Një studim mbi identitetin shqiptar*
Abstrakt:
Romani
satirik i Ylljet Aliçkës[1]
Rrëfenjë me ndërkombëtarë nën sfondin
e periudhës fillestare të tranzicionit të Shqipërisë, tregon jetën e përditshme
ku mungojnë barazia, respekti dhe mirëkuptimi midis punonjësve evropianë dhe
atyre vendas në një përfaqësi ndërkombëtare në Tiranë. Duke përshkruar këndvështrimin e punonjësve evropianë
ndaj vendasve, shkrimtari paraqit strukturimin dhe disiplinimin e vështrimit të
Tjetrit ndaj Vetes; ndërkohë, nëpërmjet kundërvështrimit të vendasve ndaj
punonjësve evropianë, thyhet logjika e strukturimit të identitetit të Vetes me
anë të identifikimit të Tjetrit. Duke përdorur teorinë e vështrimit, ky punim
ka qëllim të diskutojë marrëdhënien vështrim-kundërvështrim midis Vetes dhe
Tjetrit, si dhe të analizojë strukturimin e imazheve të shqiptarëve dhe europianëve
brenda romanit.
Fjalët kyçe: vështrim; identitet; Ylljet Aliçka
Ngjarja në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë ndodh në Shqipërinë e tranzicionit të viteve të 90-të të shekullit të kaluar, ku Përfaqësia ndërkombëtare, një institucion evropian për ndihmë humanitare, është hapësira kryesore e rrëfimit, dhe karakteret mund të ndahen në dy lloje, si vendasit dhe ndërkombëtarët. Vlen të përmendet që ndërkombëtari është term i veçantë me kuptimin institucional, duke nënkuptuar jo thjesht një të huaj, por një të huaj që punon në një institucion, me identitet diplomatik. Sa i përket strukturës, romanit i mungon linja e caktuar kryesore, por është plot me ngjarje të rastësishme, intrigat nuk janë të lidhura shumë ngushtë. Në Përfaqësi ka departamente të ndryshme, ai administrativ, i projekteve, i personelit etj., të gjithë punonjësit ndërkombëtarë, përfshi ambasadorin, vijnë nga Evropa e zhvilluar, nga Perëndimi. Ambasadori i dëshpëruar që zhgënjehet nga e dashura e re vendase, si dhe një grup diplomatësh evropianë nga vende të ndryshme, vijnë në Shqipërinë e varfër dhe të mbyllur për t’i dhënë ndihmë humanitare, duke treguar hipokrizi, zemërngushtësi dhe mendjemadhësi ndaj punonjësve dhe banorëve vendas. Veç kësaj, këta ndërkombëtarë konkurrojnë për t’i bërë lajka ambasadorit dhe thurin komplote kundër njëri-tjetrit. Në të njëjtën kohë, vendasi nuk strukturohet në të vetmin imazh krejt të kundërt me ndërkombëtarin, por në disa imazhe, që janë herë kokëulur, të bindur, dhe vazhdimisht dorëzohen dhe ndryshojnë veten për të përmbushur kërkesat e diplomatëve ndërkombëtarë, e herë të tjera janë skeptikë dhe satirikë dhe tregojnë njëfarë ksenofobie të mbështetur nga dinjiteti, krenaria kombëtare dhe nacionalizmi.