Sipas dëshmive të veta, Kuteli nis të shkruajë në vendlindje dhe vijon jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë për të nxjerrë mallin e ”gjuhës së mëmës”. Nën një frymëzim që duket si një hepim i dëshpëruar, por shpresëplotë drejt Krijuesit dhe një bote-jetë, të cilën trandet se mos e ka humbur përfundimisht, shkrimi i Kutelit është një besëlidhje me të shkuarën (plot shije, qënie e sende të domosdoshme) për të shëruar veten, lexuesin dhe, në mos të tashmen, të ardhmen. Brenda një dhjetëvjetëshi, proza e Kutelit kryen pa bujë zhvendosjen e një lënde gati tërësisht shpirtërore, gjallë vetëm në botën tjetër (mund të quhet edhe Kujtesë) në Letër. Është një shndërrim plot të papritura historike e rreziqe estetike për shkrimtarin, sepse në Letër duhet ruajtur sa më vërtetësisht e jetueshëm (nga ana e lexuesit) një lëndë aq e pasur dhe tunduese, ndaj së cilës mbetet tejet e vështirë të ndash kur është më tepër thjesht jetësore (duke mpakur rolin dhe fuqinë e artit) e kur artistike (duke pakësuar fuqinë dhe rolin e jetës).
Shenjtëria dhe hidhërimet lartues të fëminisë; mërgimi dhe kthimet e disafishtë (me trup apo libra); degëzimet e vëllavrasjes dhe të mercenarizmit; luftrat që sjellin paqe kalimtare dhe paqet që sjellin luftëra si pa fund; askushët heronj dhe heronjtë askushë; rënia shpirtërore e morale; dashuria si mërgim plot fshehtësi nga e përditshmja; përballja me fatin që merr trajtë lumi apo rrugësh pa shpirt; të paemrit që bëjnë historinë e vërtetë dhe emërfryrët që prishin jetën dhe ligështojnë shpirtra, e deri tek gjetja e rrugës së Zotit; qëndrimi ndaj Vdekjes; kthimi atje ku gjithkush ëndërron të jetë, i shtyrë nga malli, por edhe nga detyra për të ruajtur Kujtesën; shija e fatit dhe e jetës në një Ballkan që vazhdon të mbetet plaga shqetësuese, por edhe fuçia me metafora e Evropës si njësi administrative – këto të gjitha jo vetëm pasqyrohen qartë në prozën e Kutelit, por edhe shpjegohen bindshëm, duke fituar vlerë postulatesh për ata që dinë të lexojnë.
Sa i përket stilit, Kuteli bën pjesë në atë grup fare të vogël mjeshtrash, që mund të emërtohen “Zëdhënës të Rrëfimtarit pa emër” (alias popullit) dhe në veprat e të cilëve simbolet janë të shkrirë me ngjarjet e mirëfillta dhe personazhet, pa lejuar të vendosësh nëse po përjeton diçka drejtpërdrejt, apo je duke e lexuar. Në një shqipe që pasuron tërthorazi mbarë mendësinë ballkanike, rrëfimi i Kutelit (në kuptimin letrar, por edhe në atë fetar) buron e rrjedh nga një hapësirë shpirtërore që nuk i nënshtrohet asnjë ideologjie apo estetike dhe nganjëherë mund të thuhet se populli rrëfen siç shkruan Kuteli e jo anasjelltas. Uni i autorit del fort rrallë, ndoshta si shenjë mirënjohjeje ndaj Krijuesit dhe “Rrëfimtarit pa emër”, vetëm në rastet kur na përcillen të dhëna e dije që shpesh një autor ia mëson popullit të vet, nga një e tashme e caktuar drejt së përhershmes.
Studimi përfshin edhe një vështrim të shkurtër krahasimtar mes prozës së Kutelit dhe prozave të disa korifejve të letërsisë që kanë shkruar për jetën dhe banorët e Ballkanit, brenda, ose jashtë tij, dhe sjell dëshmi të papërmendura më parë rreth tharmit kinematografik të prozës kuteliane.
(...)
* Pjesë të
këtij studimi u paraqitën në konferencën “Mitrush
Kuteli – Shkrimtari, studiuesi, përkthyesi", organizuar nga Akademia e
Shkencave e Shqipërisë me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, 8
korrik 2022.