DIONIS QIRZIDHI: Nga jeta e Bajronit... (Din viaţa lui Byron)


Ky libër nuk ka si qëllim historinë e jetës së furishme të Bajronit: poet dhe personazh, as të bëjë analizën e veprës së tij. Me anë të këtij libri, pas leximit të dhjetëra biografive, monografive, studimeve, do të përpiqemi të tregojmë jo vetëm të thënat, por sidomos të pathënat, të njohurat, por dhe të panjohurat për lexuesin kureshtar; misteret që e shndërruan shtegtarin e dashurisë në simbol të shtegtarit të lirisë.

Një kreshtë dallge e lirë e cila udhëtonte nëpër vite lufte, atje ku e drejtonin erërat poetike, përplasej shkëmbinjve buzë Jonit. Mes shkulmeve të dallgëve, ashtu si në mitet, përlind “Afërditën bajroniane”, Çajlld Haroldin. Ngjitet majë Alpeve, haplehtë buzë liqenit Leman dhe grykës së Ronit: “Vendlindja e dashurisë për natyrën”. Kalëron prej Po-së në Arno. Tek “Ura e Psherëtimave”, në Venedik, këndon me gondolierët kanconeta me vargje të Turquato Tassos. Mban iso në këngën korale me Të rreptët bijt’ e shqipes!”Bo-bo-bo-bo-bo-bo-bo, Burra, Burra...”. Mediton tek shushurima e Aousës[1] së lashtë. Fle, ku e zë nata; pranë zjarrit, mbuluar me gunën e bariut. Herë mbi rrogoz o mbi hejbet, me kacekë me lëkurë dhie plot me verë. Nga dritaret e vogla të shtëpive të mikpritësve të tij: pamjet e korijeve plot koçimare. Fshatrat i sodit, ashtu siç i ka përshkruar Virgjili: “brofnin si dhitë e varura ndër shkëmbinj”.[2] Mëngjesi e gjen në pallat, mbrëmja në kasolle lopësh. Të nesërmen me një admiral. Muzgu i hirtë i dimrit, me kleftët.

Ulet këmbëkryq. Pi raki, “shpirtin e zjarrtë që nxjerrin nga rrushi”. Nën flakëritjen e zjarrit: magjia e valleve shqiptare. Në majë-malet blu Akrokeraune, “me syrin e zemrës”[3] sheh dymbëdhjetë shqiponjat që fluturonin në Parnas. Fantazon Karontin tek pinte eliksirin. Harpën e Orfeut. Zërin e Najadës. Shijimin e ambrozës. Frymëmarrjen e dallgës lozonjare, që i qahet bregut të detit. Buçimën e oqeanit. Ulërimën e talljes.
Në mendimet fisnike, në aktet kalorësiake, shpirti i tij shpërthen brigjeve të Mesdheut me vetëflijimin për lirinë. Nëpërmjet poezive zbuloi imazhin e Greqisë dhe Shqipërisë, me pasione dhe ngjyra më të gjalla, vënde, që banoheshin nga qytetarë, bashkëkohës, të cilëve u takonte një fat më i mirë. Poeti i çudirave të mëdha, në Olimpin poetik, do të adhurohej nga shqiptarët si Promete i shekullit të vet. Nga italianët: miku më i bukur i lirisë. Nga grekët do të krahasohej me Adonisin, Apolonin dhe heroin më fisnik të Pavarësisë.
Mendjet, më të ndritura të Evropës dhe të botës, e konsideruan njeriun e tyre, për artin e tij, pikëpamjet demokratike, antiabsotuliste. Sa për ta ilustruar këtë mendim, nga dhjetëra shembuj, përmendim: Gëtia deshi të plazmonte figurën e tij në pjesën e dytë të “Faustit”, Delakruain e frymëzoi për ciklin e kompozimeve në pikturë, Verdin, Paganin e shumë të tjerë në muzikë. Tenisoni, Skoti, Hygoi, Lamartini, Floberi, Pushkini, Lermontovi, Dostojevski, Miskeviçi, Edgar Allan Poe, George Richard Wilson Knight e shpirtëzuan Milordin me metaforën më të zjarrtë liridashëse. Bajroni, i cili u foli popujve me zemër dhe jo me fjalë, gati njëqind herë e botuan dhe ribotuan Çajlld Haroldin, në atdheun e Xhorxh Uashingtonit, që poeti e pati idhull, kësisoj se ai nuk shkeli mbi kombet e tjera që të çlironte popullin e vet.
Libri, pra, fton për një udhëtim në anijen me vela, pa kapedan. Anije së cilës i japin flatra fjollat e erërave poetike, nëpër dete e stere të njohura e të panjohura, plot me lojëra fati, aventura dashurie, patos dhe dhimbje, në këndvështrimin e shumë njerëzve të përfshirë tek Bajroni: Poeti i të gjithë epokave.

