Showing posts with label Dionis Qirzidhi. Show all posts
Showing posts with label Dionis Qirzidhi. Show all posts

DIONIS QIRZIDHI: Nga jeta e Bajronit... (Din viaţa lui Byron)


Ky libër nuk ka si qëllim historinë e jetës së furishme të Bajronit: poet dhe personazh, as të bëjë analizën e veprës së tij. Me anë të këtij libri, pas leximit të dhjetëra biografive, monografive, studimeve, do të përpiqemi të tregojmë jo vetëm të thënat, por sidomos të pathënat, të njohurat, por dhe të panjohurat për lexuesin kureshtar; misteret që e shndërruan shtegtarin e dashurisë në simbol të shtegtarit të lirisë.

Një kreshtë dallge e lirë e cila udhëtonte nëpër vite lufte, atje ku e drejtonin erërat poetike, përplasej shkëmbinjve buzë Jonit. Mes shkulmeve të dallgëve, ashtu si në mitet, përlind “Afërditën bajroniane”, Çajlld Haroldin. Ngjitet majë Alpeve, haplehtë buzë liqenit Leman dhe grykës së Ronit: “Vendlindja e dashurisë për natyrën”. Kalëron prej Po-së në Arno. Tek “Ura e Psherëtimave”, në Venedik, këndon me gondolierët kanconeta me vargje të Turquato Tassos. Mban iso në këngën korale me Të rreptët bijt’ e shqipes!”Bo-bo-bo-bo-bo-bo-bo, Burra, Burra...”. Mediton tek shushurima e Aousës[1] së lashtë. Fle, ku e zë nata; pranë zjarrit, mbuluar me gunën e bariut. Herë mbi rrogoz o mbi hejbet, me kacekë me lëkurë dhie plot me verë. Nga dritaret e vogla të shtëpive të mikpritësve të tij: pamjet e korijeve plot koçimare. Fshatrat i sodit, ashtu siç i ka përshkruar Virgjili: “brofnin si dhitë e varura ndër shkëmbinj”.[2] Mëngjesi e gjen në pallat, mbrëmja në kasolle lopësh. Të nesërmen me një admiral. Muzgu i hirtë i dimrit, me kleftët.

URA LIDHËSE / PUNŢI DE LEGĂTURĂ

Dionis Qirzidhi
Nikos Engonopulos – miku i harruar i Shqipërisë
Esse


Himn lavdimtar për gratë që dashurojmë
Dans les peuples vraiment libres, les femmes sont libres et adorées.

Saint-Just
gratë që dashurojmë janë si shegët
vijnë e na gjejnë
netëve
kur bie shi
me gjinjtë e tyre na shfuqizojnë vetminë
na depërtojnë thellë brenda flokëve tanë
dhe i zbukurojnë
si lotë
si bregdete të shndritshme
si shegë

gratë që dashurojmë janë mjelma
parqet e tyre
rrojnë vetëm brenda zemrës sonë
pendët e tyre
janë flatrat e engjëjve
shtatoret e tyre janë kurmi ynë
vargjet e bukura të pemëve janë vetë ato
ngritur në majë të këmbëve të tyre
të lehta
na afrohen
dhe duket sikur na puthin
në sy
mjelmat

gratë që dashurojmë janë liqene
në kallamishtet e tyre
buzët tona të flakta fishkëllejnë
zogjtë tanë të bukur notojnë nëpër ujërat e tyre
dhe pastaj
si fluturojnë
i pasqyrojnë
krenare siç janë
liqenet
dhe brigjeve të tyre janë lirat e bardha
që muzika e tyre mbyt brenda nesh
hidhërimet
dhe si na e përfshijnë qenien
gëzimi
kthjelltësia
gratë që dashurojmë janë
liqene

gratë që dashurojmë janë si flamujt
valëviten mes erërave të dëshirës
leshrat e tyre të gjata
ndriçojnë
netëve
mes pëllëmbëve të ngrohta mbajnë
jetën tonë
barqet i kanë të buta
kubeja qiellore
dyert tona
dritaret tona
janë flotat
yjet tanë vazhdimisht jetojnë pranë tyre
ngjyrat i kanë
fjalë dashurie
buzët i
kanë
si diell e hënë
dhe veç pëlhurë e tyre na shkon si savan
më së mbari:
gratë që dashurojmë janë si flamujt.

gratë që dashurojmë janë si pyjet
çdo pemë e tyre është dhe një kumt dëshire
tek mes këso pyjesh
na endshin
hapat tanë
dhe humbshim
është pikërisht
atëherë

kur gjejmë veten tonë
dhe rrojmë
dhe pse së largu dëgjojmë të vijnë furtunat
ose na i sjell
suferina
muzikat dhe zhurmat
e festës
ose fyejt e rrezikut
asgjë - natyrisht - nuk mund të na trembë
tek na është mburojë e sigurtë
gjethimi i dendur
meqë gratë që dashurojmë janë si pyjet

gratë që dashurojmë janë si limane
(qëllim i vetëm
pikëmbërritje
e anijeve tona të bukura)
sytë e tyre
janë dallgëthyeset
supet e tyre janë fari
i gëzimit
kofshët e tyre
një sërë amforash në mol
këmbët e tyre
faret
tanë
të dhimbsur
përmalluesit i quajnë Katerina -
janë valët e tyre
ledhatime të shkëlqyera
sirenat që nuk na gënjejnë
veç
rrugën
na kallëzojnë
miqësisht -
drejt limaneve: gratë që dashurojmë

gratë që dashurojmë kanë thelb hyjnor
dhe kur në gji shtrënguar
i mbajmë
ne bëhemi njësh me zotat
rrimë në këmbë si kulla të egra
asgjë nuk ka më të fortë të na trandë
me duart e tyre të bardha
ato
mbërthehen rreth nesh
dhe vijnë gjithë popujt
e kombet
për të na u lutur
e britur
të pavdekshëm
ndër shekuj
emrin tonë
sepse gratë që dashurojmë
e tejçojnë
dhe ndër ne
këtë thelb
të tyre
hyjnor

(Nga libri «Poezi», Niko Engonopulos, Vëll. II, ff. 142-146)

Përkthyer nga ARISTOTEL SPIRO

Niko Engonopulos, I dashuruar me Shqipërinë

Shpesh kam pyetur veten: Përse në krijimtarinë e Engonopulos, frymëzimin e tij e ka të sendërsuar tek Elbasani? Përse ky qytet motërzohet në kalvarin e krijimtarisë me frikën dhe ankthin e vdekjes e mandej si kumtar prej sajesave të fantazisë qyteti vetëçliron ngrohtësi ndjenjësore e metamorfozet në Thagmë (Mrekulli)?

Atje, në Elbasan
ku shtëpitë janë të krijuara prej zjarreve
dhe banorët jetojnë mes flakëve
digjen vazhdimisht
dhe rilindin përherë
nga hiri i tyre
identike
me zogun feniks.


Përse, në rrokopujën e lëmshit të kujtesës korelacionet poetike tek Engonopulos, Shqipëria si lejmotiv përsëriten e përsëriten e sublimohet tek krijimatria e tij duke vetëçliruar dritë mendimi?

-Po çfarë ke që gozhdohesh që në mëngjes?
-Oh, asgjë… asgjë. Flisja me Homerin
-Me Homerin, poetin?
-Po, me Homerin poetin, dhe me një Homer tjetër nga Voskopoja, që jetonte gjithë jetën lart në pemët, si zog, e që ishte i njohur si “njeri i urës” nga fqinjët që banojnë pranë liqenit.

Engonopulos, kur shkruan me fantazinë e tij suraliste për Homerin e Voskopojës që jetonte mbi pemë si zogjtë, epërsia e demiurgut qëndron përmbi harrimin e vdekjen. Na kujton se Voskopoja ka qënë Akademi; aty janë afresket e David Selenicës; më poshtë janë varret e gdhëndura në shkëmb në Selcën e poshtme. Ç’mitër kohe, ç’epsh gatiti shpërfilltas një lulëzim të ri në mes dhimbjesh, duke vringëllirë daltën në shkëmb?
Vetëm dalta, me tingëllim të shurdhët, dhe emri Mekos, u gdhëndën në sarkofagun e ngurtë nga një dorë skalitësi ilir…
Në sokakët e Elbasanit, poeti nuk mbart me vete mohimin e vdekjes dhe as është “vetë ai mohimi i vdekjes”. Në imazhin surrealist të tij nuk shtiret se vdekja është gjoja mohim, lojë apo simbol.
“Sokakët në Elbasan janë të paimagjinueshme të ngushta, dhe nga çdo anë ngrihen mure të zhveshura, tepër të larta, që thuajse, arrijnë afër qiellit. As deriçkë nuk sheh syri gjëkundi, dhe sigurisht as ndonjë degë peme që t’i kalojë”
Pushteti i frikës ishte identik me pushtetin surrealist të peizazhit, e gjithë qenia fërgëllonte nga tmerri e ankthi. Pa kuptuar ato hidhnin rrjetat e tyre për të kapur në kurth viktimën. Para vështrimit të trembur e mureve të zhveshur, që vetiu mund të shkaktojnë panik, ndjen nostalgji për “qetësinë shpirtërore që mbretëron në zemrën e tij” dhe për “këngët nga koha e feminise” që i këndon “nëpër dhëmbë”

“Pa pritur një ankth që nuk mund të shprehet pllakosi ligështoi zemrën time. Njerëzit nuk kishin sy! I kisha vënë re me kujdes: më shqetësonte vështrimi i tyre! Frika më ndaloi, më gozhdoi, për një fare kohe, për shumë kohë, atje, krejt i palëvizshëm, pa bërë zë. Kur munda disi të lëviz, të vrapoj, e më në fund të kuptoj, pashë me tmerr, ndërsa i ndiqja nga pas, se ata sa ktheheshin tek qoshja, më humbisnin si ëndrra… Humbisnin, që të rishfaqeshin në qoshen tjetër, nga ishin nisur të patundur në rrugën e tyre...
Nuk ekzistonte më asnjë dyshim. Një mashtrim i padëgjuar luhej në kurizin tim. Kuptova se pa e ditur, kisha rënë viktimë e një kurthi të tmerrshëm… E u ula në shesh dhe qava, qava hidhur.”

