MA Sai (Bora): Vështrimi dhe kundërvështrimi në romanin "Rrëfenjë me ndërkombëtarë"

 Një studim mbi identitetin shqiptar*


Abstrakt: Romani satirik i Ylljet Aliçkës[1] Rrëfenjë me ndërkombëtarë nën sfondin e periudhës fillestare të tranzicionit të Shqipërisë, tregon jetën e përditshme ku mungojnë barazia, respekti dhe mirëkuptimi midis punonjësve evropianë dhe atyre vendas në një përfaqësi ndërkombëtare në Tiranë. Duke përshkruar këndvështrimin e punonjësve evropianë ndaj vendasve, shkrimtari paraqit strukturimin dhe disiplinimin e vështrimit të Tjetrit ndaj Vetes; ndërkohë, nëpërmjet kundërvështrimit të vendasve ndaj punonjësve evropianë, thyhet logjika e strukturimit të identitetit të Vetes me anë të identifikimit të Tjetrit. Duke përdorur teorinë e vështrimit, ky punim ka qëllim të diskutojë marrëdhënien vështrim-kundërvështrim midis Vetes dhe Tjetrit, si dhe të analizojë strukturimin e imazheve të shqiptarëve dhe europianëve brenda romanit. 

Fjalët kyçe: vështrim; identitet; Ylljet Aliçka 

Ngjarja në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë ndodh në Shqipërinë e tranzicionit të viteve të 90-të të shekullit të kaluar, ku Përfaqësia ndërkombëtare, një institucion evropian për ndihmë humanitare, është hapësira kryesore e rrëfimit, dhe karakteret mund të ndahen në dy lloje, si vendasit dhe ndërkombëtarët. Vlen të përmendet që ndërkombëtari është term i veçantë me kuptimin institucional, duke nënkuptuar jo thjesht një të huaj, por një të huaj që punon në një institucion, me identitet diplomatik. Sa i përket strukturës, romanit i mungon linja e caktuar kryesore, por është plot me ngjarje të rastësishme, intrigat nuk janë të lidhura shumë ngushtë. Në Përfaqësi ka departamente të ndryshme, ai administrativ, i projekteve, i personelit etj., të gjithë punonjësit ndërkombëtarë, përfshi ambasadorin, vijnë nga Evropa e zhvilluar, nga Perëndimi. Ambasadori i dëshpëruar që zhgënjehet nga e dashura e re vendase, si dhe një grup diplomatësh evropianë nga vende të ndryshme, vijnë në Shqipërinë e varfër dhe të mbyllur për t’i dhënë ndihmë humanitare, duke treguar hipokrizi, zemërngushtësi dhe mendjemadhësi ndaj punonjësve dhe banorëve vendas. Veç kësaj, këta ndërkombëtarë konkurrojnë për t’i bërë lajka ambasadorit dhe thurin komplote kundër njëri-tjetrit. Në të njëjtën kohë, vendasi nuk strukturohet në të vetmin imazh krejt të kundërt me ndërkombëtarin, por në disa imazhe, që janë herë kokëulur, të bindur, dhe vazhdimisht dorëzohen dhe ndryshojnë veten për të përmbushur kërkesat e diplomatëve ndërkombëtarë, e herë të tjera janë skeptikë dhe satirikë dhe tregojnë njëfarë ksenofobie të mbështetur nga dinjiteti, krenaria kombëtare dhe nacionalizmi. 