Tereza Guiccioli (Gamba)
Tereza, në sallonin e konteshës Albrizzi, plotësonte kostelacionin e yllësisë së bukurisë femërore. Me “romantiken kryeneçe” aventura nisi me një copëz letër, që ia lë në dorë tek largohet. Shkruante se dëshironte ta takonte, duke i lënë orën e vendin e takimit.
Më 29 qershor, i shkruante Murray-t: “...kalëroj ose prij çdo ditë nëpër pyll e në pishnajë... dhe shoh çdo ditë Damën time në orë të sakta (o të gabuara)... Duke e humbur atë, do të humbja një krijesë që ka rrezikuar shumë për mua, kështu kam arsye të shumta për ta dashur... Unë nuk e di se çfarë do të bëja nëse ajo do të vdiste... nëse nuk do të më ikë mendja e kokës...”
Letrën të shoqëruar me poezi-parodi ia dërgon poetit Moore në Londër, që ta shkëpuste nga prozaizmi londinez dhe të harmonizohej për pak çaste me serenatat mbi gondolat e Kanalit të Madh. Thomas Moore, me të vërtetë la Londrën për të shijuar mrekullitë e Venecias dhe për të soditur hiret e koketës elegante, tetëmbëdhjetëvjeçare, konteshës Tereza[4]. Ajo ishte dhe s’ishte Molla e Ndaluar e Dhiatës së Vjetër! I shoqi i saj, konti Aleksandri Guiccioli, ishte mëse shtatëdhjetëvjeçar, i martuar disa herë, me lidhje të shumta jashtëmartesore, me katër a pesë kopile të zëna nëpër orgji me kamerieret. Takimet e fshehta, me plot trille, i japin ndjesinë fatlume l’ultima mia Passione, tek shijonte eliksirin e buzëve të saj. Vila Foscarini, La Mira, ku bujti, bëhet çerdhja e tyre. Bashkëjeton mes qetësisë së natyrës, nxitet të rishkruajë nga përkëdheljet karizmatike të një gruaje frymëzuese. Detaje këto që ajo i përshkruan në kujtimet e saj. Rrinin orë të tëra në kopshtin me portokalle duke lexuar poezitë dhe mandej Terreza merrte kitarën e këndonte. Bajroni, i dashuruar, shkruante këngët në çdo çast kur i shkrepte, në çdo letër që gjente përpara. Vinte mandej m’i lexonte, gjithë qejf, por që gjatë recitimit, bënte ndreqjen e poezive, qeshte, qeshte, qeshte, me gjithë patos, i përmbyste mandej poezitë, që të tingëllonin më të bukura... Megjithëse si temperament ishte flegmatik. Ndjente se dashuria që lindi, rronte dhe do të vdiste ndër sytë. Piktori amerikan William Edward West, me porosi të Mouri-t, në prill 1822 i bën portretin Bajronit dhe dëgjon nga dhoma përbri zërin e Terezës. ”Mbeta i mahnitur. Flokët e saj të verdha binin të shpleksura mbi supet dhe drita e diellit i bënte të dukeshin të florinjta. Buzëqeshja romantike, sytë e saj shumë të bukur, metamorfozoheshin në vegim qiellor” - shkruan Wets-i i cili i pikturon dhe Terezës portretin.

