Showing posts with label Agim Baçi. Show all posts
Showing posts with label Agim Baçi. Show all posts

Agim Baçi: Mungesa e dashurisë, rruga e askundit!

(Letër një prindi, me të cilin kemi fëmijët bashkëmoshatarë) 

Më lejo të të drejtohem sot më këtë letër ty miku im, që ke fëmijët në të njëjtën shkollë me fëmijët e mi dhe në lagjen time. Ndoshta përshëndetemi shpesh vetëm me lëvizje koke, edhe pse mund të dimë për njëri-tjetrin disa gjëra për shkak të asaj që dimë nga fëmijët tanë.

Gjithnjë kam dashur të të shkruaj e të të flas. Madje, sa herë i kam nisur letër tim biri në ditët e parë të shkollës kam kuptuar që ai nuk do mundet t’ia dalë i vetëm çfarëdo që t’i shkruaj unë. Nuk do t’ia dalë as vetëm me shokët dhe shoqet e tij. Nuk do t’ia dalë as vetëm me fjalët e mësuesve. Ata kanë nevojë për ne dhe ne duhet të dimë se si t’ia dalim që të mos u transmetojmë atyre vetëm nga dështimet tona, nga hapat që nuk i mbërritëm dot në jetët tona.

Agim Baçi: Mbretëria e përvojës dhe ideales në novelën e Mitrush Kutelit 'Hekuri dhe Çeliku’

Teksa mbyll kapakun e libërthit, pak pasi dy personazhet kanë mbyllur sytë, në dy vrasje që pasojnë njëra-tjetrën, madje që e shkaktojnë njëra-tjetrën, nis të pyesësh veten: A na çliron ndonjë ngërç leximi i tregimit të Kutelit, apo na krijon ndonjë ngërç? Ndoshta sepse lexohet me një frymë dhe ka nevojë të rimendohet çka ngjarë dhe se si mund të kuptojmë ngërçin që na rrok e njëkohësisht që na çliron.

Që në fillim të tregimit përvijohet një ndarje që ndizet nga zilia e që do të pasojë me pamundësinë e pranimit të botës së tjetrit. Në një anë është zëri i Hekurit që i ngjet butit të vjetër me dhoga të ngrëna nga krimbi e me rrathë të ndryshkur e në anën tjetër zëri i Çelikut, i fortë si bubullimë Kalivaçi, por edhe i freskët e i këndshëm. Janë dy zëra që transmetojnë dy botë.

Lumi i myshterinjve që anon nga Çeliku, që di të shesë përmes një zanati që e dashuron dhe e punon plot pasion, nis të sjellë rrokopujën e parë mes dy tregtarëve. Është një lumë që sapo ka nisur vërshimin e që Hekuri kërkon ta kalojë përmes ofertës. Edhe pse me “zërin e hidhëruar” Hekuri nis një bisedë – një bisedë mes dy njerëzve që ende kanë mundësinë të merren vesh për një bashkudhëtim.

Rando Devole: Romani ”Bolero”

Pavarësisht se rrëfimtari e deklaron që në fillim se romani nuk do të jetë narrativë e një aventure, por aventurë narrative, lexuesi mezi pret të mësojë se ç’i ndodh atij tipit rreth të tridhjetave, që zbret shkallët e stacionit të metrosë së New York-ut, tek kryqëzimi i avenysë së 7-të dhe rrugës 40 në Manhattan, por që i zhytur në leximin e gazetës nuk ia vë veshin njoftimit për aksidentin e ndodhur diku në Brooklyn.[1].
Lexuesi i romanit “Bolero” të Ardian Vehbiut (Dudaj, 2015), nuk e di se po fillon një aventurë të re në krahët e tekstit, një udhëtim sa të njohur aq edhe ekzotik, sa emocionues aq edhe racional, ku harta nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, por që vizatohet rishtas me shenja të ndryshme, herë familjare e herë misterioze, ku dypërmasiteti klasik ia lë vendin hartës 3D, me tinguj, imazhe, refleksione, referime, përshoqërime, vegime. I flakur në tunelin hapësinor e kohor të narrativës, lexuesi ka mundësinë të eksplorojë universe të panjohura më parë, ose t’i shikojë me sy tjetër, edhe pse gjendet, së bashku me personazhin kryesor, brenda metrosë së New York-ut.