Personazhi kryesor i romanit, Roshi, një punonjës i ri shqiptar, vrojton sistemin e sundimit paternalist në Përfaqësi gjatë komunikimit me diplomatët evropianë, si dhe xhelozinë, ambicien dhe hipokrizinë e të gjithëve. Po të shqyrtonim intrigat e romanit, mund ta konsideronim përvojën personale të rritjes së Roshit si linjën kryesore, qysh nga fillimi i punës në Përfaqësi e deri te shkarkimi nga puna. Ngaqë Roshi shërben edhe si përkthyes, ai natyrisht ka jo pak raste për të këqyrur vendasit dhe ndërkombëtarët, Veten dhe Tjetrin, kështu që këndvështrimi i Roshit përkon pjesërisht me këndvështrimin e narratorit në vetën e tretë. Në bazë të teorisë së vështrimit, ky punim do të analizojë vështrimin e diplomatëve evropianë ndaj shqiptarëve, reagimin e shqiptarëve përballë vështrimit, si dhe kundërvështrimin e Roshit në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë; dhe do të diskutojë strukturimin e identitetit shqiptar në sistemin e tanishëm të ligjërimit. 

I. Vështrimi nga diplomatët evropianë 

Punonjësit ndërkombëtarë në Rrënfenjë me ndërkombëtarë vijnë nga vende evropiane, si Belgjika, Spanja, Austria, Britania e Madhe, Irlanda, Holanda, Italia etj, me jetën dhe përvojën e ndryshme në karrierë, mirëpo ata kanë një pikë të përbashkët: që të gjithë vijnë nga kampi kapitalist para Luftës së Ftohtë dhe “Perëndimi”, në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor. Vendi i punës së diplomatëve evropianë ndodhet në Tiranë, dhe ata krijojnë kontakte me gjithfarë vendasish. Gjatë ndërveprimit të vazhdueshëm, formohet marrëdhënia “vështrimi-kundërvështrimi” midis diplomatëve ndërkombëtarë dhe vendasve.

“Vështrimi” është një koncept i rëndësishëm në teorinë e letërsisë perëndimore, lidhur me shikimin, pushtetin, përfytyrimin, veten dhe tjetrin. Sartri mendon se vështrimi nga tjetri dëshmon se vetvetja fiton vetëdijen e trupit duke iu bërë objekt tjetrit. (Sartri, 1993) Kjo ndërgjegje ekziston vetëm për hir të tjetrit. Vetvetja dhe tjetri mund të veçohen për shkak të vështrimit, tjetri e vështron vetveten, ndërkohë vetvetja e vështron tjetrin. Ndryshe nga Sartri, Foucault-i e trajton vështrimin si simbol të pushtetit, i cili është disiplina dhe rimodelimi i subjektit me diskurs ndaj objektit. Prandaj, sa i përket marrëdhënies midis vështrimit dhe kundërvështrimit, të dyja palët me siguri qëndrojnë në pozicionin që tregon asimetrinë e pushtetit. Në këtë mënyrë, vështrimi shndërrohet në një marrëdhënie konkrete, të prekshme dhe simbolike të pushtetit dhe dhunës së butë. Forca shoqërore e organizuar dhe e sistemuar nga shoqëria është një forcë e padukshme që ekziston kudo. (Urry, 2009)

Duke iu referuar vështrimit, Lakani propozon teorinë e famshme, teoria e pasqyrës (ose faza e pasqyrës), i cili është term që bazohet në mbikëqyrjen e veprimeve të fëmijëve midis moshës 6 dhe 18 muajsh, kur fëmija e njeh veten në pasqyrë, duke e konsideruar si imazhin e vetvetes. Mirëpo, ky imazh pasqyre nuk është imazhi i vërtetë i “Uni-t / Vetes”, por një “Unë” i krijuar nëpërmjet njohjes për emërtimin e Tjetrit, i cili rrjedhimisht shkakton iluzion dhe tjetërsim. Duke u identifikuar me ndonjë imazh, “Uni” ndryshon në vazhdimësi nën vështrimin e Tjetrit, dhe ka qëllim t’i afrohet atij imazhi. Në këtë qasje, Tjetri e transformon Uni-n.