Letër e Bajronit për Terezën
George Gordon, Lord Byron to Teresa Guiccioli
Bologna, 25 August, 1819

My dearest Teresa, I have read this book in your garden, my love, you were absent, or else I could not have read it. It is a favorite book of mine. You will not understand these English words, and others will not understand them, which is the reason I have not scrawled them in Italian. But you will recognize the handwriting of him who passionately loved you, and you will divine that, over a book that was yours, he could only think of love. In that word, beautiful in all languages, but must so in yours - Amor mio - is comprised my existence here and thereafter. I feel I exist here, and I feel that I shall exist hereafter, to what purpose you will decide; my destiny rests with you, and you are a woman, eighteen years of age, and two out of a convent, I wish you had stayed there, with all my heart, or at least, that I had never met you in your married state. But all this is too late. I love you, and you love me, at least, you say so, and act as if you did so, which last is a great consolation in all events. But I more than love you, and cannot cease to love you. Think of me, sometimes, when the Alps and ocean divide us, but they never will, unless you wish it.
Byron
Xhorxh Gordon, Lord Bajron për Tereza Guiçioli[5]
Bolonjë, 25 gusht 1819

E shumëdashura Terezë, e lexova këtë libër në kopshtin tënd. E dashur, ti nuk ishe aty, se po të kishe qenë, unë s'do të mundesha ta lexoja. Është një nga librat e mi të preferuar. Ti nuk do t’i kuptosh këto fjalë anglisht edhe të tjerë nuk do t’i kuptojnë, prandaj unë nuk i shkarravita italisht. Po ti do të njohësh shkrimin tim, të atij që aq me pasion të dashuroi dhe do ta kuptosh që me këtë libër unë tregoj se sa të dua. Në këtë fjalë, të bukur në të gjitha gjuhët, por me shumë në tuajën - Amor mio – përfshihet gjithë ekzistenca ime këtej e tutje. Nëse do ndjej se ekzistoj këtu, apo do ndjej se do të ekzistoj që këtej e tutje, për këtë je ti që do të vendosësh. Fati im është në dorën tënde dhe ti je një grua 18 vjeçare, dy vjet ke që ke dalë nga manastiri dhe do të kisha dashur të ishe atje akoma me gjithë zemër, ose të paktën të mos të të kisha takuar siç je, e martuar. Por të gjitha këto janë tepër vonë. Unë të dashuroj dhe ti më dashuron ose vepron sikur të më dashuroje, e cila është një ngushëllim për çdo rast. Por unë të dua aq shumë, sa s'mund të pushoj së dashuruari ty. Mendo për mua ndonjëherë kur Alpet dhe oqeani të na ndajnë, por ata s'do të munden kurrë, po s'deshe ti.
Bajron

Tereza i përgjigjet:
Mendo - dashuria ime, ato çaste të ëmbla, të rrezikshme, por, me gjithë kuptimin e fjalës, të lumtura, jo vetëm për kënaqësinë, më shumë se ekstaza që më jepje, por rreziqet që për fat të mirë shpëtuam. Holli! Salloni! Porta e hapur! Shërbyesit, kaq kureshtarë dhe kaq pranë- Ferdinandi, vizitorët! Sa pengesa! Por të gjitha u kapërcyen- një triumf i vërtetë i Dashurisë!...My love, come suona bene nella tua lingua! Le Alpi e l'Oceano non ci divideranno, non voglio neppure pensarci. Il mio cuore è già troppo ferito per i miei giovani anni, sto bruciando, bruciando al pensiero che presto bacerò le tue labbra carnose…"
Marrëdhëniet e tyre tërhoqën vëmendjen e Ravenës. I shoqi, nervoz, sy e veshë, endej si re e zezë për t’i kapur në flagrancë.

