Showing posts with label "Shkëmb me duar që dridhen – katrén-e". Show all posts
Showing posts with label "Shkëmb me duar që dridhen – katrén-e". Show all posts

Petri Ilo: Shkëmb me duar që dridhen – katrén-e

Arkitekt, pedagog në F.A.U. të Universitetit Politeknik të Tiranës që nga viti 1985, Petri Ilo është lindur në Pogradec më 1960. Mbaroi studimet e mesme në qytetin e lindjes dhe të lartat (1980-1985, Universiteti i Tiranës, Dega Arkitekturë) me rezultate të shkëlqyera. Emërohet pranë Departamentit të Arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Gjatë periudhës 1995-1996 ishte asistent pedagog në ESAM (Shkolla Superiore e Arkitekturës) në Montpellier, Francë, në fushën e kompozimit dhe metodologjisë së projektimit. I vleresuar me çertifikate mirënjohjeje nga F.A.U. dhe F.I.N. Mban titullin Docent dhe drejton lëndën e Kompozimit dhe analizës së formës dhe hapësirës pranë këtij fakulteti. Kontribute të vyera ka dhënë edhe në fushën e projektimit. Shkruan poezi qysh herët, veçmas katrene lirike (një zhanër gati në zhdukje), dhe boton shumë rrallë.

 

*

Të pathënat e shpirtit tim

Dua t’i them thjesht, pastër, pa ndroje,

Dhe ti, o ëngjëll që pranë më rri,

Fjalës sime bëj roje!


*

Erdha ku pashë dritën e parë,

U enda gjithandej,

Por njoha më shumë të vdekur se të gjallë.


*

Çapitet avioni si hamall i vjetër,

Me brengën tënde ngarkuar unë,

Pres të takohemi në ëndërr

E pamundur, nuk kam gjumë!

 

*

Ditës i munguan fjalët,

Nata rropatet të derdhë brenda meje

Dritën e yjeve të saj,

Kot lodhet të mundë sytë e tu!