Në vend të Curriculum Vitae…
ALBERT DEDJA & DARDANA
BËRDYNA – Fëmijëria jonë
ishte vrapim i gëzueshem dhe lojra pa fund në hapësirat e një natyre të
mrekullueshme, me tokë të ngrohtë, në mes lumit Erzen dhe detit Adriatik, mes
qytetit të Shijakut dhe Durrësit. Nuk mund të rritesh indiferent nga ajo bukuri
e pejasazhit gjithë dritë, fllade të ngrohta dhe dimra me stuhi shirash, mes
njerëzish të lidhur me tokën dhe detin. Pasioni dhe kontakti me artin lindi
pikërisht brenda këtyre përvojave vizive, njerëzore dhe ndjesish të magjishme.
ALBERT DEDJA- Në moshën gjashtë vjaçare,
fillova rrethin e pikturës për fëmijë me mësuesen e vizatimit Shpresa Beqiri.
Ajo me shumë pasjon na mësoi të vizatonim dhe të dashuroheshim me artin, na
mësoi disiplinën e përkushtimit, na nguliti në kokë idenë e kërkimit të së
bukurës, si të ngazëlleheshim pas saj. Nga ajo kohë magjike nuk u ktheva më
mbrapa për të kërkuar psenë, por vazhdova duke kaluar të gjitha fazat e
formimit: Liceun Artistik në Shkodër, Akademinë e Arteve në Tiranë, punën si
piktor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, si skenograf në Teatrin «Aleksandër
Moisiu» të Durrësit, kalimin në anën tjetër të detit, dhe jetën artistike në të
gjitha dimensionet e saj. Kjo e fundit, për fat të mirë, është akoma në njëfarë
mënyre në formim aktiv, ose në shndërrim, një domosdoshmëri e imja për të
vazhduar rritjen.