Tereza i shkruan vëllait Pietro Gamba
Përse nuk duhet ta dua një mik të tillë? Ndjenjat që kam për të janë më të forta se të gjitha arsyetimet dhe, duke dashur Lord Bajronin ashtu si e dua unë atë, mendoj se nuk fyej ligjet e shenjta. Më kërkon të heq dorë nga kjo miqësi, po pse? Për shkak të kontit? Por me dëshirë të tij Bajroni është këtu. Për shkak se çdo thotë bota? Por këtë botë, njohjen e së cilës mezi e kam bërë, mendoj se tashmë e kam vlerësuar, i kam kuptuar kotësinë e padrejtësinë e saj si dhe paaftësinë të mbushë një zemër dhe një shpirt që ka vetëm ndonjë nevojë të thjeshtë e të lehtë. Mos është frika se bota mund të gjejë rastin për të ushtruar keqdashësinë e vet? Por më duket, nga aq pak sa kam parë prej saj, se ajo s’ka nevojë të sillet kështu. Dhe çdo të më kthejë mua kjo botë për të më shpërblyer sakrificën që duhet të bëj, për dorën e këtij miku që më mbron, për inteligjencën e tij të mprehtë, për zemrën e tij të madhe që do të jetë ndriçimi i jetës sime për të më treguar udhën e drejtë? Po ma kërkon këtë në emër të qetësisë dhe të lumturisë sime? Por duhet ta gjej paskëtaj lumturinë pa të? Më duket se po nuk e pashë më kurrë sërish, për mua nuk do të ketë më diell në qiell... Sa për pallavrat e përhapura nga armiqtë e tij në Romë, të lutem t’i konsiderosh përralla. Detaje këto, të cilat Tereza, i përshkruan më vonë në librin e saj me kujtime. Rrinin orë tëra, në kopshtin me portokalle, duke i lexuar poezitë. Pasdite vinte pajtoni me Meri Shellin, që të merrte shëtitje Terezën. Bajroni kalëronte mbi kalin e racës dhe zhdukej pyjeve. Tereza në kujtimet e saj shkruan se shpesh Bajroni, i dashuruar, i shkruante këngët në çdo çast kur i shkrepte, i hidhte vargjet në çdo letër që gjente përpara. Parandjente se dashuria që lindi, rronte dhe do vdiste ndër sytë e tij[6]. Kontesha ishte femra që nuk ishte taksur për fatkeqësi. Fytyra i ngazëllehej nga dashuria, që për poetin ishte prehje, shfaqje e mrekullueshme e zgjimit të frymëzimit. Tereza gjithë jetën, freskinë e marrëdhënieve me Bajronin, i ruajti të gjalla në kujtesë, si një thesar kujtimesh. Bile dhe i shoqi, i fundit, kur e prezantonte në sallonet mondane në Paris, thoshte me krenari: Tereza - gruaja ime, ish-dashnore e Lord Bajronit[7]. Por, sa do të zgjatej kjo dashuri në krahët e entuziazmit? Dëshpërimi i Terezës ishte i pangushëllimtë kur mësoi se Bajroni përgatitej për të shkuar në Greqi. Kupidoni i verbër ishte e pashmangshme të mos bënte krahë e të ikte. Bajroni me parimin, se: Dashuria për burrin është një rast i veçantë i jetës së tij, kurse për gruan është gjithë jeta e saj, - parandjente se nektarin e dashurisë tek ajo “lule kontesha”, e kishin thithur dhe mbaruar.

Letra e Teresa Guicciolit drejtuar z. Hobhouse
Pas largimit te Hobhouse-it, Teresa Guiccioli i dërgoi atij një letër, në stil zyrtar, në të cilën, ndoshta, tregon se sa me finesë ajo kishte marrë me mend mosmiratimin e tij për të:

Në anën e sipërme të zarfit: To The Honorable / J.C. Hobhouse/ 
Florence
23, shtator, 1822

Fort i nderuari Zotëri
Do të gjeni këtu brenda një letër plot sqarime të babait tim drejtuar Markezë Sacrati-t, një kushërirë e jona, njohja me të cilën shpresoj të të shërbejë në Romë dhe shoqëria më të cilën të mos jetë e bezdisshme. Ndërkohë, me kënaqësi të madhe, përfitoj nga rasti për t’ju shprehur ndjenjat e konsideratës time dhe për t’ju siguruar për vlerësimin që më jep njohja me ju. Imzot, pasi vuajti shumë për dy ditë rresht nga dhimbjet e reumatizmës, tani ndjehet më mirë në sajë të një kure të menduar nga Vacca, i cili ka një butësi të çuditshme në raste të tilla, për të cilën nuk kam ç’të mendoj tjetër veçse ndikimit të këshillave tuaja të urta. Dhe kjo gjë është për mua një ngushëllim i madh - i cili do më bëjë të kujtoj praninë tuaj për ta mbajtur ashtu siç duhet - si ajo e një gjeniu bamirës - që edhe sikur ta dëshiroja nuk do më largonte cilësitë e rralla si dhe kënaqësinë për ta parë më të gëzuar Bajronin. Unë shpresoj se do të bëni, dhe keni për të bërë, një udhëtim të këndshëm për aq sa lejon stina me kohë të paqëndrueshme, e cila mund ta bëjë jo të sigurt nisjen tuaj, por që mund të bëhet të mërkurën e ardhshme. Mora guximin t’ju shkruaj në italisht, gjë për të cilën ju kërkoj falje, meqenëse ju e njihni kaq mirë gjuhën tonë. Imzot ju dërgon të fala të përzemërta si dhe me shumë respekt dy zonjave, motrave tuaja. Ju lutem pranoni të përsëris vlerësimin dhe mirënjohjen time, duke e quajtur veten,
shërbëtorja juaj e përkushtuar.
Teresa Guiccoli Gamba

