Showing posts with label Rando Devole. Show all posts
Showing posts with label Rando Devole. Show all posts

Rando Devole: Romani ”Bolero”

Pavarësisht se rrëfimtari e deklaron që në fillim se romani nuk do të jetë narrativë e një aventure, por aventurë narrative, lexuesi mezi pret të mësojë se ç’i ndodh atij tipit rreth të tridhjetave, që zbret shkallët e stacionit të metrosë së New York-ut, tek kryqëzimi i avenysë së 7-të dhe rrugës 40 në Manhattan, por që i zhytur në leximin e gazetës nuk ia vë veshin njoftimit për aksidentin e ndodhur diku në Brooklyn.[1].
Lexuesi i romanit “Bolero” të Ardian Vehbiut (Dudaj, 2015), nuk e di se po fillon një aventurë të re në krahët e tekstit, një udhëtim sa të njohur aq edhe ekzotik, sa emocionues aq edhe racional, ku harta nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, por që vizatohet rishtas me shenja të ndryshme, herë familjare e herë misterioze, ku dypërmasiteti klasik ia lë vendin hartës 3D, me tinguj, imazhe, refleksione, referime, përshoqërime, vegime. I flakur në tunelin hapësinor e kohor të narrativës, lexuesi ka mundësinë të eksplorojë universe të panjohura më parë, ose t’i shikojë me sy tjetër, edhe pse gjendet, së bashku me personazhin kryesor, brenda metrosë së New York-ut.

Ka shumë muzikë në roman. E jo vetëm tek titulli i huazuar nga vepra e njohur e Ravelit[2]. Muzikën e dëgjon dhe e ndjen gjatë gjithë leximit; rrjedh natyrshëm jo vetëm nga struktura e gjuha e romanit, me variacionet e veta që prekin si ritmin ashtu edhe melodinë, por edhe në referimet tekstuale ndaj muzikës klasike e moderne. Kështu, muzika shfaqet fillimisht në trajtën e metaforës, për të shpjeguar konceptin e lakut kohor, si ajo gjilpëra e gramafonit që jep vetëm një segment muzikor, sepse ka ngecur në një brazdë të gërvishtur të diskut prej vinili[3].