Silvana Leka: Rasti Martin Camaj – romani “Dranja” përballë detit

Në kujtim të 25 vjetorit të ndarjes nga jeta

Rast krejt të veçantë në krijimtarinë letrare lidhur me kulturën detare dhe detin si kulturë përfaqëson vepra e Martin Camajt. Që krijimtaria e këtij autori “i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar”, në etnosin apo onomastikën e Temalit si vendlindje, mund ta vërejmë e ta gjejmë të dëshmuar në të gjithë veprën e tij të gjerë. Larg çdo dyshimi krijimtaria e Camajt në frymë ka përkatësi malore si topos dhe malsore si logos.

Peizazhi i Dukagjinit ka ndikuar te “ky pinjuell malesh[1]”, siç e cilëson Koliqi, aq sa një peizazh mund të ndikojë në formimin e botës së një shkrimtari të lindur, i cili kur kujton viset e veta shprehet: Kam lindë në një vis të egër ku s’ka shkel kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ashtë ky vend.[2]

Por, përkatësimin e Camajt për nga mali mund ta ndjejmë instinktivisht qoftë edhe duke iu drejtuar thjesht titujve referencialë në veprën e tij të gjerë, nisur që nga krijimtaria e tij e hershme apo edhe qoftë në tematika të shprehura. Vëllimet e tij të parë “Një fyell ndër male” (1953), “Kanga e vërrinit” (1954) sikur parathonë dhe skajojnë krijimtarinë e tij. Por kjo është veç dukja e thjeshtë.

Vëllimi me proza “Shkundullima”, përbën një pikë kthese, duke e shkëputur Camajn nga motivet vetëm tokësore dhe e hapur këtë autor drejt motiveve detare, prej nga Camaj nuk u nda, si në poezi ashtu edhe në prozën e tij, që paraqet një rast krejt të veçantë.

Prozat e vëllimit “Shkundullima” paraqesin topose të ndryshëm e të larmishëm. Toposi i parë priret nga viset malore, në veri të Shqipërisë, drejt jetës në bjeshkë, kryesisht. Por në disa proza të këtij vëllimi, të tilla si “Shkundullima”, “Katundi me gjuhë të fshehtë” dhe “Gjon Gazulli” atmosfera është detare. Ndonëse deti nuk është i Shqipërisë, ata që veprojnë në këto proza janë arbëreshë, pra botë shqiptare.

Edhe bota mitike dhe mitologjike e “fisit” të tij, në mjaft poezi të Camajt priret për nga deti. Si të tilla do të përmendnim vargjet “Unë jam në detin e tingujve” (Mbramja ashtë larg); “Petkat e saj teren buzë detit”, (Gjarpri e Grueja); “Retë me rrajë thella në det” (Retë e Oqeanit);Me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku”(Grueja me mëngji);në fundin e katunit mbi det...”

apo

Dheu im âsht i përmendun

për humneret e thella

ndër banorët e malit e të fushës

deri në dét.

(Dita e malit tem)

apo

Niset për gurbet punëtori

Me nji copë qielli në krah

e krypë deti në kutia pishe.

 (Fragment)

apo

Në breg të detit djali kafshon në curr

E deti me vala lëpin bregun në gjumë.

 (Idilë vere) 

Por vepra tipike,  të cilën kam marrë më gjerësisht në shqyrtim është proza e tij “Dranja”, krejt atipike si krijimtari dhe përfaqësuese e kuotave të larta për nga vlerat. Nga pikëpamja formale e një proze kjo vepër shmang simetritë e pritshme. Së pari sepse ajo cilësohet madrigal - një formë muzikore vokale kjo e zgjedhur jo rastësisht nga autori, por si entitet polifonik i përshtatur për atë formë narrative që Camaj ka zgjedhur për ta pasuruar veprën e tij në prozodi, duke mbetur sekular dhe e shenjtë njëherazi. E tillë tingëllon edhe vepra – e këndueshme, jo thjesht e lexueshme, por plot regjistra komunikimi dhe me shumëllojshmëri zhanresh në të.

Në një studim mbi veprën Arshi Pipa e cilëson atë si një hibridizim të zhanrit letrar (prozë që i përafrohet poezisë së shkruar si prozë) si dhe të vetë personazhit Dranja si persona poetica (gruaja e shndërruar në breshkë).