Ka shumë muzikë në roman. E jo vetëm tek titulli i huazuar nga vepra e njohur e Ravelit[2]. Muzikën e dëgjon dhe e ndjen gjatë gjithë leximit; rrjedh natyrshëm jo vetëm nga struktura e gjuha e romanit, me variacionet e veta që prekin si ritmin ashtu edhe melodinë, por edhe në referimet tekstuale ndaj muzikës klasike e moderne. Kështu, muzika shfaqet fillimisht në trajtën e metaforës, për të shpjeguar konceptin e lakut kohor, si ajo gjilpëra e gramafonit që jep vetëm një segment muzikor, sepse ka ngecur në një brazdë të gërvishtur të diskut prej vinili[3].

Teuta Toska: Një letër dashurie për letërsinë

“Letër Dylqinjës” i autorit Agim Baçi, botuar së fundmi nga shtëpia botuese ”Onufri” është një libër i pazakontë që vjen për lexuesit shqiptar. Pazakonshmëria e tij lidhet me tri arsye parësore, që mund të përbëjnë edhe themele mbi të cilët mbështetet komunikimi letrar. Po flasim për personazhin, formën dhe përmbajtjen e tekstit.
“Letër Dylqinjës” nuk është një libër për shkrimtarin / shkrimtarët – në fakt autori sjell në tekst disa shkrimtarë të njohur të letërsisë botërore, si Tolstoi, Shekspiri, Stefan Cvajku, Milan Kunderën etj. Ai përmban një bashkëbisedim të trilluar me ta në formën e letërkëmbimit. Ndonjëherë autori luan me lexuesin e librit duke e lëshuar në atë trazirën e leximit të bukur: e vërtetë apo trillim? “Nuk u kam besuar syve. Për këtë shkak këtë letër e kam mbajtur për vite me radhë nën jastëk. Të më shkruajë mua Shekspiri?”. Unë lexuesi e di që jo, me siguri. Edhe pse do të doja të ishte e vërtetë.

Agim Baçi: Stili i të shkruarit dhe “stili i të lexuarit”

Në kuptimin klasik, Stili në letërsi nënkupton mënyrën personale të të shkruarit. “Stili është vetë autori”, shprehej studiuesi francez Buffo, duke dhënë ndoshta edhe definicionin më klasik të stilit. Për Gëten, vepra kishte stil kur arrinte një harmoni origjinale, përmbyllëse, të papërsëritshme të vetën. Poeti Leopardi, thoshte se stili është ajo forcë që quhet origjinalitet. Për Floberin stili është një mënyrë për t’i dhënë formë veprës në mënyrë origjinale. Ndërsa për Marsel Prustin stili kthehet në një lloj zgjuarsie, që veçon shkrimtarin nga autorët e tjerë.
Kritiku Luixhi Parejson, në librin e tij “Vërejtje për stilin” shkruante se të flasësh për stilin do të thotë të flasësh se si është shkruar vepra. Ndërkaq, duke iu referuar zbërthimit të veprës përmes stilit, siç sugjeron Parejson, studiuesi Umberto Eko arrin në përfundimin se, “një semiotikë e arteve nuk është gjë tjetër veçse një vënie në dukje e makinacioneve të stilit dhe se semiotika përfaqëson formën më të lartë të stilitikës dhe modelin e çdo kritike arti”.

Agim Baçi*: Dashuri përmes ironisë (Mbi tiparet poetike të Marin Soreskut)

Përmes ironisë a mund të falësh dashuri? Ironia është një fjalë që vjen nga greqishtja, nga eironeia, fjalë që nënkupton shtirje ose tallje të fshehur, ku kuptimi i vërtetë është i kundërti i asaj që kumtohet. Si e tillë, parë nga burimi, ironia rrallëherë lë shtigje për të dashuruar. Por jo në rastin e Marin Soreskut. Në rastin e poezive të tij, rregullat thyhen, ashtu siç edhe bota vjen “në një rrotullim tjetër”, duke sjellë përmes ironisë gjithë dashurinë për veten dhe për botën.
“Ironia është një parim njohës që del përmes një paradoksi, në parimin e përgjithshëm të metaforës”, shprehet studiuesi amerikan V.K Vimsart[1]. Dhe paradoksi vjen. Duke marrë në analizë katër poezi, “Shekpiri”, “Shah”, “Sëmundja” dhe “Ti më njeh”, do të vërejmë se Soresku e ka rrëzuar edhe burimin e ironisë, duke dhënë përmes kumteve ironike një dashuri, e cila rrëzon kontekstin e talljes. Kjo edhe për faktin se ironia në rastin e Soreskut, duke kaluar përmes vetironisë, shëron gjithë ndjesitë negative që bart ironia në aspektin fillestar, dhe lë aty veçse dashuri.