Në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë, objekti i vështrimit të diplomatëve europianë janë punonjësit vendas dhe e gjithë shoqëria shqiptare. Shkaku i vështrimit të tillë ka qëllim të diferencojë vendasit me vetveten, duke shfaqur qytetërimin, kulturën dhe privilegjin e diplomatëve ndërkombëtarë. Sapo europianët vënë këmbë në Shqipëri, “ata ndihen shumë më të rëndësishëm aty sesa në atdheun e tyre. Kjo është e shpjegueshme po të pranohet se më parë ata nuk kanë pasur shumë hapësirë ose rast që të shpalosnin aftësitë e tyre në dobi të njerëzimit.” (Aliçka, 2009: 24) Nga këndvështrimi i narratorit, është bash kjo prapësi e Shqipërisë që ua ofron diplomatëve europianë rastin për të realizuar dhe konfirmuar vetëvlerësimin. Ndërkohë, duke u përballuar me popullin vendas, diplomatët mbajnë në mënyrë të vazhdueshme të njëjtin qëndrim për asimilimin e shqiptarëve.

Një herë, protagonisti i romanit, Roshi, takon rastësisht diplomatin britanik, nëpërmjet rekomandimit të të cilit, Roshi fillon karrierën e tij në Përfaqësi. Gjatë bisedës mes të dyve, britaniku e pyet Roshin për besimin e tij fetar, duke thënë se shpesh has vështirësi në identifikimin e fesë suaj, domethënë të ju vendasve, pasi kam përshtypjen se, sado që kujtesa juaj fetare është dëmtuar rëndë nga regjimi diktatorial, mbeteni një popull me shpirt dhe zakone orientale. … Pasi, unë, ne, ndërkombëtarët, kemi veçorinë, d.m.th. nuhatjen, që do të thosha se na dallon ndjeshëm nga ju... më falni, pra nga vendasit... ne kemi aftësinë që t’i pikasim shenjat e prapambetjes aty ku syri juaj nuk i vë re, pasi ju jeni ambientuar me të keqen, kuptohet për shkak të prapambetjes nga regjimi diktatorial. ...... Më pas, britaniku, me po atë ton të shpenguar, tregoi se ai dhe kolegët e tij, përveç të tjerash, revoltoheshin në këtë vend edhe me bunkerët e shumtë, me rrezikun e tërmeteve, me orientimin e çuditshëm fetar, me mungesën e kujdesit për kafshët, pra gati-gati me gjithçka. (Aliçka, 2009: 41-43)

Me përdorimin e aftësisë së zbulimit të të metave, britaniku dallon “ne/unë” nga “ju”, ndërkombëtarët nga vendasit, duke treguar mohimin e tij ndaj shoqërisë dhe popullit shqiptar në fusha të ndryshme. Ky qëndrim soditës i “perëndimorit” ndaj “orientalit” shfaqet nëpërmjet vështrimit, i cili demonstron vështrimin orientalist dhe pushtetin e të parit ndaj të fundit. Gjatë kësaj bisede, Roshi nuk arrin të japë shpjegime ose të kundërshtojë, por rri në heshtje si shumica e vendasve, duke u ndodhur në pozitën ku vështrohet dhe gjykohet. 

II. Vazhdimësia e vështrimit në shoqërinë shqiptare 

Në veprën Disiplinë dhe ndëshkim, lindja e burgut, Foucault-i mendon se vështrimi që simbolizon pushtet vjen nga “burgu panoptik”, ku i burgosuri ose i vëzhguari është nën mbikëqyrje dhe kontroll absolut. Rrjedhimisht, shfaqet një gjendje e dukshme me vetëdije dhe vazhdimësi tek i vëzhguari, e cila është për të siguruar funksionimin automatik të pushtetit. (Foucault, 1999: 226) Vëzhguesi arrin të disiplinojë dhe kontrollojë të vëzhguarin, ndërkohë ky i fundit bën vetë-mbikëqyrje nga këndvështrimi i brendësuar nga pushteti, dhe priret të kënaqë dhe kujdeset për vështrimin e Tjetrit. Si rezultat, kur i vëzhguari e vështron vetveten nëpërmjet këndvështrimit të Tjetrit, ai vazhdon këtë vështrim të Tjetrit, dhe me siguri është e pashmangshme të mohojë veten, madje të mund të urrejë veten.

