(Tregim)
Nuk kish ditë më të lumtur për Mazllumin, (që
njihej nga të gjithë me nofkën “Kuton”, ngaqë, pas dy fjalësh, të tretën
shqiptonte foljen “kupton”, së cilës ia hante sistematikisht “p”-në), se sa kur
vinte ndonjë direktivë nga Lart. Le pastaj kur kjo kish lidhje me rreptësimin e
masave për fuqizimin e diktaturës së proletariatit. Këtë e kishte pikën më të
dobët, sepse edhe vetë kishte dalë drejtpërdrejt prej gjirit të klasës puntore:
nga brigadier ndërtimi, kishte hipur majë karrikes së sekretarit të partisë të
rrethit për propagandën.
E, pra, një ditë e tillë ishte edhe ajo e premte qershori, paçka që me shi të rrëmbyeshëm e të pandalshëm. “Qielli le të vrenjtet sa të dojë, mua më qesh e më gufon zemra! Të rrojë partia!” i tha Mazllumi sekretarit të parë, kur ky e vuri në dijeni për një udhëzim të sapombërritur të Qëndrës për thellimin e luftës së klasave, jo vetëm në gji të popullit, por edhe në vetë radhët e partisë. Dhe vërtet: komunistët duhej të ishin, edhe këtë herë, si gjithmonë, të parët në sakrifica, ta fillonin nga vetja.