[3] 


[1] Ish kryeqyteti i Perandorisë Bizantine (Κωνσταντινούπολις), Stambolli i sotëm, quajtur edhe Kështjella e Kështjellave. Stamboll vjen nga εις την πόλιν / εis ton poli ( qytet, drejt qytetit – gr.)
[2] Lucius Domitius Aurelianus Augustus; 9 shtator 214, ose 215 – shtator, ose tetor 275) perandor i Romës mes viteve 270-275.
[3] Gazeta / Ditari e/i një gazetari..., vep. cit., f. 105-106. Në faqen 180, me gojën e personazhit Plaku, autori shton: „Jemi shfaqur si komb në skajin lindor të Evropës... Tani po kuptojmë se jemi shfaqur, në fakt, në fundin perëndimor të kësaj Evrope”.

ION D. SÎRBU: Izma / Isme

Përmes vdekjes, ajo që është universale në unin tonë i rikthehet, ose i shtohet njësisë, ashtu siç bula e vesës kthehet në oqean...

Vetëm kush di të vdesë meriton të jetojë!

Pushteti është gjithmonë i djathtë. E majta mbetet e majtë vetëm për aq kohë sa ëndërron, ose lufton për pushtet; me ta shtënë në dorë atë pushtet (dhe në rastin e saj s’mund të jetë fjala veçse për pushtetin Total), dalngadalë, falë qënies së gjërave (dhe të njerëzve), ajo kalon, qetë, por me siguri, drejt së djathtës (nacionalizëm, shovinizëm, autoktonizëm, protokronizëm, ksenofobi). Nga ky çast, tek e majta nuk mbeten veçse vejushat, jetimët, librarët vetmitarë, disa ish-mësues, shumica e komunistëve naivë, tepër sentimentalë, ose tepër të kulturuar.

Mbase Historisë, konceptuar si një lumë i kujtesës kolektive, i shpëton, gjatë çasteve të veta të mjegullta, nga një fletë në erë; dhe atëbotë, ajo fletë e harruar, tashmë e jetuar, mund të na fanitet si ndonjë vegim, vizion, zgjidhje përfundimtare... Për shembull, duket se tani po jetojmë duke rijetuar një kapitull nga epoka fanariote.
[Nga interneti]