Ndonjëherë, kur punonjësit vendas në Përfaqësi përballen me vështrimin e diplomatëve europianë, disa veprimet e tyre duken anormale, por të arsyeshme në njëfarë mënyre.

Diplomati spanjoll Pablito njihet si koprrac dhe person i punës. Megjithëse nuk përmendet urrejtja e tij ndaj vendasve në rrefenjë, mund të arrihet në përfundimin se i përket racizmit të stilit elitar, po të merren parasysh fjalimet e tij. Pablito merret me shqyrtimin e projekteve të propozuar nga punonjësit vendas dhe raportet e tyre. Ai përpiqet me të gjitha mënyrat që të pengojë aplikimin e vendasve, duke nxjerrë justifikime të shumëllojshme, dhe më pas u shpërndan projekte vendase kompanive të huaja. Mënyra të tilla kaq të tmerrshme nxisin me pahir respektin e nëpunësve, të cilët kur i paraqesin Pablitos dosjet mbi tryezë, s’u mbetet veçse të nënshtrohen plotësisht dhe të mos humbin tjetër rast pa demonstruar servilizmin e tyre, me shpresën se kjo gjë do ta zbusë paksa qëndrimin e rreptë të spanjollit. (Aliçka, 2009: 54)

Duke u përballuar me trajtimet e dukshme të pabarabarta nga Pablito, shumica e punonjësve vendas provojnë ta arsyetojnë këtë qëndrim; ata jo vetëm identifikohen me vlerësimin e Tjetrit ndaj vetvetes, por edhe veprojnë të nënshtruar, duke shpresuar që ta kënaqin atë me profil të ulët, me qëllim që të marrin ndonjë përfitim. Në marrëdhëniet midis europianëve që vështrojnë dhe vendasve që vështrohen, me ose pa dashje, vendasit tregojnë më shumë respekt për Pabliton, gjë që nënkupton se ata janë të pavetëdijshëm se ndodhen nën vëzhgimin dhe disiplinimin e Tjetrit. Meqenëse ndërgjegjja subjektive mungon, është e vështirë të thyhet gjendja e tanishme, ose të ndërtohet identiteti objektiv dhe i vërtetë.

Në Përfaqësi ka një punonjëse vendase që ndryshon zërin e saj për të përballuar punë dhe gjendje të ndryshme. Kur ishte para diplomatëve ndërkombëtarë, nëpunësja vendase flet si një fëmijë njomëzak, i jep zërit nuanca nazike duke i zgjatur pafundësisht zanoret, gjë që ua përkëdhel sedrën diplomatëve në fjalë. Kur takohet me ambasadorin, nëpunësja sforcohet mundimshëm, teksa qesh me pahir, dhe i merret aq shumë fryma nga ngazëllimi, saqë Roshit i dukej se do mbytet nga çasti në çast. Kjo gatimbytje e vë në siklet edhe vetë ambasadorin. Veçse, kur nuk nuhat rrezik për karrierën e saj ndërkombëtare, nëpunësja ka pamjen e lozonjares, i jep zërit të saj nuanca të kadifenjta dhe në këto çaste ajo përpiqet të krijojë te ndërkombëtarët përshtypjen se ke të bësh me dikë aspak të ngjashme me vendasit e tjerë, por me një femër të kultivuar me mendje e shpirt perëndimor. (Aliçka, 2009: 45-46)

