Rast
krejt të veçantë në krijimtarinë letrare lidhur me kulturën detare dhe detin si
kulturë përfaqëson vepra e Martin Camajt. Që krijimtaria e këtij autori “i ka rrënjët në kulturën
shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar”, në etnosin apo onomastikën e Temalit si vendlindje, mund ta vërejmë
e ta gjejmë të dëshmuar në të gjithë veprën e tij të gjerë. Larg çdo dyshimi
krijimtaria e Camajt në frymë ka përkatësi malore si topos dhe malsore si logos.
Peizazhi
i Dukagjinit ka ndikuar te “ky pinjuell malesh[1]”, siç e cilëson Koliqi, aq sa një peizazh mund të ndikojë në formimin e
botës së një shkrimtari të lindur, i cili kur kujton viset e veta shprehet: Kam lindë në një vis të
egër ku s’ka shkel kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ashtë ky vend.[2]
Por,
përkatësimin e Camajt për nga mali mund ta ndjejmë instinktivisht qoftë edhe duke
iu drejtuar thjesht titujve referencialë në veprën e tij të gjerë, nisur që nga
krijimtaria e tij e hershme apo edhe qoftë në tematika të shprehura. Vëllimet e
tij të parë “Një fyell ndër male” (1953),
“Kanga e vërrinit”
(1954) sikur parathonë dhe
skajojnë krijimtarinë e tij. Por kjo është veç dukja e thjeshtë.
Vëllimi me proza “Shkundullima”, përbën një pikë kthese, duke e shkëputur Camajn nga motivet vetëm tokësore dhe e hapur këtë autor drejt motiveve detare, prej nga Camaj nuk u nda, si në poezi ashtu edhe në prozën e tij, që paraqet një rast krejt të veçantë.