Që në fillim të tregimit përvijohet një ndarje që ndizet
nga zilia e që do të pasojë me pamundësinë e pranimit të botës së tjetrit. Në
një anë është zëri i Hekurit që i ngjet
butit të vjetër me dhoga të ngrëna nga
krimbi e me rrathë të ndryshkur e në anën tjetër zëri i Çelikut, i fortë si bubullimë Kalivaçi, por edhe i freskët e i
këndshëm. Janë dy zëra që transmetojnë dy botë.
Lumi i myshterinjve që anon nga Çeliku, që di të shesë përmes një zanati që e dashuron dhe e punon plot pasion, nis të sjellë rrokopujën e parë mes dy tregtarëve. Është një lumë që sapo ka nisur vërshimin e që Hekuri kërkon ta kalojë përmes ofertës. Edhe pse me “zërin e hidhëruar” Hekuri nis një bisedë – një bisedë mes dy njerëzve që ende kanë mundësinë të merren vesh për një bashkudhëtim.
Atëherë, përvoja është të luftojmë ta kemi. Por si?
Hekuri nis të fusë në lojë joshjen e tij. Përvoja e përzier me dëshirë e shtyn
që t’ia ofrojë djaloshit Sheqerkën e tij. Ç’nuk thotë për sheqerkën, që vetë
Çeliku nuk do ta kish refuzuar. Por lumi ka rrjedhur, Fati ka marrë tjetër
udhë. Çeliku është fejuar në Përmet dhe tashmë është pjesë e fjalës që ka
dhënë.
Hekuri nis të shohë tek Çeliku veten që nuk mundi të
ishte, djali që do donte të kishte dhe dhëndri që nuk mundi ta kishte në
shtëpi. Janë shumë për t’i shmangur nga zemra. Duan fuqi të pamatë për t’i
mposhtur këto dëshira.
E kur shumë zhgënjime bëhen bashkë, fuqia për t’i kuptuar
shkakun e tyre zbehet. Nis të marrë shtat mëkati i vjetër: të zhdukë atë që nuk
mund të kem që zhgënjimi të mos errësojë ditët që i kanë mbetur.
Si mundet vallë një njeri, që del të kërkojë bukën e
fëmijëve, të mos e përballojë zotësinë dhe fatin e tjetrit?
Është një mospërballim me pasoja fatale. Kthejmë sytë nga
përvoja, që të na drejtojë për të mposhtur këtë zili që gërryen Hekurin. Por ky
ndryshk bëhet gjithnjë e më i madh, më i thellë. Ai nuk ka përvojë ta pastrojë
këtë ndryshk. Nuk është kujdesur kurrë të zhytet në meditim, që të arsyetojë.
Përvoja e tij rrëzohet përpara një çunaku që i tregon se pasioni dhe zotësia
janë një rrugë e mirë për të qenë një i zoti i vetes. Përvoja e tij është
mungesa e përvojës për të përballur të tilla situata ku shpirti nis të
tronditet nga ajo që nuk ka, nga ajo që nuk mundet. Nuk di se si mund t’ia
dalë. Nuk është ndeshur kurrë me arsyetimin e asaj që s’është e tija, që s’mund
të jetë e tija.
Atëherë nis rrugëtimi i mëkatit. Djali pa përvojë, por
plot besim, nis t’i besojë idesë së Hekurit për më shumë fitime. “Që të fitosh
para, duhet të kesh pare”, thotë Çeliku që është gati të fitojë. Ai është i ri,
kërkon më shumë dhe nuk ka arsye të dyshojë. Përvoja e tij nuk është dyshimi,
por besimi. Dhe besimi i vjen nga entuziazmi, nga ëndërrimi që të mbyllë sa më
parë hesat me pasurinë që i duhet.
Lumi i joshjeve mund të ketë pafundësisht burime, që
vijnë nga ngjyrime të ndryshme kërkesash dhe dëshirash. Por ky lumë ka vetëm
një drejtim: humbjen e pashmangshme të të tjerëve dhe të vetvetes.
Çeliku ka dëshirë për të mbaruar dasmën sa më parë e për
të hapur një dyqan. Hekuri ka dëshirë që ta heqë nga sytë atë që s’mundi dot ta
kishte si djalë apo si dhëndër. Dhe në një natë – në një natë që Çeliku besonte
se ishte e fundit që do t’i ikte qytetit për të shitur në male- Hekuri arrin të
kryejë mëkatin.
