Showing posts with label Lord Byron. Show all posts
Showing posts with label Lord Byron. Show all posts

DIONIS QIRZIDHI: Nga jeta e Bajronit... (Din viaţa lui Byron)


Ky libër nuk ka si qëllim historinë e jetës së furishme të Bajronit: poet dhe personazh, as të bëjë analizën e veprës së tij. Me anë të këtij libri, pas leximit të dhjetëra biografive, monografive, studimeve, do të përpiqemi të tregojmë jo vetëm të thënat, por sidomos të pathënat, të njohurat, por dhe të panjohurat për lexuesin kureshtar; misteret që e shndërruan shtegtarin e dashurisë në simbol të shtegtarit të lirisë.

Një kreshtë dallge e lirë e cila udhëtonte nëpër vite lufte, atje ku e drejtonin erërat poetike, përplasej shkëmbinjve buzë Jonit. Mes shkulmeve të dallgëve, ashtu si në mitet, përlind “Afërditën bajroniane”, Çajlld Haroldin. Ngjitet majë Alpeve, haplehtë buzë liqenit Leman dhe grykës së Ronit: “Vendlindja e dashurisë për natyrën”. Kalëron prej Po-së në Arno. Tek “Ura e Psherëtimave”, në Venedik, këndon me gondolierët kanconeta me vargje të Turquato Tassos. Mban iso në këngën korale me Të rreptët bijt’ e shqipes!”Bo-bo-bo-bo-bo-bo-bo, Burra, Burra...”. Mediton tek shushurima e Aousës[1] së lashtë. Fle, ku e zë nata; pranë zjarrit, mbuluar me gunën e bariut. Herë mbi rrogoz o mbi hejbet, me kacekë me lëkurë dhie plot me verë. Nga dritaret e vogla të shtëpive të mikpritësve të tij: pamjet e korijeve plot koçimare. Fshatrat i sodit, ashtu siç i ka përshkruar Virgjili: “brofnin si dhitë e varura ndër shkëmbinj”.[2] Mëngjesi e gjen në pallat, mbrëmja në kasolle lopësh. Të nesërmen me një admiral. Muzgu i hirtë i dimrit, me kleftët.