Poezia rilind nga pavdeksia e poetëve, sepse vdekja ka muzikën në mes, është si pezmatimi i trurit, meningjiti, ashtu si në psikonalizën e fantazmave.
“Shqiptarogreku i famshëm… Mrekullia e Elbasanit!” - i drejtohet poetit, miku i tij Andreas Empirikos.
Një nga të afërmit i thotë poetit: Po më çudit: Nga ku deri ku je Arvanit dhe Kostandinopolit?!
Mes buzëqeshjes duke picëruar sytë, ai i përgjigjet: Do që të thuash se jam pakëz Kozmopolit?
Pas shumë vitesh bashkëbiseduesi e kujton këtë dialog dhe thotë: Nikua me të gjithë kuptimin e fjalës atë nënkuptonte me krenari: Kosmopolit.
Poetin mund ta supozojmë me origjinë arvanitase. Nëse vëzhgojmë pemën gjaneologjike të tij, gjejmë: Babai i Niko Engonopulos, Panajoti është me orgjinë nga Hidhra i vendosur në Kostandinopol, që prej shekullit XVII-të. I jati i të ëmës, Nikolla ishte nga Himara, i cili i flet për të bëmat e Gjergj Kastriot-Skënderbeut. E jëma, Enerieta nga ishulli i Hidrës, bijë e Penellopit, një nga të 14 vajzat e Dhimitër-Frederik Shmit, gjerman që mbreti Othon e mori si kryemjeshtër për Kopështin e Mbretërisë. Enerieta, e ëma e poetit, vajzërin e kaloi në lagjen poshtë Akropolit,që në atë kohë popullohej nga banorët shqipëfolës, ndaj dhe e emëruan lagjia e Plakave, Pllaka e sotme.
Nikos Engonopulos pasi mbaroi gjimnazin në Athinë, vazhdon liceun në Paris. Në kujtimet e shkruara nga vet ai, shënon:
“Burimi im poetik ishte Haxhi Shereti, oborrtari i Ali Pashës. E zbulova rastësisht në një nga bibliotekat e xhaxhait tim në Paris…
Kur e lexova mbeta pagojë. E kini lexuar? Është Alipashiada ku Haxhi-Shereti e nis poemën e tij në këtë mënyrë:

Ëndrrat, shpirti më thërrasin, t’u rrëfej, t’u them ca fjalë
Ndaj ia nisa radhë të shkruaj për këdo që është gjallë
Mora letën edhe pendën, thellë dëshira më vëlon
Ah, kjo zemër më ka dhimbje, shpirti brënda më kullon…


Më imagjinoni, të ushqyer me parimet evropiane të durimit se çfarë përshtypje më bëri! Se dua të them, në vitet e shkollës në Paris ai më pati mrekulluar e thyer nga që më shfaqte të vërtetën e përjetshme. Kur lexova Alipashiadën thashë ajo është Art poetica greke. E largon dhe përzë llogjikën e ftohtë, mbështetet në mungesën e logjikës, na fton të zbulojmë dashurinë edhe fantastiken. E ç’është logjika? Sot jemi e nuk jemi. E vetmja arsye është llogjika që nesër nuk do të egzistojmë. “Dhe më errësohet dynjaja e shpesh budallepsem,” thotë Haxhi-Shereti. Të gjitha të tjerat janë parallogjizma. Akuzojnë surealizmin se nuk ka lidhje me jetën, dhe se është i pakuptueshëm. Po jeta është e kuptueshme? A s’është edhe kjo parallogjizëm?”
Në një shënim tjetër ai thotë:
“Të mëdhenjtë e mi: Solomon, Holderlin, Bodler, Haxhi-Sherreti, Malarme… dhe gjithë francezët që “ditën t’i japin çastit përjetësi”, siç thoshte Gëte. Të gjithë ata ma zbukuran qiellin tim të natës e ma bënë natën ditë. Surealizmin e kisha përbrenda që kur linda… Por, isha i lumtur që njoha artistët e mëdhenj surealistë si Empirikon, De Kirikon dhe mësuesin tim Paul Klee...”
Siç shihet nga më të mëdhenjt që kanë ndikuar në krijimtarinë e tij është dhe poeti shqiptar Haxhi-Sherreti, oborrtar i Ali Pashës.
Ky sensibilitet psikoshpirtëror, me një tipologji të investiguesit të shpirtërave, iu bë më ndjellëse kur shkon në luftë në trojet shqiptare.
Ai është ushtar në rreshtat e para të luftës. Imazhin e luftës e përshkruan përsëri në mënyrë surealiste: “Më dërguan në “vijën e zjarrit” që me përdhunë më mbajtën atje deri në fund të luftës; aty ku më qarkonin kufomat… dhe ushtarët loznin biz.”
“Pas luftimeve të përgjakëshme më 13 prill 1941, - shkruan në kujtimet e tija, - u zura rrob nga gjermanët, të cilët mandej më çuan në “kampet e punës”, ku arratisem e udhëtoj me këmbë nëpër gjithë Greqinë, derisa rikthehem përsëri tek i njëjti vend.
Empiriko me strehoi në shtëpin e tij në Athinë. Ai karakterizohej nga virtyti i mirësisë së natyrëshme, nga pasioni për psikonalizën, poezinë, artin dhe të bukurën, si dhe maninë për pullat e postës… Empiriko u dha strehë shumë të përndjekurve në vitet e frikëshme të pushtimit. Gjithçka i detyrohet atij: mendja dhe zemra ime! ”
Në pyllin e këngës të Engonopulos është si jeta ashtu dhe vdekja e poetit.
Në vitet e pushtimit, 1942-43, me imazhet e luftës, pranë fantazmës së heroit mitik Tezeut, bëjnë fole, tek frymëzimi i tij, dy figura, Odise Andruci dhe Simon Bolivari. Figura e të dytit plotësohet nga fantazia e poetit me imazhe surealiste, duke lozur e gërshetuar herë se ishte nga Bolivia, edhe ndërkohë ishte kudo, vërvitesh maleve nga Hidra e gjer në Meksikë. Një luftëtarë i lirisë, i bukur si grek, që sillej qiejve si Apolloni... Ndërsa i pari është hero real, i njohur i Pavarësisë, arvanitasi nga Hidra, Odise Andruci, e siç e vlerëson poeti “një nga figurat dominante të historisë njerëzore”. Liria kërkon virtyt dhe guxim” - ky është mesazhi i poetit i përcjellë nëpër kohëra.
Andreas Empirikos e vlerëson i pari poemën e mikut të tij, dhe i thotë në mënyrë patetike: “Nikos Engonopulos! Shkëmb i ashpër i Elbasanit dhe dantellë e butë gjelbëroshe e Bosfori, të përshëndes shqiptarçe, me dorën time të djathtë përmbi zemër, dhe pëllëmbën time të ngrohtë të shtrirë paralelisht në cilëndo tokë që shkel… Shqiptarogreku i famshëm... Mrekullia e Elbasanit!”
Psikoanalisti Empirikos, ka dhe ai peripecitë e tij në luftën civile (1946-1949), ku Niko pati dezertuar, për të mos marrë pjesë në atë luftë vëllavrasëse, ku Greqia në vend të korrte frytet e fitores, u ndodh edhe njëherë tjetër në vorbullën e përçarjes. Miku i tij, Empirikos, si bir armatori, kapet nga forcat e EAM-it, të cilat marrin vendim për ta pushkatuar. Ai mundi që të arratisej dhe të emigrojë në Francë.
Me pasionet e tij të furishme, njeh në Zyrih të Zvicrës, studenten bukuroshe nga Përmeti, Vivika Zisi dhe zbulon tek ajo Beatriçen, të cilën do ta hymnizonte.
Julia Kristeva, semiologe dhe psikanaliste bullgare, që jeton sot në Paris, e ka si shembull në historitë e dashurisë për “këta aventurierë të psikizmit që quhen shkrimtarë, që shkojnë në fund të natës, aty ku dashuritë tona nuk guxojnë të rrezikohen.”
Miltos Sahturis, një nga poetët e mëdhenj grekë, shkruan për Engonopulon se ai është ndër më të diturit. Elitis shkruan: “Askush s’e njeh më mirë se ai poezinë franceze.”
Poezia lirike e Engonopulos është vizionare, me fjalë që sheh, përcepton imazhe, ngjyra krijon një gjendje habie e mahnitje. Elitisi, Empirikos, Engonopulos duke qenë në epiqendrën e sublimimit të surealizmit në Paris, krijuan poezinë-pikturë dhe pikturën-poezi me mjetet specifike shprehëse. Gjoksi i bukur i gruas si një tablo. Zemra e poetit është si pylli në mesnatë, sa herë humbet, përmes shiut ndjen fëshfërimat e fustanit që fsheh trupat e ngrohta që shfaqen e trembin vetëtimat. Jeta i zë besë vijave të fatit në pëllëmbët e dashura, se femra është muzikë: lira, kitara, flauti, nga ku gurgullon gëzimi, sepse edhe me sy ato i zbusin dallgët. Në imazhin surrealist janë Bella Donna, Zonja Artemis, është bukuria metafizike e skulpturave të Antikitetit, natyra, drita e çastit sublim ku secila prej femrave ka pranë një vegël muzikore. Nëse i bashkon veglat muzikore në poezitë dhe në pikturat e Engonopulos, bëhet një orkestër e madhe ku himnizohet gruaja.
“Me surrealizmin e vet Piktori dhe Poeti synoi që t’i afrohej asaj të vërtete që mohoi t’ia shpjegonte Krishti Pilatit” - shkruan kritika për të. Miltos Sahturis, një nga poetët e mëdhenj grekë, shkruan për Engonopulos se ai është ndër më të diturit. Elitis na dëshmon se: “Askush s’e njeh më mirë se ai poezinë franceze.”
Niko Engonopulos shkruan: “Në Greqi surrealizmi u prit në mënyrë skandaloze. Bota nuk ishte përgatitur. Zakonisht shkollat e reja artistike vijnë pas shumë vitesh kur ato nisin të harrohen. Unë me Empirikon jemi bashkëkohës të kahjes me Evropën dhe Francën.”
Po përse në imazhin e tij surealist, Elbasani është si një tablo “Natyrë morte”?
Qesharak, e quajtën, por ai ishte një tip si Hamleti, një shpirt që kishte lindur për të bërë mirë dhe që në jetë mundi ta shikonte të keqen në tërë poshtërsitë e saj. Ai, si Hamleti, me qetësi, dukej sikur u thoshte:

Quamë çfarëdo instrumenti që të duash,
mund të më gërvishtësh, po muzikë s’mund të nxjerrësh prej meje.

“Jam fanatik vetëm kundër fanatizmit” - thoshte Engonopulos; ishte i pari që solli në artet figurative surrealizmin në Greqi e që natyrisht u përshëndet nga idhtarët e kësaj shkolle, e veçanërisht nga Elitis, Empirikos, Parthenis, Gacis, që kishin kulturë franceze, ndërsa u prit nga peshqit me gjak të ftohtë në mënyrë fyese. Shtypi dhe kritika lundronte në ato kohëra në ujërat e turbullta të ekzaltimit nacionalist.
Surrealizmi rizgjoi interesin tek mitet në aspektin e interpretimit psikonalitik të tyre. Duke krijuar të ashtuquajturën “mitin vetjak”, e tërheq dhe e bën për vete ideja e Fatit si mister, me një thellësi tragjike, ndodhet shpesh në kërkim të një mitologjie të re që të ishte e aftë të përshkruajë metamorfozën e pafundme të qenies. Engonopulos ishte i vetmi surrealist grek, i cili kishte në bazën e piramidës së krijimtarisë figurative mitologjinë. Ai nuk kërkoi “rikthim tek rrënjët”, as nuk e soditi me nostalgji të kaluarën e largët.
Ai kompozon dhe rikompozon gjithë jetën artistike, figurën homocentrike të Orfeut. Me bukurinë mahnitëse të kësaj figure sa mitike e njerëzore, aq poetike e plastike, ai harmonizon artin e poezisë dhe të muzikës, ndërthur fuqinë e perëndishme me dobësitë njerëzore. Këto të fundit e bëjnë Orfeun që të bjerë “viktimë” i paaftësisë për t’i kapërcyer ato.
Orfeu, i biri i Apollonit, një nga dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, dhe Kaliopit, një nga të nëntë muzat, që frymëzonte poezinë epike dhe elegjike, i binte Lirës, këtij instrumenti kordofon, të trashëguar nga i jati dhe e ëma, nga shtatë tela i shtoi dhe dy, aq sa ishin muzat. Me këngët e tij qetësonte kafshët, vinte në gjumë dragoin e Halkidës, pemët përkulnin degët nga vinte melodia, gurët lëviznin, zogjtë e shoqëronin me cicërima, dallgët qetësoheshin e peshqit dilnin në breg të dëgjonin. Orfeu dashuroi dhe u martua me nimfën Euridika, e cila një ditë, për t’u shpëtuar ndjekjeve të bariut Ariste, e pickon gjarpëri dhe vdes. Orfeu me lejen e Zeusit, zbret në Botën e Përtejme, që të mund ta rikthente në tokë Euridikën. Ai arriti të mallëngjejë me këngët e lirës së tij mahnitëse Hadin dhe qenin Cerber, dhe me forcën e artit mundi ta rimarrë të dashurën, porse kushti i Hadit ishte që të mos e shihte hijen e Euridikës sa ishte nën tokë. Orfeu s’mundi të duronte pa e parë gruan; e ktheu kokën, duke mos mbajtur premtimin. Euridika e rifituar nga magjia artit zhduket përgjithmonë në Botën e Përtejme, nga absurdi fluid i ngutjes.
Me bukurinë mahnitëse kjo figure mitike sa njerëzore aq dhe poetike e plastike, frymëzon e sensibilizon breza të tërë krijuesish.
Engonopulos, duke dashur të nxjerrë mitin ashtu si zemrën nga misteri i saj, e kompozoi katërmbëdhjetë herë Orfeun, në variante nga më të ndryshme, ku tri herë e ka bashkë me Euridikën.
Me 78 tablotë surrealiste të krijuara me motive nga mitologjia, ai merr pjesë në Venecia, në ekspozitën “Aspetti del Surrealismo” së bashku me Max Ernst, Hans Arp dhe Juan Miro.
Nikos Engonopulos hedh shënimet e tij për poezinë “Shtëmbëza”:
“Sot do të them përshtypjet e udhëtimit nga Shqipëria. Dhe, mbi të gjitha do të deklaroj se nuk ka asgjë më të lehtë e më të thjeshtë sesa të shkosh në atë vend. Por, duhet të largohesh, për këtë qëllim, në festën e Shën-Janit, në verë. Vetëm atëherë, me t’u ngysur, plot nostalgji për peizazhet e largëta, duke kapërcyer zjarret, mund të gjendesh tek çfarëdo qyteti që dëshiron.
Unë, një ditë e vetmisë së pikëlluar, një ditë ku kisha jetuar larg zogjve, kapërceva me terror zjarret që ishin ndezur në një nga lagjet e çfarëdoshme të Athinës, me Shqipërinë, dëshirën e zjarrtë të shpirtit, thellë në zemrën time. Kapërceva një herë, kapërceva dy herë. Asgjë. Të tretën herë u gjenda befas në Elbasan...”
Si piktor ai portretizoi dy herë Skënderbeun, që konsiderohen me portretin e Mërkur Buas e të Kavafisit, si kryevepra.Për të tilla personalitete përdoren zakonisht metafora fisnike: ura të afrimit të kulturave, kasnecë të miqësisë midis popujve. Të tilla metafora, që janë veçanërisht të çmuara sot në Ballkan, Nikos Engonopulos, “shqiptaro-greku i famshëm”, i meriton plotësisht.

CLIO

Kopi Kyçyku
Shqiptarët në Rumani e Bullgari


Do të desha të them qysh në fillim se, gjatë shekujve, shqiptarët kanë gjetur në Rumani dhe në Bullgari një strehë të ngrohtë e të sigurtë. Madje janë cilësuar „kushërinj të një gjaku”[1]. Edhe shqiptarët i kanë parë me të njëjtin sy rumunët dhe bullgarët. Kështu, për shembull, koincidenca ogurmirë bën që fjala vllah(u) në gjuhën tonë të na kujtojë fjalën vlla(u). Në vijim të kësaj ideje, vërejmë se shqiptarët në Rumani dhe (a)rumunët në Shqipëri e kanë ndjerë veten gjithmonë si në shtëpi të vet.

Meqë objekti i kësaj kumtese ka „statusin” zyrtar e sidomos shpirtëror të bashkëkombësve tanë në Rumani dhe në Bullgari, theksi do të vihet pikërisht në këtë aspekt. Duhet nënvizuar fakti që tolerancën dhe zemërgjerësinë proverbiale ndaj të gjitha pakicave, - etnike, kulturore, gjuhësore, - pasardhësit e dakëve dhe të protobullgarëve i kanë shfaqur gjatë gjithë kohërave, pa asnjë përjashtim a kufizim.

