Showing posts with label Aura Christi. Show all posts
Showing posts with label Aura Christi. Show all posts

MEDALION

AURA CHRISTI
(Rumani)

Aura Christi u lind më 12 janar 1967 në Kishinjev (Moldavi). Ka mbaruar Liceun teorik rumuno-francez “G. Asahi” (1984) dhe Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të kryeqytetit të Moldavisë (1990). Ka filluar të botojë më 1983. Më 1988 u caktua redaktore në revistën Rinia e Moldavisë (Tineretul Moldovei), ndërsa më 1991 u bë kryeredaktore e revistës kulturore Galaksia Gutenberg (Galaxia Gutenberg).
Më 1993 largohet nga Kishinjevi për në Bukuresht. Aty punoi fillimisht si redaktore rubrike në revistën Bashkëkohësi. Ideja Evropiane (Contemporanul. Ideea Europeană); në vitet 1999-2001 u emërua zëvendëskryeredaktore, ndërsa nga viti 2002 është kryeredaktore e revistës së lartpërmendur. Së bashku me Andrej Potlogun, në tetor 2003 themeloi Fondacionin Kulturor Ideja Evropiane dhe Shtëpinë Botuese Ideja Evropiane, ndërsa më 2005 – Grupin Ideja Evropiane & EuroPress.
Ka botuar në revista të mirënjohura në Rumani, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Suedi, Rusi, SH.B.A.. Krijime të saj janë përfshirë në antologji të botuara në Francë, Suedi, Rumani, SH.B.A., Gjermani, Rusi, Republikën e Moldavisë, Belgjikë. Është antare e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe e PEN-klubit.
Vëllime poetike: Nga ana tjetër e hijes, 1993; KundërMeje, 1995; Ceremonia e Verbimit, 1996; Lugina e Mbretërve, 1996; Mos më prek, antologji, 1997, 1999; Muri i fundit, 1999; Zambakët perandorakë, antologji, 1999; Elegji Veriore, 2002; Libri i joshjes, antologji, 2003.
Libra me ese: Copëza qënieje, 1998; Labirinti i mërgimit, 2000, 2005; Shpati tjetër, 2005; Ushtrime fati, 2007; Feja e të gjallit, 2007; Tri mijë shënja, 2007
Romane: tetralogjia Shqiponja nate: Skulptori, vëll. I, 2001, 2004; Nata e të huajit, vëll. II, 2004; Lojrat e mëdha, vëll. III, 2006; Dëbora e qëngjave, vëll. IV, 2007.
Libra publicistikë: Gostia e gërmave; Dialogje me…, 2006
Përkthime: Anna Ahmatova, Poezi dhe fat, 2001; Valerij Voroncov, Rumania, 2003
Përgatitje dhe përkujdesje botimesh: Romani rumun në kolokiume, 2002; Nicolae Breban · 70, 2004; Çështja hebraike, 2006; Ion Ianoshi - 80 (në bashkëpunim me Aleksandru Stefaneskun)
Libra të botuar jashtë shtetit: Geflüster/Pëshpëritja,vjersha, 2002 (Shtëpia Botuese Dionysos, përkthyer nga Christian Schenk, Gjermani); Elegien aus der Kälteëlegji nga sfera e të ftohtit, vjersha, 2008 (Shtëpia Botuese Pop Verlag, përkthyer nga Edith Konradt, Gjermani)
Çmime letrare: Çmimi për poezi i Ministrisë së Kulturës së Rumanisë, 1993; Çmimi për poezi i Akademisë Rumune, 1996; Çmimi për poezi i Bashkimit të Shrimtarëve dhe i Shtëpisë Botuese Vinea, 1997; Çmimi për ese i Bashkimit të Shkrimtarëve të Moldavisë, 1998; Çmimi për poezi „Jon Shiugariu”, 1999; Çmimi për roman i revistës Tomis dhe i Degës së Dobruxhës të Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, 2001; Çmimi për poezi i revistës Antares, 2003; Çmimi për roman i revistës Kuvendime letrare (Convorbiri literare), 2004; Çmimi „Autori i vitit” (Shoqata e Botimeve Letrare dhe e Shtëpive Botuese të Rumanisë, 2007).

elegjia e parë. tempullarët.

Odë mungesës

(Odă absenţei)
(në metër antik)

Sot sundoj perandori, kontinente.

Dhe, i dehur nga jeta, frymën time e flak
Në themelin e botës, të rritur nga
Buzëqeshja e një foshnje.

Dhe kurmin tim e ndjek, të zbrazur nga vetë

vetja, duke lavduar zbrazëtinë e madhështores, të ftohtin e hirtë,
ku mund t'i ngjajmë vetes
sonë, të sëmurë.

Të sëmurë nga fryma, nga mungesat e mëdha

Që punojnë tek ne, në minerale,
Të sëmurë nga kohërat, që shekujt bashkojnë –
Nga tjetërsimi...

Sot sundoj perandori, kontinente.

Ndërsa nesër do t'i nguc të gjitha në një pikë.
Si në një piramidë mbyllem
në kurmin tim të hallakatur.

Gërmuqem gjithnjë e më thellë, në mjegull,

në terrin e trashë, me yje të pambaruar.
Dhe tërheq drynat e rri me askënd -
I dehur nga një mungesë.