Ky është përshkrim plot satirë. Zëri i punonjëses bëhet media e saj për të treguar qëndrimin dhe për të strukturuar imazhin. Përballë europianëve, ajo është naive dhe e ëmbël; përpara ambasadorit, ajo qesh e ndruajtur e në mënyrë të qëllimshme; mirëpo me atdhetarët, zëri bëhet i vrazhdë dhe arrogant. Të gjitha këto ndryshime të shumëllojshme ndodhin për të forcuar pozicionin e saj në Përfaqësi, për t’i strukturuar vetvetes një imazh perëndimor, për të kënaqur pritjen e ndërkombëtarëve ndaj vendasve, asimilimin e atyre. Nën vëzhgimin e diplomatëve europianë, punonjësja shndërrohet gradualisht në Uni-n e shtrembëruar dhe të tjetërsuar, si dhe trajton identitetin e Tjetrit si identitetin e vet. Për t’u bërë Tjetër, ajo e humb subjektivitetin. Më tepër se kaq: qëndrimi i saj arrogant ndaj bashkatdhetarëve është pikërisht i njëjti qëndrim i punonjësve ndërkombëtarë ndaj të gjithë vendasve, i cili është vazhdimësia e vështrimit të Tjetrit ndaj Uni-t.

Në rrëfimin e mëparshëm, autori i romanit e shfaq zbulimin e protagonistit rreth vështrimit dhe vazhdimësisë së vështrimit nëpërmjet zërit të Roshit. Duke zbuluar dhe menduar se punonjësja vendase ndryshon zërin me qëllim që të përfitojë dhe të pranojë asimilimin e europianëve si një qasje që t’i kënaqë ata, Roshi nuk mund të quhet një i vëzhguar i thjeshtë, meqenëse ai zbulon etjen dhe vëzhgimin e Tjetrit, brenda të cilit përfshihen aftësia dhe synimi për të riformuar e disiplinuar Uni-n.

Krahas punonjësve vendas, një tjetër grup vendas përbëhet nga politikanë dhe intelektualë, të cilët janë përgjegjës për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e shtetit dhe të kombit, për të drejtuar në mënyrë të pavarur strukturimin e identitetit kombëtar, por, në fakt, janë të paaftë të mos identifikohen me Tjetrin dhe të luftojnë me njëri-tjetrin.

Zonja K., për shembull, është diplomate e lartë nga Qendra dhe jep këshilla për progresin e reformës së Shqipërisë. Ishin të njohur parapëlqimi dhe respekti i zonjës K. për ata që konsideroheshin nga mbarë opinioni publik si intelektualë të pavarur, të cilët shpreheshin me elegancë në gjuhë të huaja dhe ironizonin me finesë bashkëpatriotët e tyre qesharakë. Këtë mbrëmje intelektualët e pavarur, nga ana e tyre, janë në garë ndërmjet tyre se cili do të bëjë më shumë shaka me kripë me zonjën K., ... Me nga një gotë verë të vjetruar në dorë, fare spontalisht, ata i tregojnë zonjës K. për abuzimet ose veset e iks politikani a force politike, e cila përkon rëndom të jetë partia ku nuk ia del të varet intelektuali i pavarur ose familjarët e tij. ... si zakonisht, në këtë garë spontane triumfojnë ata opinionbërës që e konsiderojnë veten si intelektualë më të pavarur se të tjerët. (Aliçka, 2009: 124-125)

Si një diplomate e lartë e emëruar nga Qendra, Zonja K. mund të përfaqësojë më mirë Europën dhe Perëndimin sesa punonjësit europianë të Përfaqësisë, gjë që shpjegon pse elita shqiptare lufton të luajë rolin e intelektualit të pavarur me mendësi perëndimore. Zonja K. preferon të vëzhgojë një intelektual të pavarur, prandaj intelektuali mund të vëzhgohet dhe njihet nga Tjetri vetëm pasi i mëparshmi e rivendos veten në pozicion të duhur. Etja e politikanëve vendas për njohjen nga Tjetri i detyron ata të shfaqin maksimalisht veten në mënyrë joreale. Gjuha e huaj elegante, ashpërsia ndaj bashkatdhetarëve dhe vera e cilësisë së lartë përfaqësojnë për ta elementet e mirazhit të Perëndimit. Nën vështrimin e të njëjtit Tjetër, politikanët vendas nuk përpiqen t’i thonë “jo” fatit të dominuar, madje ata luftojnë për të fituar sa më shumë vështrim nga Tjetri perëndimor. Kësisoj, ata i japin të drejtën Tjetrit që të transformojë Uni-n dhe të strukturojë identitetin e vet, duke humbur plotësisht mundësinë e njohjes dhe strukturimit të identitetit shqiptar. 