Prania e dokumentuar e shqiptarëve në Trevat Rumune nis në messhekullin XVI, kur i shohim si barinj, ushtarë, roja[2] të armatosur të sundimtarëve, tregtarë dhe, më pas, si emigrantë politikë.

Në pellgun armbajtës të Maleve Perëndimorë (Munţii Apuseni) janë gjetur mbishkrime tejet të hershëm me emërtimet e vendbanimeve të paraardhësve të shqiptarëve, pra të kolonëve ilirë, të cilët zunë vend në qëndrën minerare Alburnus Maior, në vicus dhe castelle: vicus Pirustarum, castellum Baridustarum[3], sipas sistemit të organizimit dalmat, rreth shekullit II pas Krishtit.
Në epokën feudale lufta kundër sundimit otoman përmban veprime paralele apo të përbashkëta të të dy popujve tanë. Në fushatat e veta antiosmane Janosh Huniadi (Janku i Hunedoarës) bashkëpunoi ushtarakisht me popullin shqiptar, i cili, nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, vazhdonte t’u jepte goditje të rënda pushtuesve otomanë[4]. Është i njohur, gjithashtu, aksioni mbrojtës paralel antiosman që ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit XV, nga njëra anë kreu i rumunëve, Stefani i Madh (1457-1504) e nga ana tjetër Skënderbeu.
Një princ me prejardhje shqiptare, Vasile Lupu, që sundoi në vitet 1635-1653, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Moldavi, duke i sjellë shërbime të mëdha këtij vendi.
Prania e shqiptarëve në Rumani lidhet edhe me Revolucionin e Pandurëve[5] të vitit 1821. Dokumentet dëshmojnë se numuri i shqiptarëve pjesëmarrës në këtë revolucion ishte jo i vogël[6]. Ndër ta ka qënë edhe intelektuali atdhetar Naum Veqilharxhi (Bredhi), i cili, siç dihet, pat luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare[7]. I lindur në Vithkuq, Veqilharxhi qëndroi shumë vjet në qytetin rumun Braila, ku përpiloi edhe një alfabet për gjuhën shqipe[8]. Siç e dimë, duke përdorur këtë alfabet, ai hartoi dy abetare dhe shkoi t’i botonte në Kostandinopojë. Atje Veqilharxhi ia doli mbanë t’i nxirrte në dritë, por pas një viti u vra, me sa duket nga agjentët e Fanarit. Gjithsesi, fatmirësisht, abetaret e Veqilharxhit u shpërndanë anembanë Shqipërisë.
Edhe familja Gjika, e mirënjohur në historinë e Rumanisë, është me prejardhje shqiptare. Duke filluar të paktën nga shekulli XVII, ajo u ka dhënë Moldavisë dhe Viseve Rumune një numur të madh sundimtarësh. Nga gjiri i Gjikajve ka dalë edhe Elena Gjika, e njohur sidomos me pseudonimin letrar Dora d’Istria. Për disa dhjetëvjetsha rresht, asnjë femër tjetër, përveç Zhorzh Sandit (George Sand), nuk ka gëzuar aq popullaritet në botën intelektuale evropiane, sa Dora d’Istria. „Është për t’u habitur sa njohuri u grumbulluan në mendjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe me sa lehtësi mundte t’i nxirrte në ballë gjithsaherë i duhej të zhvillonte ndonjë betejë. Sepse ajo ka qënë një predikuese me kredo prej luftëtari. Liberalizmi pat gjetur tek ajo një mbrojtëse të palodhur. Pò ashtu edhe e drejta e kombeve për të jetuar” ka shkruar historiani i madh rumun Nikolae Jorga[9].
Dora d’Istria ka shkruar në gjuhën frënge studime letrare, social-politike, filologjike, etnografike, shënime udhëtimi etj, ku trajton aspekte dhe ngjarje nga vende të ndryshme. Shumë syresh kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, kauzën e së cilës e bëri të njohur në shtetet evropiane: La nationalité albanaise d’après les chants populaires, Paris, 1866; Fyletia e Arbënare prej kohëve të lashta, në „Revue des deux mondes”, 15 maj, 1866; Les écrivains albanais de l’Italie méridionale, Athinë, 1867; La nazionalità albanese secondo i canti popolari, Kozencë, 1867; Gli Albanesi musulmani, Firence I, 1868; II dhe III, 1870; Affaires de l’Albanie, Athinë, 1872; Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei Principi Ghika nei secoli XVII, XVIII e XIX da documenti inediti degli archivi di Venezia, Vienna, Berlino, Constantinopoli ecc. Traduzione dal francese di B. Cecchetti, Firence, 1873.
Njëherazi, Dora d’Istria shfaqi ndjenja simpatie edhe ndaj Rumanisë. Ja një copëz e shkëputur nga shkrimet e saj: „Liria, lumturia e vendit tim - ja preokupimet që do të mbushin tash e tutje jetën time. E larguar nga fati, qysh në fëmini, nga brigjet e dashura të Dëmbovicës[10] sime, nuk kam rreshtur asnjëherë të jem pjesë e vendlindjes, fatet e të cilit kanë përbërë objektin e përsiatjeve të mia të qëndrueshme”[11].
Ndër veprat e tjera të Dora d’Istrias, përmendim: La vie monastique dans l’église orientale, Bruksel, 1855; Les roumains et la papauté, Athinë, 1856; Osservazioni sull’organizzazione dei Principati Danubiani, Torino, 1856; La Roumanie et l’église orthodoxe, Bruksel, 1857; La nationalité roumaine d’après les chants populaires, Paris, 1859; Un été au bord du Danube, Paris, 1861.
Si përfundim, Dora d’Istria, „albanese d’origine, rumena di nascita”, sikurse është shkruar në pllakën përkujtimore në varrezat e Trespianos (Firence), ku ruhet hiri i saj, ka qënë një shkrimtare e gjuhës frënge, e njohur dhe e çmuar nga bashkëkohësit e vet dhe që, me vepra, ka dhënë ndihmesë reale jo vetëm në parashtrimin e kauzës shqiptare, por, sidomos, në mbrojtjen e saj para opinionit evropian.
Në dy dhjetëvjetshat e fundit të shekullit XIX, shqiptarët e Rumanisë zhvilluan një veprimtari të fuqishme në shërbim të Rilindjes Kombëtare dhe të popullit shqiptar. U botuan studime, libra, gazeta dhe revista, ndër të cilat „Historia e përgjithshme” dhe disa vëllime poetike të Naim Frashërit.
Duhet theksuar se themelet e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar janë hedhur pikërisht në Bukuresht, nga ku, pas një këshillimi, në Hotelin Kontinental, me pjesëtarë të dalluar të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, sidhe me politikanë rumunë, në radhë të parë me kryeministrin Take Jonesku, atdhetari i shquar Ismail Qemali u drejtua për në Vlorë, ku e përjetësoi veten me Aktin e madh të Ngritjes së Flamurit Kombëtar, më 28 Nëntor 1912.
Në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit XIX, në vazhdën e pararendësve të tyre të hershëm, arbënashëve, - që i dhanë emrin një fshati të tërë, kur u ngulitën në Bullgari, - mijëra shqiptarë, kryesisht nga trevat jugore të Shqipërisë, emigruan në Bullgari për shkaqe ekonomike. Ata zunë punë dhe u strehuan në qytetet Sofje, Plovdiv, Varnë, Plevnë, sidhe në katundin Rilë, i famshëm për manastirin ortodoks. Vlen të theksohet se qënia pranë njëri-tjetrit, pa dallim feje, e të mërguarve, ishte jo vetëm dëshmi dhe konkretizim i thënies së famshme „Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, por edhe garanci për zhvillimin e një veprimtarie të gjithanshme atdhetare. Pas mbledhjeve te dyqani i Dhimitër Moles, te kafeneja „Shqypria” e Spiro Goros apo te lokali i Adem Shkabës, pasonte lëçitja dhe shpërndarja e librave shqip dhe rrahja e shkëmbimi i mendimeve për rrugën që duhej ndjekur deri në çlirimin e trevave shqiptare nga robëria shumëshekullore otomane. Në këtë atmosferë të shëndetshme lindi ideja e themelimit të një shoqërie atdhetare, që të shërbente si vatër për të gjithë emigrantët shqiptarë. Bëhet fjalë për shoqërinë „Dëshira”, që, siç do të thoshte kënga, „Që më një të kollozhekut / u formua shoqëria, / u formua brenda mu në Sofje/ për lirin’ e Shqipërisë”. Ishte, pra, 1 janari i 1893-shit. Ky veprim do të ishte hapi i parë drejt shndrrimit të kryeqytetit bullgar në një nga qëndrat e rëndësishme të lëvizjes nacionalçlirimtare dhe të ideve rilindëse, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Trajtimi me përparësi në këtë kumtesë i gjithçkaje që lidhet me „Dëshirën” shpjegohet me faktin se kjo shoqëri ngërthen e zbërthen nga çdo këndvështrim krejt problematikën, të shkuarën, të tashmen e bazat e të ardhmes së bashkësisë së shqiptarëve në Bullgari. „Dëshira” u bë sinonimi i veprimtarisë së mirëfilltë atdhetare shqiptare në Bullgari, duke e shndrruar këtë vend e sidomos kryeqytein Sofje në një nga qëndrat më të mëdha botuese të emigracionit shqiptar. Pavarësisht se formalisht