Ernst
Ingmar Bergman (14 korrik 1918, Uppsala - 30 korrik 2007, ishulli Fårö, Suedi) njëri nga regjisorët
më të shquar të të gjitha kohërave, u lind në familjen e priftit luteran me
prejardhje daneze Erik Bergman, - që u bë më vonë kapelan i Mbretit të Suedisë,
- dhe Karinit (ish Åkerblom).
Bergmani
ndoqi Shkollën e Lartë të Stokholmit dhe disa kurse letërsie në Universitetin e
Stokholmit, por i ndërpreu, sepse, siç e dëshmon vetë: “iu përkushtua filmit”.
Pasi
drejton për disa vjet teatrin Shtetëror të Helsingborgut, Bergmani bëhet i
njohur botërisht me filmin “Vula e shtatë” (Det Sjunde inseglet, 1956), i cili
hap serinë e disa kryeveprave, si "Manaferrat e egra"
("Smultronstallet"), “Pranvera e virgjëreshës” (Jungfrukällan, 1959),
"Përmes një qelqi të errët", 1961.
Mes
viteve 1963 dhe 1966 Bergmani është drejtor i Teatrit Mbretëror Shtetëror të
Stokholmit. Filmat e kësaj periudhe, "Persona" (1966) me Liv Ullmann-in
dhe Bibi Andresson-in në rolet kryesore, "Pasioni i Annës" (1969),
"Prekja" (1970) apo "Britma dhe pëshpëritje" (1972), frymëzohen
kryesisht nga nëna e regjisorit dhe çmohen për thellësinë dhe befasinë e vëzhgimeve
e të mënyrave të xhirimit. Bergmani vijon
me filma televizivë, si "Skena nga një martesë" (1974) dhe "Ballë
për ballë" (1976), që shfaqen edhe në kinema.
Për
një kohë, Bergmani largohet nga Suedia dhe vendoset në Gjermani.
Në
vitin 1982 mbaron së xhiruari kryeveprën autobiografike "Fanny dhe Alexander-i",
që fiton Çmimin Oskar si filmi më i mirë i huaj. Pas kësaj arritjeje, Bergmani
përqëndrohet në veprimtarinë si skenarist, regjisor teatri dhe shkrimtar.
Ingmar
Bergmani ndërroi jetë në gjumë, në shtëpinë e tij në Fårö, më 30 korrik 2007,
dhe u varros më 18 gusht të po atij viti.
“Llampa
magjike” (Lanterna magica), botuar në vitin 1987, cilësuar nga Roland Barthes
si “një autobiografi që ndruhet ta quajë veten roman” përshkruan me një forcë të
jashtëzakonshme etapa nga jeta e Bergmanit, qysh nga fëminia e deri pasi u tërhoq
të jetonte i vetmuar në ishullin Fårö. Mundimet e prindërve dhe të miqve, pesë
martesa, nëntë fëmijë, pengesa e arritje të paharrueshme, mërgime e kthime, dështime,
smira, adhurime të skajshme e humbje njerëzish të shtrenjtë – gjithçka përshkruhet
si nga një kamerë, brenda së cilës drithëron një shpirt i vetmuar që nuk gjeti për
asnjë çast paqe të mirëfilltë përveçse në art.
Për
nga thellësia e vëzhgimeve, çiltërsia, humori, vetoironia, tematika dhe përkushtimi
me të cilën trajton disa nga temat e përhershme të jetës, libri është një
kryevepër letrare që do të duhet t’i jepet sa më shpejt edhe lexuesit shqiptar.