III. Rritja e Roshit: nga i vëzhguari në kundërvështrim 

Analiza e mësipërme e sqaron vështrimin e diplomatëve europianë ndaj shqiptarëve, si dhe me përjashtim të protagonistit pranimi dhe njohja e vështrimit të vendasve, të cilët nuk mund të kuptojnë të vëzhguarit dhe vazhdojnë vështrimin e Tjetrit. Megjithëse në sistemin e diskursit ekzistues Europa është e pakundërshtueshme për Shqipërinë, autori, me anë të Roshit, u jep lexuesve një mundësi tjetër.

Foucault-i tregon se strukturimi i shoqërisë disiplinore në panoptizëm kryhet nga Ne, për shkak se ne jemi një pjesë e këtij sistemi. Si pasojë, objekti i vështrimit nuk vendoset krejtësisht nën vështrim, por e pranon dhe identifikohet me rregullat e vështrimit. Vetë vështrimi është një aktivitet pamor, i cili nënkupton që i vëzhguari mund të kundërshtojë vështrimin e Tjetrit nëpërmjet kundërvështrimit, që të dobësojë dhe ndryshojë mbizotërimin e Tjetrit, si dhe të forcojë subjektivitetin e vet. Nën vështrim dhe kundërvështrim mes subjektit dhe objektit të vështrimit, subjekti i vështrimit mund të ketë identitetin më real mbi Uni-n. Me zgjimin e ndërgjegjes subjektive të të vëzhguarit dhe pakënaqësinë e tij ndaj ideologjisë së tashme, marrëdhënia vështrim-kundërvështrim pëson ndryshim fshehurazi. Po të vazhdojë rritja e subjektivitetit të të vëzhguarit, atëherë i vëzhguari do të mund të mbajë qëndrim të ri kundërshtues përballë vështrimit të autoritetit, nëpërmjet të cilit formohet një lloj vështrimi kundërshtues, kundërvështrimi.

Si protagonist i romanit, Roshi rritet vazhdimisht në procesin e vështrimit. Kur Roshi sapo fillon punën në Përfaqësi, ai rri i heshtur, pa shpjeguar, duke dëgjuar qortimet satirike të britanikut për besimin fetar dhe kulturat shqiptare, dhe nuk arrin të zhvillojë bashkëbisedim të frytshëm. Me të dëgjuar se europiani do të bëjë përpjekjet e gjithanshme që ky vend të bëhet pjesë e familjes së vendeve të zhvilluara (Aliçka, 2009: 26), gëzimi i tij buron nga besimi absolut për diplomatin e lartë dhe vendet e zhvilluara që britaniku përfaqëson. Roshi, me siguri, është naiv dhe i mitur, pa kuptuar thellë rregullat në Përfaqësi. Mirëpo me kalimin e kohës, Roshi nis të shohë qartë pamjen e vërtetë të ndërkombëtarëve. Në fund të fundit, ai qortohet nga diplomati mesdhetar për arsyen “kërcënim i dinjitetit të diplomatit” dhe detyrohet të largohet nga puna. Ai vendos ta ballafaqojë mesdhetarin duke mos i duruar veprimet e tij të ulëta. Jashtë zyrës së mesdhetarit, Roshi i kujton atij se atë zyrë “nuk ia kishte pjellë e ëma”, hapësirë ku protagonisti kryen për herë të parë kundërvështrimin e tij ndaj ndërkombëtarëve, duke nxjerrë në pah marrëdhënien e pushtetit. Kundërvështrimi i Roshit thyen gjendjen e kontrollit dhe disiplinën e të vëzhguarit nga vëzhguesi, gjë që frikëson Tjetrin dhe vëzhguesi shënon rritjen e rëndësishme të Roshit. 