antarësia në shoqërinë „Dëshira” u rezervohej ortodoksëve, në të vërtetë, nënvizimi i faktit që „shoqëria kishte karakter të theksuar kulturor” dhe përbëhej nga ata që flasin shqip, pasqyrohej edhe në statut: „Çdo shqiptar, që dëshiron lulëzimin e gjuhës së kombit shqiptar, konsiderohet antar”, përderisa shoqëria në fjalë synonte „të shpërndajë dije dhe të hapë shkolla shqipe në Shqipëri”. „Dëshira” ishte e pavarur nga shteti bullgar, prej të cilit vetëm mbështetej financiarisht. Ajo filloi mësimdhënien e shqipes për të mitur e të rritur, sidhe botonte organin e vet të shtypit, „Kalendarin kombiar”. Aty botoheshin me shumicë materiale letrare-artistike dhe fare pak artikuj me karakter politik. Me rëndësi të posaçme ishte fakti që „Kalendari kombiar” u bënte thirrje shqiptarëve të kishin besim e të mbështeteshin në forcat e veta, jo në të huajt dhe të ishin të vllazëruar. Duke vënë në dukje se midis myslimanëve dhe të krishterëve nuk ka dallime, theksohej: „Zoti na ka krijuar të gjithë - shqiptarë, prej kaq kohe flasim këtë gjuhë dhe kemi një gjak. Feja është diçka që ndryshon. Më parë se të krishterë e myslimanë, jemi shqiptarë”[12]. Ndër bashkëpuntorët më në zë të „Kalendarit kombiar” , të botuar qysh më 1897 nga Kosta Jani Trebicka dhe Kristo Nini Luarasi, shquhej Lumo Skëndua (pseudonimi i Mithat Frashërit).
Por organi më i njohur e më i rregullt i „Dëshirës” ishte e përdyjavshmja demokratike e përparimtare „Drita”, që doli në periudhën 1901-1908 dhe kishte kryeredaktor Shahin Kolonjën. Në materialet e „Dritës” përvijoheshin detyra për emigracionin shqiptar, jo vetëm në Bullgari, por edhe më gjerë, duke i parë problemet në lidhje të ngushtë me zhvillimet në Shqipëri. Shtypshkronja e Kristo Luarasit „Mbrothtësia” shtypi 50 libra të ofruara nga „Dëshira” , të cilat u dërguan në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare. Gjithashtu, „Dëshira” punoi shumë për të përhapur krijimet e Sami Frashërit. „Dëshira” dhe „Mbrothtësia” u bënë furnizueset kryesore të shkollave të sapoçelura në Shqipëri, me materiale didaktike dhe me gazeta. Veprimtaria teatrore e „Dëshirës” ishte, po ashtu, e gjerë. Të hollat e mbledhura nga pjesët e vëna në skenë, dërgoheshin në Shqipëri.
Nuk mund të lemë pa përmendur ndihmesën e madhe që ka dhënë në ato vite shqiptari katolik Josif Bagëri me botimin e gazetës demokratike „Shqypeja e Shqypnisë”.
Deri në vitin 1912, mërgimtarët shqiptarë në Bullgari patën përkrahjen e shtetit bullgar në luftën për zgjidhjen e çështjes kombëtare, sepse interesat dhe gjendja ishin të njëjta për të dy vendet.
Për fat të keq, me kalimin e kohës, veprimtaria dhe shpirti atdhetar i „Dëshirës” u zbehën, sidomos me krijimin e një simotre rivale, e quajtur „Gjergj Kastrioti”. Ky ishte sinjali i parë i përçarjes së kolonisë shqiptare në Bullgari. Më 1928, orvatjet për bashkimin e dy shoqërive të mësipërme, dështuan. Më 1933, në 40-vjetorin e themelimit të „Dëshirës”, u vendos dhe u realizua hedhja në letër e historikut të saj, që ruhet në Institutin e Ballkanistikës në Sofje, si dorëshkrim me titull „Shënime historike mbi themelimin dhe veprimtarinë e shoqërisë shqiptare kulturore arsimore në Sofje - vitet 1893-1939”[13], me autor Leonid Grabockën.
Që t’u avitemi paksa agimeve të shekullit XX, vjetari statistikor i Rumanisë i 1930-ës paraqit të dhëna, sipas të cilave numuri i shqiptarëve në atë vend ishte rreth 10.000. Numuri i shqiptarëve në Bullgari, natyrisht, ka qënë më i pakët dhe nuk kemi të dhëna të sakta. Në periudhën midis dy luftrave, njëherazi me ardhjen në Rumani për studime të shumë të rinjsh shqiptarë, mund të flitet për një rigjallërim të bashkësisë shqiptare, e cila kishte edhe shtypin e saj. Ndër më aktivët dhe më të përkushtuarit ndaj kauzës shqiptare ishin prozatorët e poetët Aleksandër Stavre Drenova (Asdren), Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Ali Asllani, Viktor Eftimiu, gazetarët Foqion Postoli e Nik Pemma, mjeku Ibrahim Temo, piktori Vangjush Mio, këngëtarët e operës Mihailesku Toskani dhe Kristaq Antoniu etj.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, numuri i shqiptarëve të mirëfilltë dhe i atyre me zanafillë shqiptare, që jetonin në Rumani, ishte afro 40.000.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Rumanisë u organizuan në një Komitet Antifashist Shqiptar, i cili pas lufte u shndrrua në Komitetin Demokrat Shqiptar. Ky i fundit u çthemelua në mënyrë abuzive në vitin 1953. Bashkimi Kulturor i Shqiptarëve të Rumanisë (UCAR), që u krijua më 1990, shpalli si pikësynim kryesor „mbrojtjen e interesave kulturore të etnisë shqiptare të vendit tonë (Rumanisë - sh.y.), thellimin e njohjes së kulturës, gjuhës dhe historisë së popullit shqiptar”[14]. Të njëjtat pretendime ka tani edhe Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), e cila u krijua më pas.
Në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 1996, UCAR (BKSHR) u bë organizatë parlamentare. Shteti rumun paskëtaj i dha UCAR-it fonde me vlerë më të madhe se sa përpara zgjedhjeve të lartpërmendura, çka bëri të mundur zhvillimin e veprimtarive të shumta kulturore, sidhe botimin e së përmuajshmes „Albanezul” (Shqiptari).
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2000 dhe 2004, vendin e deputetit në Parlamentin rumun e fitoi ALAR. Fondet që iu caktuan kësaj organizate u bënë gjithnjë e më konsistente. Krahas botimit të periodikut të saj të përmuajshëm „Prietenul albanezului” (Miku i shqiptarit), ALAR e zgjeroi gamën e veprimtarive të veta kulturale-artistike.
Sipas statistikave zyrtare, sot bashkësia shqiptare ka vetëm 520 pjesëtarë. Gjuha shqipe flitet nga një numur përherë e më i kufizuar individësh me prejardhje shqiptare dhe, me përjashtime tepër të pakta, nuk po u përcillet brezave të rinj. Në këto rrethana shtrohet çështja e ruajtjes së traditave dhe sidomos e gjuhës amtare si një kusht sine qua non për mbijetimin e etnisë në të ardhmen. Nga ana tjetër, kjo e fundit do të duhej ta rritte numurin e antarëve të saj me nxënësit, studentët, pasuniversitarët dhe afaristët shqiptarë, që jetojnë përkohësisht në Rumani. Duke vepruar kësisoj, të gjithë ata që do të vendosen përfundimisht në Rumani, nuk do ta harrojnë më gjuhën amtare, ndërsa në Parlament do të përfaqësohen nga njerëz që vijnë me të vërtetë nga radhët e etnisë shqiptare dhe në asnjë mënyrë nga individë që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me të, që nuk ia njohin as gjuhën, as zakonet, as shpirtin. Lufta e paparimtë dhe e pandërprerë për kolltuk, me intriga dhe fyerje të ndërsjella midis UCAR (BKRSH) dhe ALAR, u vlen vetëm krerëve të organizatave të lartpërmendura, por kurrsesi shqiptarëve dhe shqiptarizmës. Për mendimin tonë, nga kjo gjëndje e rëndë dhe pa perspektivë, mund të dilet vetëm duke krijuar një organizatë të re, të bazuar në dashurinë për kombin e për virtytet tona stërgjyshore, larg interesave meskine e të ulta. Paskëtaj fondet e akorduara me bujari nga shteti rumun për etninë shqiptare do të përdoren në mënyrë korrekte e të ndershme, vetëm e vetëm në shërbim të saj, jo për qëllime të tjera dhe do të kontribuohet realisht për ruajtjen, zhvillimin dhe mishërimin e identitetit në rrafsh gjuhësor, kulturor e fetar, sidhe në dobi të bashkëjetesës vllazërore tradicionale shumëshekullore ndërmjet popullit rumun dhe pakicës kombëtare shqiptare.
Për t’i mbyllur këto rreshta me një ton optimist, dua të theksoj veprimtarinë e një heroi të vërtetë të shqiptarisë, që më sjell në kujtesë filmin „Edhe i vetëm trim në luftë”. Fjalën e kam për profesorin Thoma Kacori, që jeton në Sofje, krejt jeta e të cilit dëshmon se, në fund të fundit, jo sasia, por cilësia dhe përkushtimi kanë peshën më të madhe kur lufton për një kauzë të shenjtë. Shembulli i tij tingëllon si një grishje edhe për pasardhësit e sotëm të shqiptarëve të Bullgarisë, para të cilëve, pak a shumë qëndrojnë të njëjtat probleme si ato të bashkësisë dhe etnisë shqiptare të Rumanisë.