Pas mëkatit numëron paratë. Janë shumë për të harxhuar
dhe për të ëndërruar. Pastaj nis të flasë me vete. Ka frikë, por kërkon edhe
t’i mbushë mendjen vetes se kish të drejtë për mëkatin që kish bërë. “Maskarai! Fitonte pare të madhe. I qe bërë
mendja kala. Ja dhashë çupën e s’ma mori. Zgjodhi përmetaren. Le të vejë ta
marrë!”, fliste me vete Hekuri. Një monolog që kërkon të bindë veten për
krimin. Një monolog që nxjerr një të shkuar që ai nuk kish mundur ta kapërcente
dhe që joshja ia nxori sërish në pah. “Pun’e
madhe se e vrava... E dërgova në ay tjetri, si there kur u prish Voskopoja. Atë
s’e kërkuan; as këtë s’do ta kërkojnë. S’tundet mbretëria për një copë
mangjello gjuhëkuq. E në tundet, le ta gjejë”, flet me vete Hekuri, në
pushtetin e zilisë që e ndryshk dhe e ndryshk.
Dhe në burim, pikërisht në burimin ku po lan sytë, Hekuri
ndeshet me hajdutin që një javë më parë i kish vjedhur një fashë opingash kau
Çelikut, e që Hekuri i ish vërsulur duke ia marrë duke ia kthyer Çelikut. Ish
koha kur ende shpresonte që ta kish dhëndër, e ndaj e kish mbrojtur. Por
tashmë, frika se do t’i merrnin paratë që ai ia kish marrë shokut që vrau e
bëjnë që të hidhet për të shpëtuar. Por, veçse bie në përroin që ia merr jetën,
ndërkohë që hajdutët marrin e ndajnë paratë, duke pyetur njëri-tjetrin: “A vritet shoku?”
Ideale të gjejë vdekjen dikush që vret dikë vetëm se
s’mund të ketë atë që ka ai, se nuk mund ta ketë për veten e tij? Një poemth i
Kutelit për ndëshkimin ndaj mëkatit. Një fund si pikturë e njeriut që nuk arrin
dot ta përballë peshën e mëkatit. Ajo që fiton përmes mëkatit nuk është as sa
koha që Sizifi shijon teksa zbret poshtë sërish që ta marrë gurin e ta ngjisë
sërish në majë.
Kuteli është pakëz Turgeniev e pakëz Çehovian në
përshkrimin e tij mes personazheve dhe pazarit e peizazhit. Nuk mund t’i
kuptosh personazhet e tij pa atë pazar të zhurmshëm, pa atë kodrinë dhe ato
burime. Ndërkohë, beteja mes mëkatit dhe ndëshkimit e fut tregimin e Kutelit në
hullinë kafkiane. Personazhet e tij janë futur në labirintin e joshjes dhe kjo
kurdis mëkatin dhe ndëshkimin në një përballje. Por Hekuri, nga përvoja, duhet
të shkrijë për të qenë Çelik. Është ligj i natyrës. Çeliku është i fortë, por
më i paqëndrueshëm. Idealja do të ishte që Çeliku të qëndrojë i palëkundur nga
joshja. Por jo. E ka të pamundur shmangien e këtij labirinti.
Fantastikja e tregimeve që rrok tregimet e Kutelit këtu
bie në shtratin e përditshmërisë. Askush nuk dëshiron të identifikohet me
personazhin e Kutelit. Gjithkush e di se ajo që ndodhi mund të ndodhë, se është
në lëkurën e njeriut dhe ka shumë nevojë për të mos hyrë brenda në shpirt, për
të të mos treguar udhën.
Kjo shpikje e Kutelit është një ftesë për të lexuar si
një rapsodi atë kufi mes realitetit dhe imagjinatës. Është një kufi nga ku lind
ngërçi, që na mban në atë njohje dhe udhëtim, e na çliron kur e keqja merr
ndëshkimin. Por Kuteli nuk ndalet. Hajduti ka vjedhur hajdutin. Mëkati ka marrë
ndëshkimin. Por edhe vetë ndëshkimi fshihet pas mëkatit. Përvoja dhe idealja
janë në një vallëzim të përbashkët, ndërkohë që rileximi na sjell sërish në të
njëjtën nisje. E nëse tregimi anon nga e pathëna, ne mundet që të idealizojmë
ndëshkimin e së keqes, edhe pse nuk mund të shpëtojmë nga ai udhëtim i shkurtër
i Çelikut nga dëshira për pasuri deri në mbylljen e syve.
E njeriu vërtet sheh shumë ëndrra, disa edhe me sy hapur.
Me dëshirë do ta rishkruanim historinë e Çelikut. Nuk e meriton vdekjen. Por e
dimë se kështu thjesht duam që të flemë me idealen e asaj që duam të ndodhë.
Por, përvoja - ah përvoja - na fut në një rrugëtim tjetër, në domosdoshmërinë e
leximit të rrugëve që hapen e mbyllen kur joshja dhe zilia na marrin fatin në
dorë. Nuk ka ngërç që të na lëshojë kaq lehtë.