Krenohu, mbret i këngëve të pavdekshme!
Kujtimet e Lamartinit
Intermezzo
“Bajroni qe një nga magët e mëdhenj të romantizmit evropian. Sindroma e romantizmit është e ndikuar nga lëvizjet kalodoiskopike të Evropës në këtë shekull. Revolucioni francez u bë heraldika shpirtërore e lirisë... Poetët u bënë apostolues të lirisë dhe të principeve të mëdha të romantizmit”- shkruan poeti Moikom Zeqo.
Lamartini ishte dy vjet më i vogël se Bajroni. Në vitin 1819 lexoi Kursarin, Lara, Manfredin. I dehur me poezinë e Milodrit, në vitin 1820, botoi përmbledhjen poetike Premiers Meditations poetizues, duke i kushtuar disa poezi Bajronit Toi, dont le monde entiere ignore le vrai nom (Ty, që të gjithë të mohojnë emrin e vërtetë). Në vitin 1829 shkroi Çajlld Haroldin e vet, Denier Chant du peterinage d’Harold. Tereza i përgjante si tip me Sanseverinën, te Manastiri i Parmës i Stendalit, e cila pohonte se një dashuri e zjarrtë meriton sakrifica dhe duhet të zgjedhësh atë në vend të banalitetit të një dashurie bashkëshortore. Njihet me Terezën në Romë, në festimet e Vitit të Ri – 1827. E viziton në shtëpi, me kopshtin e madh gjithë lule, me aroma, që i bënte më shprehëse kujtimet e bukura të dashurisë së saja. Me lajtmotivin, që përsëriste: Oh sa i bukur që Bajroni ishte!, dukej se ftonte nga qiejtë “Këngën e Këngëve” të jetës së saj: Dieu! Qu’l etanit beau!... Duke lozur në kitarë dhe në piano, këndonte copëza kanconetash me tekst të Bajronit, para portretit të Poetit. Mbi piano libri me kujtimet e saj Storia[8]. Leximi i kujtimeve të Terezës e nxiti edhe më shumë Lamartinin për të shkruar librin e tij Vie de Byron[9].
Në vitin 1828 Lamartini shkoi në Florentinë që të bisedonte me ledin Blessing. Ledi shkruan, se, Lamartini ishte shumë i bukur, xhentëlmen, që nuk të bënte të dyshoje se ishte poet! Ajo i hapet me kujtime befasuese, duke risjellë në kujtesë peripecitë e bajronizmit që mbeten përherë të proshkëta e këndjellëse. Kontesha Tereza Guiccioli vdiq mes të mirave, e lumtur nga jeta, në moshën shtatëdhjetë e tre vjeçare[10]. Ndërsa i vëllai i saj, Pietro Gamba (1800-1827), vdes në Greqi, pas Bajronit, në moshën 27 vjeçare[11]. Anekdota të shumta ka për bajronistin Gustav Flober që emocionohej sa herë dëgjonte emrin e Bajronit. Shkon pelegrinazh tek varri i Bajronit, rri orë të tëra, e shkruan emrin e tij në gur...[12]