[1] Shih „Brève histoire de l’Albanie”, 1918, të historianit erudit Nikolae Jorga (1879-1940).
[2] Këta quheshin arnautë, që në turqisht do të thotë „roje besnike”. Të tillë ka pasur nga të gjithë vendet e Ballkanit, por, meqënëse shumica dërrmuese ishin shqiptarë, termi arnaut u bë sinonim i fjalës shqiptar. Madje vetë Shqipëria në gjuhën turke thirret Arnavutluk, pra vendi i arnautëve.

[3] Shih „ Istoria României” (Historia e Rumanisë), Bukuresht, 1960, vëll. I, f. 369,383 dhe 401.

[4] Shih Kopi Kyçyku, „Istoria Albaniei” (Historia e Shqipërisë), Shtëpia Botuese „Corint”, Bukuresht, 2002, f. 140.

[5] Pandurë quheshin këmbësorët e fundshekullit XVIII dhe fillimshekullin XIX dhe ishin kryesisht me prejardhje nga krahina e Oltenieis, në Juglindje të Rumanisë së sotme. Pandurët u rreshtuan si vullnetarë në njësitë e komanduara nga Tudor Vladimiresku.

[6] Shih „Istoria României” (Historia e Rumanisë), Bukuresht, 1960, vëll. I, f. 226, 231, 268, 303, 331, 363; vëll. II, f. 191.
[7] Shih Victor Papacostea, La participation de l’écrivain albanais Vechilhardji à la révolution de 1821, në «Balcania», vëll. VIII, Bukuresht, 1945, f. 187-191.
[8] Shih Th. Capidan, Românii nomazi din Pind, Tesalia, Acarnania, Etolia, Olymp, Peninsula Calcidică şi Veria / Rumunët endacakë të Pindit, Thesalisë, Akarnanisë, Etolisë, Olimpit, Gadishullit Kalcidik dhe Verisë, në „Daco-Romania”, IV, 1923-1926, f. 66 e 70; Shih edhe Albanische Studien, Jena, 1854, f. 292-293.
[9] Shih parathënien e tij për monografinë „Dora d’Istria” të autores Magda Nicolaesku Joan, Bukuresht, 1929.
[10] Lumi që përshkon Bukureshtin e që është bërë, në një farë mënyre, sinonim i tij.
[11] Rreshtat e mësipërm janë të dedikimit me titull „Vëllezërve të mi rumunë”, që paraprin punimin „La Suisse allemande”.
[12] Shih www.bng.bg: Shoqëria patriotike shqiptare „Dëshira” në Sofje.
[13] Ibidem.
[14] Shih „Arkivin e BKRSH-së”, Bukuresht, 1990.


* * *

Dionis Qirzidhi

Zemra më qan gjak

Themeluesi i shtetit Shqiptar, Ismail Qemali, në fillim të shekullit të kaluar botonte një gazetë në gjuhën greke, e shqipe për të propaganduar njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë.

Tek po shfletoja skedat e kataloget në Arkivet greke për një porosi të Moikom Zeqos, për të gjetur albumin me krijmtarinë e skulptorit grek Gjergj Kastrioti, u ndesha me mjaft të papritura të këndshme. (Këtu më duhet të them se me emrin e këtij skulptori isha njohur që në vitin 1995 nga poeti i njohur Hiqmet Meçaj. Dali i tij, Andi, qe habitur një ditë kur po shëtitnin në sheshin kryesor të Pireut, te Teatri Bashkiak, kur kishte parë lajmërimin për përurimin e ekspozitës së Gjergj Kastriotit, Georgios Kastriotis, me 80 skulptura, të cilat e shoqja e tij, Meri, ia dhuronte qytetit të Pireut, për t'i ekspozuar në sallën me emrin e autorit. Hiqmetit dhe Andit u bëri përshtypje të thellë ekspozita, niveli i lartë artistik, lidhjet e Gjergjit me Shlimanin e famshëm që zbuloi Trojën, por sidomos me emrin dhe mbiemrin e tij, që përputheshin plotësisht me Heroin tonë Kombëtar. Kishin takuar edhe Merin, të shoqen e Gjergjit për ta uruar dhe në takimin më të parë më folën, me synimin që të pyetnim më gjatë për këtë skulptor. Problemet e kohës, sidomos përpjekjet për t'u stabilizuar në Greqi, nuk na nxitën për ta bërë një gjë të tillë. Hiqmeti dhe Andi kanë në shtëpi broshurën paraqitëse të asaj ekspozite të vitit 1995 me foto të disa punimeve, e cila çelet me portretin e Sofia Shliman, hallës së tij dhe gruas e bashkëpunëtores të Shlimanit të famshëm, zbuluesit të Trojës dhe Mikenës së lashtë).

Siç thashë, u ndesha me mjaftë të papritura, sëpari gjeta ciklin poetik “O Eros”, (Dashuria) të poetit tonë Kombëtar, Naim Frashërit, që ua kushtonte miqve të tij grekë, bashkëpunë­torë të revistës letrare “Kiriks”, që botohej në Stam­boll në fund të shekullit të kaluar. Në letrën që sho­qëron botimin e “Eros”-it dhe që i drejtohet J. Karo­lidhisit, Naimi thotë se “përmbushja e dëshirave të miqve është detyrë e shenjtë për njeriun”. (Këtë informacion për Naimin e pata marrë vite më parë nga gjuhëtari Dhori Qirjazi, në shkrimin që pat botuar në gazetën “Glosa / Gluha”, që botonte Aristotel Spiro).

