Kur lexoi pa syze fjalën prekëse dhe plot brumë për 85-vjetorin e Dritëro Agollit, në konferencën e zhvilluar këto ditë në Akademinë e Shkencave, personi numur 1 i këtij institucioni, akademiku Muzafer Korkuti, tregoi vitalitet për moshën që ka. Ky burrë, megjithse është marrë me arkeologjinë, me lashtësinë, pra me gjërat “e vjetra”, përherë ka qenë në kërkim të së resë, të përparimtares, i hapur ndaj zhvillimeve shkencore në shkallë botërore. Të tillë e kam njohur nga afër dhe, si të gjithë, e kam çmuar gjatë mbi një dekade që kam pasur nderin të punoj në Akademi.
I lindur në Fterrë më 1936, përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe u specializua si arkeolog në fushën e parahistorisë. Për mbi dyzet vjet ai ka drejtuar gërmime në mbi 15 qendra para dhe protohistorike. Krahas veprave “Parailirët, ilirët, arbërit: histori e shkurtër”, “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri” dhe vepra të tjera, Muzafer Korkuti ka botuar dhjetra artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, është bashkautor i teksteve universitare “Arkeologjia”, “Historia e popullit shqiptar”, “Les illyriens” dhe ka qenë mësimdhënës në universitetet e Tiranës e të Prishtinës e i ftuar në Paris (Francë), në Hajdelberg e Munster (Gjermani), në Romë, Pizë, Bari e Bolonjë (Itali), Çinçinati (SHBA) etj. Korkuti ka marrë pjesë me kumtesa e referate shkencore në shumë simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare. Për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e drejtorit të Institutit të Arkeologjisë e të kryeredaktorit të revistës “Iliria” dhe është anëtar korrespondent i Institutit Arkeologjik Gjerman. Qysh nga viti 2013, është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Por më fort se numuri i veprave të botuara, bie në sy paleta mjaft e gjerë e erudicionit të tij. Mendimi shkencor i Korkutit praktikisht përbën një enciklopedi njohurish në një hap me përparimet e shënuara në shkencat që kanë objekt lashtësinë.