Paraqitja e botës totemike shqiptare, e botës ktonike, me gjarprin dhe breshkën, është përcaktimi i arealit-truall ku këto toteme e ruajnë ende fuqinë vepruese – veriun malor të Shqipërisë.

Ndërkaq toposi real që autori krijon për Dranjen nuk është as mali as deti, por diçka midis, diçka që të lejon personazhin – breshkë të shkojë drejt detit, ku “lindja e jeta e popujve buzë detit qe për atë një lojë”, por edhe të rikthehet sërish prej andej.

Në këtë vepër Martin Camaj rikrijon cikle të rikthyeshme, duke u nisur nga oraliteti drejt litaralitetit. Letërsia e tij, siç shprehet Prof. Shaban Sinani. “…duke bartur funksione totemike, rituale dhe magjike nga simboli i gatshëm te simboli që ai krijon vetë”[3] ofron mënyra të reja shkrimi dhe interpretimi.

Asimetria me prejardhje nga metamorfozat zoomorfike të motiveve detare, është shndërrimi i gruas në breshkën ktonike, një krijesë tripërmasore për nga simbolikat. Këtë modelim metamorfozash e ndeshim edhe te shndërrimet e “së Bukurës së Detit” apo “Hyrisë së detit” të përrallave shqiptare.

Përveç këtyre “Dranja” bëhet e rëndësishme dhe e përveçme pasi është vepra ku toposi zhvendoset në disa mjedise të ndryshme, malore, fushore, lumore, breglumase, fusharake dhe detare. Dranja e secilit prej këtyre toposve është një personazh tjetër, më vete për nga narrativa dhe funskionet.

Në studimin e tij, veç elementit mbidetar, të ndërmjetëm dhe malor, Arshi Pipa nënvijëzon edhe peizazhin detar dhe bregdetar si përjetim natyror, social dhe kulturor të ndryshëm për Dranjen. Rreth këtij teksti Arshi Pipa shkruan: “Në paragrafin tjetër historia e Shqipërisë bregdetare të pushtuar nga fuqi të ndryshme mesdhetare degradon në një “lojë” spektakolare me malësorët të vendosur “nalt në brija” që vështrojnë me Schadenfreude [keqdashje, zemërligësi].

Pjesa tjetër e paragrafit i kundërvihet qetësisht qytetërimeve perëndimore nëpërmjet folklorit autokton. Qytetërimi i huaj kërcënonte të shkombëtarizonte malësorët gegë. Për të parandaluar përzierjen, ata adoptuan një mënyrë pak të ashpër jetese (“përgjysmë i latuem”), të papajtueshme me zakonet gjithnjë e më të rafinuara të sunduesve të tyre, ndërkohë që zhvillonin një gjuhë të paafrueshme, tingull-rëndë, për të shkurajuar studiuesit që donin ta regjistronin atë mbi “rrasa e pergamena”. Madrigali mbaron me një paragraf mbi kultin e diellit të malësorëve shqiptarë, si besimi i tyre i vërtetë pagan”.[4] 

Rëndësi të veçantë në këndvështrimin tim përmban materiali i pjesës së dytë të veprës, ku shtjellohen ndodhitë e Dranjes përballë një realiteti krejt të ri dhe të panjohur. Është zhvendosja e “breshkës” në “dhéna me ligje e doke tjera”. Aty përjetohet edhe përvoja e mrekullueshme e takimin për herë të parë me detin.

Është simbolikë domethënëse që në këtë rrugëtim drejt së panjohurës, Dranjes i prin lumi Drin, që natyrshëm shkon të derdhet në det, pikërisht në Kepin e Rodonit, një zonë shumë e ndjeshme gjeoemocionale për kujtesën detare të shqiptarëve. Ky topos është i lidhur me mitologjinë antike, perëndinë Redon, ashtu edhe me motet e lavdishme të Skënderbeut, që zotëronte aty një skelë dhe një kështjellë mbrojtëse në det.

Pikërisht aty Dranja ndjen për herë të parë puhinë dhe aromat e kripura detare. Episodet paraprirëse janë veshur me simbolike kundër totalitarizmit zi (ndoshta nën matricën e rrezikut, armikut, pushtimit që vjen nga deti, me breshkën e stërmadhe që del nga ujrat është hamendësuar pushtimi fashist), sikundërse edhe të totalitarizmit të kuq, simbolizuar nga bretkosa sykuqe.