Kjo gjë më bëri të rikthehem disa herë në arkiv kur papritur ndesha emrin e vlonjatit hyjnor Ismail Bej Vlorës në disa numra gazete e letërkëmbime, të panjohura deri më sot nga studiuesit e veprës dhe jetës të Heroit tone Kombëtar. Për t’u garantuar në se rashë tek një “thesar” të panjohur nga lexuesit e studiuesit, marr në telefon Dhori Qiriazin, gjuhëtar, e Stavri Dajon historian në Selanikë. Po kështu bisedova në telefon me studiuesin e jetës së Ismail Qemalit, mikun tim, Bradhosh Gaçen në Tiranë. Kërkova ta verifikoja me Jozef Radin në Itali, pasi i jati i tij, Lazër Radi ishte njohës i arkivit të Nermin Vlorës e mik i saj. Të gjithë ata bashkë më thanë se si fakte historike ato njihen, por që letërkëmbimi e gazetat e botuara në Bruksel nga Ismail Qemali në vitin 1901 ende nuk janë gjetur e studiuar nga historianët.
Në dokumentet e gjetura, në një rrëfim shpirtëror, vetë Ismail Qemal Bej Vlora na shpjegon peripecitë e veta pasi i vihet në rrezik jeta e tij dhe e fëmijve nga Porta e Lartë. Arsyeja ishte për mospranimin e postit të Valiut të Tripolit te caktuar nga Sulltan Abdul Hamiti. Tripoli, në atë kohë ishte një vend internimi për politikanët, vend që u zgjodh për ta hequr qafe edhe për ikanakun e rrezikshëm, Ismail Qemal Bej Vlorën. (Historikisht dihet fyerja që ishte bërë në Parlament prej grupit të Xhonturqve, ku Ismail Qemal Bej Vlora braktis sallën e parlamentit e pak më vonë edhe Turqinë përgjithmonë, -shënimi im).
Kushëriri i afërt i Ismail Qemalit, Eqerem Bej Vlora, në librin “Kujtime 1885-1925” na e jep këtë çast nëpërmjet kësaj dëshmie dramatike me “Turqit e Rinj mendjengushtë, të rëndomtë e të verbër”: Deputeti… nga Komiteti i Turqve të Rinj, ndeshet me Ismail Beun në korridoret e ndërtesës dhe pa asnjë shkak, e vetëm nga urrejtja për shqiptarët, i thotë atij “tradhëtar”. Ismail Qemali i përgjigjet me dinjitet… dhe futet i qetë në sallën plenare. Atje shumica e Turqve të Rinj e shau përsëri, kurse Deputeti u ngrit dhe e qëlloi dy here me shuplakë në fytyrë plakun shqiptar. Ismail Qemali, u ngrit me ngadalë, qetësoi deputetët shqiptarë të acaruar dhe pa lëvizur qerpikun, iu drejtua grupit të Turqve të Rinj: “Këto shuplakla do t’i paguani shtrënjtë!”. Pastaj braktisi sallën e parlamentit e pak më vonë Turqinë përgjithmonë” (Eqrem Bej Vlora, “Kujtime 1885-1925”, fq. 250)
Ismail Qemal Bej Vlora, në deklaratën e botuar në gazetën “Sotiria” më 7 shtator 1901 (dokument i panjohur më pare-shënimi im) përshkruan se si i dërgon letër ambasadorit të Anglisë, z. Okonor ku i kërkon mbrojtjen e Britanisë së Madhe. Pas dy ditësh ambasadori nëpërmjet perkthyesit të ambasadës i përgjigjet se vihet nën mbrojtjen e tij, Me vaporin francez me flamur anglez ai mund që të shkojë i lire, bashkë me familjen në cilindo shtet të Evropës që dëshiron. Në këtë mënyrë arratiset e mbrinë fillimisht në Pire. (Dihet se Ismail Qemali kishte gruan greke, nga Selaniku, Kleoniqin, dhe kishte qënë një nga nxënësit e shkëlqyer të gjimnazit “Zosimea” të Janinës). Në Athinë takohet me miqtë grekë të cilët janë nga më të diturit e kohës, ku ndër ta është Neokli Kazazi, erudit, njohës i thellë i problemeve të Lindjes, me një korpus të madh veprash filozofike e gjeopolitike. Me miqtë e tij Ismail Qemali diskuton idenë për autonominë e Shqipërisë, e që për këtë të fundit do të duhej më parë që të kultivojë këtë mendim tek opinioni, duke iu drejtuar nëpërmjet shtypit si ithtarëve të lirisë ashtu dhe njerëzve të thjeshtë.
Në vitin 1901 Ismail Qemali për këtë synim gjëndet në Bruksel ku boton nga 15-28 Shtator dy gazeta “Sotiria- Albania” në greqisht dhe “Cqipria” në shqip. Në kolonat e të dy gazetave firmos artikujt pronari dhe kryeredaktori dhe drejtori, Isamil Qemal Bej Vlora.
Nëpërmjet artikujve të shkruara në vitin 1901 me një greqishte të përsosur, që dhe sot i mahnit studjuesit për pasurinë gjuhësore dhe shkrimet e tij në “katharevusa”, (gjuha e njerëzve të ditur, përkundër demotikes që fliste e shkruante populli i thjeshtl), Ismail Qemali synon që të të ravijëzojë politikën shqiptare për krijimin e shtetit shqiptarë si dhe të ndërtimin e urave të miqësisë me Greqinë, për të patur Shqipëria, siç shkruan ai, krahë të forta përbri. Ismail Qemali natyrisht për kohën konsideron se në Lindje dy fuqitë janë më kryesore dhe të sigurta në Ballkan: Perandoria Otomane dhe Helenizmi.
Në kryeartikullin e gazetës “Albania” të shtatorit 1901, të shkruar në greqishtë me titull “Cili është qëllimi i gazetës sonë ?”, thotë:
“Gazeta jonë “Sotiria” (Selamet), botohet që nga sot në greqishtë dhe ka qëllim kryesor që të trasmetojë, në të gjithë Lindjen dhe Perëndimin, idenë e njohjes të ekzistencës të popullit Shqiptarë, mbi bazën e kushtit që t’u shërbejë të gjithëve për të kuptuar karakteristikën e regjimit konservatorë, i cila konsiderohet si lloji më praktikë i konservatorizmit në Lindje.
Vendosëm që ta botonim në greqishtë faqen tone me synim që të njihet edhe më mire prej Helenizmi problemi shqiptarë, mendimet dhe parashikimet tona dhe në këtë mënyrë na jepet mundësia që të njihet më mirë opinni publik i fqinjit, njëkohësisht Populli Grekë të mundet të njoh e të gjykojë, me sa më saktësi, dëshirat dhe vlerat e Shqiptarëve.”
Ai, nga shkrimet si në greqishte dhe në shqip të kësaj kohe, del se nuk kishte më besim në vazhdimësinë e Perandorisë dhe kërkonte që në çaste e saj të fundit të shpëtonte atë që mund të shpëtohej, e kjo fillimisht do arrihej nëpërmjet një autonomie të Shqipërisë, nën suazën e Perandorisë Osmane, por që e ndjente se Xhonturqit (Turqit e Rinj) ishin politikisht të papërgatitur dhe të pa aftë për ta mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi.
Në artikullin e gazetës “Cqipria” më 15 Janar 1902, i parashtron lexuesve disa pyetje me emocion, kur ndërkohë ka bërë analizën e situatës në Ballkan: “Neve Shqiptarët prapë flemë, kur do të zgjohemi? Kur të na bjerë shigjeta në zemër? Shumë frikë kemi se mos të gjendemi pa kujdes, pa gadi në kohën errësirës dhe lemerisë të Shqipërisë.
Shumë frikë se mos do digjemi dem, se mos do të marrim në qafë të ngratën Shqipëri.”
Ditën e Vitit të Ri 1902 Ismail Qemal Bej Vlora del me kryeartikullin “Punat e Shqipërisë” ku që në fjalinë e pare dridhërohesh nga metafora tragjike ku na shpirtëzon fatin e shpresën e Shqipërisë.:
“Zemra më qan gjak kur shohim si venë punët në Shqipëri. Kombet që na kanë qerthuar nga të gjithë anët, bërtasin, çirren, ven e vinë, armatosen, me Mbretëritë e Mëdha, ndërrojnë fjalë, me gazeta, me mbledhje, …dhe kërkojnë tu vënë zgjedhë Shqipëtarëvet; neve Shqiptarët ç’bëjmë?
Mbyllim sytë, zëmë veshët, nuk shohim, nuk dëgjojnë, u kthejnë kurrizin armiqëve, e vështrojmë me sy të lig njëri- tjetrin; zihemi, vritemi, pritemi, marrëzia jonë zbret të gratën Shqipëri më poshtë se ç’është; ata që i kthejnë sytë prej Stambollit, që është gadi t’i therrasi, t’i marrë me të mire, t’u japë para, nishane, rytbera e të japë pastaj edhe një shkelm të mjerës Shqipëri. Përse Shqiptarët nuk zgjohen, nuk ngrihen nga plehërat që kanë rrënë? Përse Shqiptarët presin shpresë nga Stambolli? Nuk dine që Stambolli në gjëndje që është sot, nuk mundet që të shpëtojë Shqipërinë; Shqipëria mund të shpëtojë Stambollin dhe Mbretërinë”.
Në një artikull tjetër, ku ka analizon si nëntemë dy perandoritë: Austro-Hungareze e atë Italiane thekson: “Neve Shqiptarët sikur të kishim ditur se ç’mundemi të bëjmë e sikur të kishim ditur se ç’farë udhe lipset që të zëmë për të qënë i pari i Kombeve të Rumelisë, do të kishim bërë shumë punëra që do të kishin hapur sytë Mbretërive e Kombeve të tjerë.
Neve vështrojmë qysh të ngrejmë një Vali që nuk na pëlqen për të prurë një tjetër Vali. Nuk mundohemi që Hasani qoftë Vali a Huseini, pa ndrruarë udhënë e qeverisjes një e mire nuk mundet të na vijë… Shqiptarët e vërtetë lipset të vështrojnë të kërkojnë të tjera gjëra; lipset të kërkojnë gjuhën e tyre; lipset të kërkojnë të qeverisen me njerëzit e tyre; lipset të kenë gjyqe pa djallëzi, pa para; lispet të kenë udhë të mira, udhë të hekurta, të kenë vëllazëri, t’i kenë besë njeri tjetrit… Ata që vështrojnë qysh të marrin para nga Mbreti në Stamboll për të mbyllur gojën e shqiptarëve, që bërtasin e çirren për të ngratën Shqipëri, nuk lipsen të dëgjohen në Shqipëri, ata që kërkojnë të gënjejnë shqiptarin me të hollat e ca evropianëve që dalin në mes si “djemtë e Skenderbeut” e me “përralla, me shkaba” kërkojnë të gënjejnë shqiptarët, janë nga ata mistreca shqiptarë, që s’kan gjak shqiptari, por me gjuhë e me dorë, veshtrojnë të fitojnë gjakun e atyre që është i verdhë a i bardhë…”
Në artikullin “Gospodin Nikola në Petersburg” shkruan: “Sulltan Abdul Hamidit … nuk i duam as para e ndere as ndihmë, i duam besën per të mos na mare në qafë e të na verë në zjarrë. Kur do të kërkojmë shpëtimin e Shqipërisë, kur t’i dëftejmë Europit që jemi gjithë të lidhur me një besë e me një fe për të mbajtur gjakun, kemi mbi kurris Austrinë që do të na ndih, kemi përpara syvet Morenë që na vështron me sy vëllazërie, që njeh çe vjen Shqipërisë për Greqinë e çe do fitojë nga shpëtimi i Shqipërisë e çe do humbas prej humbjes së Shqipërisë”
Në arkiv gjeta e lexova letërkëmbimin e Neokli Kazazi, tanimë Rektor i Universitetit të Athinës, si dhe letërkëmbimin me Jorgji N. Gjika. Në letrën e këtij të fundit që dërgohet nga Vjena në Gusht të vitit 1913, drejtuar Shkëlqesisë së Tij Isamil Qemal Bej Vlora, ai shkruan:
Zoti Kryeministër,
Në Qershor të vitit 1911 kishit mirësinë të më jepnit mundësinë për t’më dëgjuar në katër takime… Ju shpjegova midis të tjerave mënyrën me të cilën munda të mësoja planet sekrete të Pansllaviznit që deshnin të vepronin të pushtonin Lindjen, mënyrat dhe praktikat satanike për të kultivuar urrejtjen mes popujve të Lindjes, të krijonin një ferr me intrigat e tyre, me synime konkrete për te sunduar kaosi në ide dhe si rrjedhim të krijojnë atë gjëndje të papranueshme nga të gjitha planet e botës së qytetëruar, e ato mandej të bëheshin të volitëshme për planet e tyre pushtuese të Panllavizmit. Duke ju paraqitur me saktësi të gjitha pikpamjet dhe kushtet në të cilat jetojnë popujt e Lindjes, si dhe mënyra që t’u bëhej thirrje fuqisë morale të tyre, që ata të bëjnë të vetmen zgjidhje të drejtë të Problemit të Lindjes për lumturinë e të gjithë popujve, Ju më thatë fjalë për fjalë: “I dashur zotëri! Në se arrini të kini sukses në atë vepër, do t’i kini bërë një shërbim aq të madh popujve të vuajtur të Lindjes më shumë se sa i shërbeu Jezu Krishti njerëzimit të torturuar.”
Neoklis Kazazi dhe Ismail Qemal Bej Vlora duke parë rreziqet që u dilnin në fillim të shekullit XX-të bënë ç’është e mundur që të afrohen më shumë të dy popujt, grekët dhe shqiptarët, përpjekje që u kurorëzua me nënshkrimin e protokollit të krijimit të Lidhjes së miqësisë dhe bashkëpunimit.
Në një revistë të kohës me emocion gjeta dhe një vjershë kushtuar Ismail Qemalit.
Më 6 Qershor të vitit 1901 Lidhja e shoqatës “Helenizmos” me kryetar Neokli Kazazin, dha një dreke për nder të Ismail Bej Vlorës. Në fillim të drekës poeti Kristos Kristovasilis recitoi vjershën kushtuar liderit të shqiptarëve dhe mikut të Greqisë.
Më poshtë vijon kronika e kësaj dreke, e cituar në librin “Greqia dhe Shqipëria në fillim të shekullit të 20-të”):
Drekë për nder të Ismail Qemalit
Duke ndjerë rreziqet që shfaqen në horizont me ardhjen e shekullit të 20-të, Neokli Kazazi nga ana e Greqisë dhe Ismail Qemal Bej Vlora nga ana e Shqipërisë, bënë përpjekje të shumta për përafrimin e të dy popujve, që më vonë, në vitin 2007, u kurorëzuan me nënshkrimin e Memorandumit Greko-Shqiptar.
Për këtë qëllim, shoqata “Elinismos” shtroi në Kifisia një drekë për nder të Ismail Qemalit. Lidhur me drekën, u botua në në revistën “Elinismos”, (vol. 3, korrik 1900), teksti i mëposhtëm:
Zyrtarë të huaj në shoqatën tonë
Shoqata jonë kishte lumturinë të mikpresë gjatë këtyre ditëve dy vizitorë zyrtarë, zotin Ismail Qemal bej Vlora, funksionar të lartë të perandorisë osmane, një nga burrat më të shquar të Shqipërisë së Poshtme që vinte nga Konstandinopoja, dhe që nuk pajtohet me sovranitetin (e perandorisë) mbi shtetin e tij dhe filelinin (progrekun) e shquar rus, z. Nikolaj Nikolajeviç Durnovo, që për arsye turizmi udhëtoi në Konstandinopojë dhe Athinë.
Për nder të shqiptarit Ismail Qemal Bej Vlora, u shtrua drekë në Kifisia, me pjesëmarrjen e kryesosë së shoqatës dhe të përndriturit shqiptarë të këtushëm. Gjatë drekës u shkëmbyen shumë mendime rreth bashkekzistencës vëllazërore të grekëve e shqiptarëve, këta të fundit duke pasur një regjim autonom, si dhe për shpëtimin nga rreziku sllav...
Gjatë hapjes së drekës, poeti Kristos Kristovasilis, recitoi poezinë që vijon, kushtuar udhëheqësit shqiptar dhe mikut të Greqisë. Kjo vjershë dëshmon se shtatë vjet para nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit Greko-Shqiptar, kishin ekzistuar në fushën e ideve, përpjekje për një bashkëpunim të gjerë dhe të përzemërt ndërmjet të dy popujve.