Profecia e Dantes
Qershor 1819 - Ravena
Tek varri i Petrarkës, mbi pllakën e mermertë mbështeti bllokun e shënimeve dhe shkruan: Dashuria do ta gjejë udhën dhe aty ku ujqërit kanë frikë të gjuajnë... A mendoni ju se, po të kishte qenë Laura gruaja e Petrarkës, ai do t’i shkruante sonete gjithë jetën?
Kërkon të përjetojë historinë e Paolos dhe Françeskës së famshme. Ecejaket në Kështjellën e Gradarës, midis Riminit dhe Pezaros, ku jetonin dikur familjet fisnike, e Polentëve dhe ajo e Malatestëve, në armiqësi të përhershme mes tyre. Edhe pse Dantja i vendosi dashnorët, Paolon e Françeskën, në Ferr në Komedinë Hyjnore, ai nuk e gjen fajin te ndjenja dashurore e dy engjëjve të dashurisë, por në kontekstin dhe në moralin e asaj kohe.
Bajroni mendon e rimendon për Ferrin e kallkanosur vetjak. Mëkatet e shumta në jetë i peshon me ato të dy engjëjve të dashurisë danteske, që as do mund të krahasoheshin... Kontesha Tereza, nëntëmbëdhjetë vjeçe, e mori “për dore” si Frini Praksitelin, që të skaliste në vargje The prophecy of Dant” (Profecia e Dantes). Ka parasysh mesazhin e fjalëve, që i vë në gojën e Dantes:
Të internuar më bënë /veç nuk arritën t’më bëjnë skllav.
Bajroni qëndroi për pak në Ferrara për të vizituar spitalin e kishës Shën Anna. Ndenji në qeli, atje ku Torkuato Tasson e patën mbyllur kundërshtarët e tij, si të çmendur (nga viti 1579 deri më 1578). Në mesnatën e së njëjtës ditë, në Milano, hodhi në letër 250 vargje. I përpunoi, duke rënkuar dhe ofsharë për vuajtjet që hoqi Rilindasi për shprehjen e mendimit të lirë. Poema Kuja e Tassos (The Lament of Tasso) ishte gati, kushtuar heroit-poet, që frymëzoi dhe Gëten.
Me të nisur arrestimet në masë nga policia austriake, i shkroi konsullit anglez, Richard Beigrave Hoppner në Venecia: “Ju nuk keni ide se në çfarë gjendje ndodhet vendi. Janë arrestuar në Rumani mbi njëmijë vetë, që nga shtresat e larta e të ulëta, disa i internuan, të tjerë i burgosën, pa të drejtë dhe pa gjyq...”
To Countess Teresa Guiccioli (1819)
Shelli - letër Tereza (Gamba) Guiccioli Lejomëni, madamë, të paraqes arsyet për të cilat mendoj se Gjeneva do të ishte një strehë e padëshirueshme. Rrethanat tuaja japin disa ngjasime me ato në të cilat u gjend familja ime dhe e Lord Bajronit verën e vitit 1816. Shtëpitë tona ishin ngjitur dhe, duke mos kërkuar tjetër shoqëri, mënyra jonë e jetës ishte e ngushtë dhe e qetë, askush nuk mund të përfytyrojë jetë më të thjeshtë se tonën ose ndonjë më pak të çmuar për të tërhequr gjithë ato shpifje që u vërvitën mbi ne. Këto shpifje ishin të përbindshme dhe vërtet tepër të turpshme për të na lënë neve, viktimave të tyre, qoftë edhe mbrojtjen e përbuzjes. Vendasit e Gjenevës dhe anglezët që jetonin atje, nuk nguronin të provonin se ne bënim një jetë të shfrenuar liberali. Ata thoshin se ne kishim formuar një pakt për të shkallmuar gjithë ato që vështroheshin si më të shenjtat në shoqërinë njerëzore. Lejomëni, madamë, të shpjegohem në hollësi. Do t’ju them vetëm se ateizmi, horrllëku dhe shumë gjëra të tjera - nganjëherë qesharake, nganjëherë të tmerrshme - u hodhën mbi ne. Gazetat angleze nuk vonuan të përhapnin skandalin dhe njerëzit ta besonin atë. Zor se i shpëtuam ndonjë dëmi. Banorët në anën tjetër të bregut të liqenit, përballë shtëpisë së Bajronit, përdornin tejqyra për të përgjuar lëvizjet tona. Një zonje angleze i ra të fikët (ose u shtir) nga tmerri sapo e pa atë të hynte në dhomë. Karikaturat më të shëmtuara për të dhe shokët e tij përditë shpërndaheshin kudo dhe të gjitha këto, brenda tre muajve. Efekti i të gjitha këtyre në shpirtin e Lord Bajronit ishte i papëlqyeshëm. Hareja e tij e natyrshme thuajse e la krejt. Një njeri duhet të jetë pak a shumë stoik të përballë fyerje të tilla me aq durim. Madamë, mos e gënjeni veten me mendime se anglezët, meqë e pranojnë Lord Bajronin si poetin më të madh të kohës sonë, do të shmangeshin së ngacmuari e munduari për aq sa ata të jenë në gjendje. Admirimi i tyre është pavullnetshëm dhe shpifin për të si pasojë e paragjykimeve të tyre të pamasa, sa më shumë që e lexojnë për qejf të tyre.
Ju, madamë, nuk mund të merrni dot me mend rreptësinë e paanë me të cilën një farë klase e anglezëve e urren atë, sjellja dhe mendimet e të cilëve nuk janë prerë sipas tyre. Sistemi i këtyre ideve formon një supersticion, i cili vazhdimisht kërkon dhe gjen viktima të reja. Sado e fortë të jetë urrejtja teologjike, ajo gjithmonë i hap udhë urrejtjes shoqërore. Kjo gjendje mendore është e ditës në Gjenevë dhe u gjallërua me qëllim që të mundte Lord Bajronin dhe miqtë e tij. Kam frikë se arsye të njëjta nuk do të shkojnë kot për të dhënë të njëjta pasoja, në qoftë se udhëtimi që po planifikoni, do të bëhet. E mësuar me mënyrat e urta të Italisë si jeni ju, madamë, vështirë se mund të hamendësoni se ç‘vrull ka mbërritur kjo urrejtje shoqërore në një moment më pak të lumtur. Mua më takon t’ua them këtë. Unë kam parë të gjithë ata që ishin më të dashur për mua të ndërlikuar në mënyrë të pashmangshme në këtë shpifje. Gjendja ime ka disa ngjashmëri me të vëllait tuaj dhe tamam për këtë, jam i zellshëm t’ju shkruaj gjithë këto, t’ju shkoqis të gjitha prapësitë, të cilat për dreq i kam vuajtur vetë.