Duke lënë  pas analizën e pjesës tjetër të  veprës, që  nuk i rikthehet më  motiveve detare, theksojmë se “Dranja” përbën një veçanti të jo fort të ndeshur në letërsinë shqiptare për sa i përket metamorfozës së zhanrit, e ngjashme me metamorfozën e vetë personazhit, ashtu edhe në kompleksitetin e lëndës letrare që kjo vepër paraqet.

Përveç këtyre, për të dëshmuar vëmendjen dhe ndjesinë e autorit ndaj lëndes detare do të mjaftonin sikur edhe këto tri poezi:

 

Deti anmik

 

Deti bar gjithçka, thanë të vjetrit,

Me erë prore m’njish krah

Dhe pisha e pemë frytore në nji anë

I lakoi përdhe.

Na, banorët e lashtë,

Domi mirë tokën. Edhe gjinkallave

Të plasuna vape te rrajët e pishave

U vjen era rrëshinë e jo det.

Edhe fryma e zotave

U fsheh në gurë e jo në detin

E njelmë! Fiqtë e ambël,

Buzë-përgjakun u bien mbi krena

Flijimi.

 

Retë e oqeanit

 

Eci krahas me to

Nëpër ditën e gjatë.

Aty ku vetë

Asht skaji i kohës së matun

Me rrahje zemre milionësh

Në kërkim të nji emni.

Retë me rrajë t’thella në det

Rriten e bahen lisa:

Ndër gryckat e tyne fantazma

Konkisdadorësh

Vjelin pemë.

 

Leni lumejt

 

Leni lumejt të derdhen të gjithë në Adrie

dhe në detin Jon

e rrezja të lodrojë më valë

për kënaqje të zemrës e të mendës sonë.

Vashat t'i lagun kambët n'ujë

para syve tonë të qartë.

 

Ngjyra e grunit dhe e ullinit

t'u shihet në faqe e në bebëzat e synit

dhe kulmi i shpisë të jetë bungu

e pragu guri.

 

Kur të ulen valët

fryma jonë do të matet

me gjansinë e detit: atëherë

do të pushojmë

te kambët e bjeshkve të bardha. 

Autorët shqiptarë, mes të cilëve edhe Martin Camaj, i janë qasur detit dhe kulturës së prejardhur prej tij jo thjesht dhe vetëm si objekt estetik, por edhe si argument ndihmës në mbështetje të argumentit që e bën më të pranishme dhe më të qenësishme vëmendjen e krijuesve shqiptarë ndaj detit. Prej këtej buron pasurimi i botës shpirtërore me kulturën detare dhe me vetë detin, si një prej simboleve më të rëndësishëm jo vetëm të literaturës, por edhe të qytetërimit njerëzor, që e vendos kulturën shqiptare përkrah asaj të fqinjëve të vet.

 



[1] M. Camaj, Vepra letrare 1, Shtëpia botuese “Apollonia”, Tiranë, 1996, f. 139.

[2] B. Demiraj, Jeta akademike e Martin Camajt, në Konferencën Shkencore Martin Camaj për kulturën shqiptare. Shkrimtari dhe albanologu, “Studime shqiptare”, Nr. 17, Shkodër, 2011, f. 244.

[3] Shih Shaban Sinani, Camaj i paskajuar, “Qendra e Studimeve Albanologjike”, Tiranë 2011 dhe Shaban Sinani, Kod i ri për shenjën e vjetër në romanin “Dranja” të Martin Camajt, “Studime filologjike”, Nr. 3-4, Tiranë, 2009, f. 67-69.

[4] Shih Arshi Pipa, Poezia dhe poetika e Camajt. Materiali u përkthye për “Milosao” nga Ergys Petriti. Marrë nga ALBANICA (A quoterly Journal of Albanological Research and Criticism) SPECIAL ISSUE, DEDICATED TO MARTIN CAMAJ), Numri 2, pranverë 1991. Botuar nga Arshi Pipa. Botuar në “Milosao”, “Gazeta shqiptare”, Tiranë 1.7.2012.