Dy motrat

Kushtuar Ismail Qemalit-Bei Vlora
Sa të dashura janë të dy motrat në botë
Vllazëroria-lavdi, nderi-mburrje u përndrin

Τë dyja shpata e përkrenaria kanë çka thonë
Lirinë dikur bashkë i paten bashkë në gëzim.

Por vitet ikën dyfish të zi, muajtë lemerike
Sëmundjet ranë tek dy motrat e brengosura
Ranë, të dyja skllave në egërsirën aziatike
Dhe rrugëve u zvaritën të prangosura

Liria iu shfaqet në ëndërrat e tyre të zeza.
Vetëtitiu, dritën solli burgjeve të errëta
Zinxhirat shpërthyen, bënë me to shpatat
lirinë dhe lavdinë me luftë kërkuan të ngratat

Vetëm fatlumtura shpalosi me gjithë nur Greqia
Mbi tiraninë triumfoi, me kurorë e zbukuroi Liria.

Zvarritet ende në skllavëri motra tjetër Shqipëria..

Vitet brumosën… e largët s’do jetë dita
Do ngrihet motra të shpërthejë zinxhirat.
Lumturinë gjithë mall ta përqafojë lavdia
Dy motra të dhembshura: Greqia dhe Shqipëria..


K. Kristovasili

Qifisia 21 Maj 1900


Në ciklin e artikujve të gazetave greqisht dhe shqip si temë qëndrore është: “Destinacioni i Helenizmit”. Në ato shquhet erudicioni i Ismail Qemal Bej Vlorës. Një erudicion që më la më shumë përshtypje se shkrimet e Eqerem Bej Vlorës, të cilat i pata lexuar qysh para 30 vjetësh. Ismail Qemali është më mbresëlënës si historian kur përshëmbull shkruan me një bukuri të rrallë për Antikitetit Grek homocentrizmi e artit dhe të kulturës së lashtësisë në progresin e njerëzimit. Mandej ai trajton figurat historike të Aleksandrit të Madh, Apostol Pavlit në Athinë, arrin dhe analizon ngjarjet shekuj pas shekujsh deri në fitimin e lirisë nga Greqia. Po kështu ai shkruan edhe për figurën reformatore të Harilao Trikupit. Ismail Qemal Bej Vlora na shpjegon se Gjeografia dhe Historia e kanë vendosur Greqinë mes Lindjes dhe Perëndimit që do të thotë se prirja e natyrshme e këtij vendi është që të ndërtojë ura dhe një kulturë dialogu mes popujve të Lindjes, dhe thekson se këto gjëra janë nga më kryesore sot e më se të domosdoshme për të ardhmen e Ballkanit në Evropë.
Sa për ta ilustruar këtë, po japim të përkthyer vetëm fillimin e artikullit të nëtorit 1901:

SOTIRIA (SHPËTIMI)
Shqipëria
Gazetë politike greko-shqiptare, botohet dy herë në muaj
Drejtor – Kryeredaktor: Ismail Qemal bej Vlora
Viti i parë, e mërkurë, më 21 dhjetor/ 4 nëntor 1901, nr. 27

Destinacioni i helenizmit

Kombi grek ka, pa dyshim, një të kaluar madhështore dhe të drejtën për të shpresuar një të ardhme të madhe në Lindje. Le t’i lëmë mënjanë shërbimet, të cilat ky komb i madh i ka bërë njerëzimit në përgjithësi, duke përhapur në viset më të largëta të rruzullimit qytetërimin dhe shkencën, si thelb bamirës, dhe duke përfituar me të drejtë tituj mirënjohjeje prej njerëzimit. Por në gjendjen e sotme ekzistuese, kombi grek përbën elementin kryesor më të rëndësishëm të Lindjes...”
Të gjitha këto dokumente historike do të përpiqem t’i përkthej për t’ia dhënë sa më shpejt lexuesit e historianëve që t’i lexojnë e të bëjnë interpretimin e duhur shkencor të figures poliedrike dhe historike që evolon në vitet deri sa themeloi shtetin e pare shqiptarë, hyjnori vlonjat, Ismail Qemal-Bej Vlora.