Jemi tashmë motra në fatkeqësi![13]
Meri Shelli - Teresa Guiccioli

Shumë e dashur mikeshë,
Si mund t’ju shkruaja? Si të shpreh dhimbjen e madhe që më sëmbon zemrën? E shkreta Terezë! Jemi tashmë motra në fatkeqësi! Ndruhem se mos letra ime ta dyfishon trishtimin tënd dhe, fatkeqësisht, ndiej se s’ka për të ngushëlluar ndopak. Nuk mund të përdor fjalë të përgjithshme për t’ju ngushëlluar, sepse e di që ato nuk shprehin shumë. Si mundem të them se paqja do jetë me ju atëherë kur koha të ketë shëruar plagët e dhimbjes, nëse e ndjej se, për këto plagë, koha nuk mund të bëjë asgjë? Për ditë e më shumë ndiej brenda meje se sa pak vlen bota kur ajo çka do, të mungon. A nuk e ka thënë vetë i shtrenjti Bajron (ai që njihte me themel zemrën e femrës) se gjithë ekzistenca e një femre varet nga dashuria dhe, atëherë kur ajo humbet të dashurin, nuk i mbetet tjetër veçse të gjejë strehë në To love again and be again union (anglisht ne tekst: Të dashurosh përsëri dhe të bashkohemi përsëri).
Por ne, e shtrenjta Guccioli, nuk e kemi këtë strehëzë. Fati na dha të dyjave shpirtrat e parë që deshëm dhe, tani që i humbëm ata, nuk ka për ne një dashuri të dytë; dhe zemrat tona, më shumë se kurrë të vetmuara, nuk janë gjë tjetër veçse monumente që tregojnë lumturinë që është varrosur aty.
Dhe e pashë për herë të fundit! Nuk kam për të parë më kurrë më të bukurin e të gjithë burrave, këtë krijesë të lumturuar që ishte mburrja e gjithë botës; kurrë s’kam për të dëgjuar zërin e tij duke lexuar një poezi të re, fryt i gjenisë së tij të paarritshme. E di që nuk duhet të shfrej në këtë mënyrë duke të shkaktuar lot tani që sytë e mi janë të mjegulluar nga lot të dhimbshëm. Kur unë humba gjysmën e dashur të vetes time, asgjë nuk më ngushëlloi më shumë se sa fjalët tij, më qetësonin aq shumë ato, dhe marr me mend tani se edhe ju do të doni të ndjeni në vuajtjet e një mikeshe të Bajronit, jehonën e lotëve të tu.
Do të doja të isha pranë teje, e shtrenjta konteshë; do të flisnim së bashku për Bajronin e dashur, do të kujtonim kohën që kemi kaluar së bashku - për shëtitjet tona, kur ai na dilte përpara me atë madhështinë e bukurisë së tij dhe bisedat nuk do të kishin të mbaruar. Sigurisht që nuk të mungon simpatia e miqve të tu; më ngushëllon mendimi që ndodhesh ndërmjet miqve dhe që shijon kënaqësinë që miqësia e vërtetë mund të falë.
Sa frikë për këtë udhëtim! Çdo ditë bindem se Zoti na ka dhënë një forcë për të parashikuar të këqijat. Por jemi të gjitha Kasandra; e kështu të verbra si jemi, nuk bëjmë kujdes ndaj zërave të heshtur që dëgjohen në shpirt. Dhe kur profecitë plotësohen, atëherë njihet e vërteta…
Zonja Williams ju lutet të pranoni shprehjet e simpatisë së saj. E shkreta ajo! Është shumë keq: dobësuar sa të tmerron, me shëndetin të shkatërruar plotësisht. Për ne jugorët nuk ka pranverë që shëron trupat e vuajtur; të ftohtët, shiu dhe ndryshimet e motit dobësojnë dhe shkatërrojnë edhe trupat më të fortë; dielli për ta është gjithmonë i zënë. Por le të mos flasim për këto vogëlsira. Kjo fatkeqësi do të errësonte edhe qiellin e bukur të Italisë, ndërsa lulet për ju nuk do të ishin gjë tjetër veçse zbukurime për varrin e dashurisë suaj. Megjithatë, ki kurajo, siç duket kemi një ligj të ri të natyrës: do të vdesim të gjithë të rinj! Pra, kurajë! Kështu që për ne rruga e panjohur e vdekjes është e shënuar nga të dashurit tanë dhe kur të bëjmë po atë rrugëtim, do të mbërrijmë në një vend të panjohur, ndërsa ata që duam do të jenë ndërkaq atje dhe do të shpejtojnë të na urojnë mirseardhjen. Të vdesësh, për ne, nuk do të jetë një ndarje nga të mirat e jetës, por një bashkim me të shtrenjtët tanë që na i ka rrëmbyer Vdekja.
Eh! E shtrenjta ime, më shkruaj sa më shpejt (…)