Disa përfundime 

Lidhur me imazhin e shqiptarit, në një intervistë dhënë Gazetës Mapo, Aliçka u shpreh seÇdo vend e institucion ndërkombëtar apo popull, kërkon të njihet me fizionominë e një vendi tjetër, në rastin tonë të Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale e shpirtërore. ... Por ka një diferencë të madhe se si e shohim ne veten, si na shohin të huajt në përgjithësi dhe si jemi realisht, mospërputhje që shpesh bëhet burim keqkuptimesh e zhgënjimesh. ... Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.” (2016)

Mund të shohim qartë se Aliçka shtron një pyetje të ashpër sa u përket marrëdhënieve mes Europës e Shqipërisë dhe identitetit shqiptar. Ndërsa vendet perëndimore japin ndihmë me arrogancë, duke qëndruar në pozitën mbizotëruese, si të pranojnë vendet në tranzicion ndihmësit që i tallin? Vendasit në romanin Rrëfenjë me ndërkombëtarë, nga kopshtari, punonjësja që ndryshon zërin, kryetari i sindikatës, e deri te politikanët, elita, intelektualët, pavarësisht nga shtresa e tyre shoqërore dhe puna që bëjnë, duket se të gjithë janë të mësuar me arrogancën e Perëndimit dhe përligjin vazhdimisht strukturën e pushtetit me një qëndrim të nënshtruar. Kur Roshi del përpara për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkatdhetarëve, pakënaqësia dhe kundërshtimi i tij ndaj europianëve vlerësohet nga vendasit si veprim i papjekur, i pamatur dhe i pasaktë.

Si pasojë, një tjetër kërkesë shtrohet përpara lexuesve, që në sistemin e diskursit të tanishëm, duke u përballuar me palën e fortë, duhet të mendojnë për qëndrimin dhe mendimin e duhur për strukturimin e identitetit individual dhe kombëtar. 

Literaturë:

1. Aliçka, Ylljet, Rrëfenjë me ndërkombëtarë, Tiranë, Toena, 2009.
2. Dhima, Aleksandër, “Aliçka, një libër për të kuptuar identitetin shqiptar”, 19 mars 2016. <https://gazetamapo.al/alicka-nje-liber-per-te-kuptuar-identitetin-shqiptar/>
3. Sartre, Jean-Paul, Being and Nothingness, New York, Washington Square Press, 1993.
4. Urry, John, Vështrimi i turistit, Guilin, Guangxi Normal University Press, 2009. (Versioni kinezisht)
5. Foucault, Michel, Disiplina dhe ndëshkimi: lindja e burgut, Pekin, Sanlian, 1999. (Versioni kinezisht)

* MA Sai, Ph.D., pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, fusha e kërkimit shkencor: gjuha dhe letërsia shqipe, letërsia ballkanike.

Ky studim i është financuar autores nga Fondet e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. (Numri i projektit: 215500120014



[1] Profesor, diplomat dhe shkrimtar i njohur, Ylljet Aliçka është lindur në Tiranë, më 23 qershor 1951. Ka qenë ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO. Është autor i shumë prozave dhe skenarëve kinematografikë. Në shqip ka botuar: Tregime (1998), Kompromisi (2001), Rrëfenjë me ndërkombëtare (2006), Parrullat me gurë (2007), Valsi i lumturisë (2012), Metamorfoza e një kryeqyteti (2019) etj. Krijimtaria e Aliçkës është vlerësuar me çmime letrare dhe kinematografike, si për shembull, Çmimi i Parë, seksioni Shkrimtar i huaj, Konkursi ndërkombëtar i tregimit, Teramo, Itali (1999), Penda e argjendtë (2001, 2012), Young Critics Award në Festival de Cannes (2001), Best Screenplay në Festivalin shqiptar të Filmit (2011), fitues në Hollywood International Moving Pictures Film Festival.