Përktheu Viktor BAKILLARI
TITULLI NË GJUHËN FRËNGE “LE PROPHÈTE”
AUTORI: KHALIL GIBRAN (HALIL XHIBRANI)
SHQIPËROI: VIKTOR Z. BAKILLARI (viktorbakillari@yahoo.com)
REDAKTOI: Prof. Dr. NONDA VARFI
ISBN: 99943-628-5-2
Al - Mustafai, i zgjedhuri nga Zoti, i adhuruari, agimi i jetës së vet, kishte pritur plot 12 vjet në qytetin e Orfalezës kthimin e anijes, e cila do ta binte sërish në ishullin e lindjes.
Dhe ja, viti i dymbëdhjetë, në ditën e shtatë të shtatorit teksa i ngjitej një kodre që ngrihej matanë bedenave të qytetit, hodhi vështrimin në drejtim të detit, pa anijen që përparonte bashkë me një mjegull të lehtë.
Kanatat e zemrës iu hapën plotësisht dhe gëzimi i tij fluturoi tutje mbi dallgët. Atëherë mbylli sytë dhe në qetësinë e shpirtit u kroth në lutje.
Por, ndërsa zbriste kodrën, një trishtim i ri e kaploi dhe tha me vete: Po si t’ia bëj që të nisem i qetë dhe jo i brengosur? Jo, nuk mund të largohem nga ky qytet pa një brengë në zemër.
Të gjata qenë ditët e hidhura që kalova nën strehën e bedenave të tij, të gjata netët e vetmisë; e kush do të ndahej nga dhimbja dhe nga vetmia pa brengë?
Të shumta janë parcelat e shpirtit që shpërndava nëpër këto rrugë; të shumtë fëmijët e dëshirës sime që ecin këmbëzbathur nëpër këto kodra, e pra nuk mundem të shkëputem dot pa një barrë, pa një mundim.
Nuk është një petk që e heq sot, është një lëkurë që duhet ta zhvas me duart e mia.
Nuk është një mendim që po braktis, është një zemër e zbutur nga uria dhe etja.