[1] Emri i vjetër i lumit Vjosë.
[2] Xhon K. Hobhouse, Letra nga Shqipëria”, f. 94.
[3] Varg nga “Prometheu” i Eskilit.
[4]Tereza Gamba Guccioli ishte e bija e Ruggero Gamba, nga familjet e vjetra aristokrate të Ravenës, me origjinë rumune. I ati ishte një pjesëtar energjik në lëvizjen për pavarësinë e Italisë. Tereza pasi mbaroi shkollën e mesme në Manastirin Santa Chiara në Faenza, martohet me kontin Alessandro Guiccoli, dyzet vjeç më i madh. Pas mosmarrëveshjes me të shoqin, i cili e pat zënë në flagrancë në Ravenë me Bajronin, kërkon nga Papa i Romës ndarjen, e cila i jepet me ndërmjetësinë e të atit të Terezës. Pasi i ati me të vëllain, Pietron, largohen nga Italia për të mos u arrestuar, Tereza bashkëjeton me Bajronin, derisa ndahet në Pizë.
[5] Përkthyer nga Lluka Qafoku
[6] U. Shekspir.
[7] Tereza në vitin 1832 shkoi për pelegrinazh në Londër për të vënë një buqetë me lule mbi varrin e Bajronit. I bën vizitë Augustës, duke biseduar me të për orë të tëra me kujtimin e Bajronit. Kontesha martohet në moshën pesëdhjetëvjeçare përsëri me Markezin Buassi. Në sallonin e madh të shtëpisë në Paris kishte portretin e Bajronit. Kur vdiq markezi, shkroi kujtimet e saj për Bajronin. Lamartini shkon dhe e viziton shpesh për të shkruar dhe ai më vonë kujtimet, sipas mënyrës së tij.
[8] Tereza Guiccoli shkroi në frëngjisht Lord Byron juge par les temoins de sa vie. Në frëngjisht la dorëshkrimin rreth 1700 faqesh në Bibliotekën Classense të Ravernës, me titull La Vie de Lord Bayron en Italie. ( P. Kanelopçulu f. 171)
[9] Për Lamartinin dhe Bajronin u shfrytëzuan informacionin që na jep shkrimtarja angleze Fiona MaCarthy, në librin Bajroni jeta dhe legjenda, f. 553- 554
[10] Harold Nicolson, Byron, The last journey, f. 56
[11] Panajoti Kanelopulu, po aty, f. 171
[12] Andre Moropis, Jeta e Bajronit, f. 45

[13] Përkthyer nga origjinali, Petraq Truja.