“Letër Dylqinjës” i autorit Agim Baçi, botuar së fundmi nga shtëpia botuese ”Onufri” është një libër i pazakontë që vjen për lexuesit shqiptar. Pazakonshmëria e tij lidhet me tri arsye parësore, që mund të përbëjnë edhe themele mbi të cilët mbështetet komunikimi letrar. Po flasim për personazhin, formën dhe përmbajtjen e tekstit.
“Letër Dylqinjës”
nuk është një libër për shkrimtarin / shkrimtarët – në fakt autori sjell në
tekst disa shkrimtarë të njohur të letërsisë botërore, si Tolstoi, Shekspiri,
Stefan Cvajku, Milan Kunderën etj. Ai përmban një bashkëbisedim të trilluar me
ta në formën e letërkëmbimit. Ndonjëherë autori luan me lexuesin e librit duke
e lëshuar në atë trazirën e leximit të bukur: e vërtetë apo trillim? “Nuk u kam besuar syve. Për këtë shkak këtë
letër e kam mbajtur për vite me radhë nën jastëk. Të më shkruajë mua
Shekspiri?”. Unë lexuesi e di që jo, me siguri. Edhe pse do të doja
të ishte e vërtetë.
Ky nuk është as një libër për
personazhet, ndër më të njohurit e letërsisë, ata më klasikët, edhe pse nëpër
faqet e librit ne lexojmë për Dylqinjën, Don Kishotin, Ema Bovarinë, Shvejkun,
Tom Sojerin, Alioshën etj. Nuk do të lexojmë zbërthime psikologjike, analiza
letrare dhe strukturime tipologjike, përsiatje për arketipat që përfaqësojnë
dhe shndërrimet që pësojnë në kryeveprat përkatëse.
Ky është një libër ku autor është lexuesi. Më në fund kemi një lexues që
ka shkruar një libër; një libër për leximet e tij të thjeshta, vetjake, të
thella, të një jete. Dikush mund të thotë se një libër nga qasja e lexuesit
është çdo kritikë letrare, çdo libër për shkrimtarët, për veprat e lexuara dhe
të analizuara, çdo koment letrar, çdo komentar. Por në faqet e “Letër
Dylqinjës” nuk do të gjeni asnjë model teorik analize, asnjë ngrehinë
terminologjike të studiuesve të njohur të letërsisë, nuk do të gjejmë
përqafimin e ndonjë shkolle interpretimi të tekstit letrar. Aty do të gjejmë
“përleshjen” e mahnitshme dhe “titanike” të lexuesit me veprën letrare dhe me
gjithë çfarë e bën atë të atillë: personazhin me ngjarjen e vet, veprën dhe
shkrimtarin.
Duke qenë se është një libër nga
LEXUESI, duket se ky libër ka një histori të gjatë. Ai, ndoshta, ka nisur të
shkruhet që me leximin e parë, me atë të një vepre e cila ka qëndruar në mendje
dhe në shpirt shumë kohë pasi është mbyllur kopertina e pasme. Në fakt, ky
është një libër që mund ta shkruajë secili prej nesh. Çdo lexues bashkëbisedon
gjatë me veprën që ka lexuar. Por e ndryshmja e këtij libri është se autori ka
marrë guximin ta shkruajë bashkëbisedimin e heshtur, përleshjet e shpirtit të
lexuesit me personazhin, ngjarjen, idetë, shkrimtarin, ato kapërthime që në
fund sjellin ndryshime të mëdha në karakter, mendime, ide, qëndrime, edhe pse
të padukshme, të pashprehshme. Kështu, ky libër i LEXUESIT PËR LEXUESIT risjell
kënaqësinë e leximit dhe e “nderon” letërsinë për atë që ajo është: një mjet që
ka fuqi për ta hetuar, shndërruar, fuqizuar njeriun brenda nesh.
Dhe, jam e sigurt, se ky libër po
vazhdon të shkruhet ende. Ja një pazakonshmëri tjetër: një libër i mbaruar sot,
por që po vazhdon ende të shkruhet, që do të përfundohet me librin e fundit që
do të lexojë në jetën e vet autori.
Duke qenë një vepër e lexuesit për
lexuesin, ajo është një vepër ironikisht postmoderne, edhe pse gjuha është
thellësisht e thjeshtë, tematika e personazhet kaq klasikë. Sepse dikur
letërsia ishte vepra e AUTORIT, shekuj më vonë letërsia e harroi autorin dhe u
themelua tek VEPRA, por sot letërsia është ajo e LEXUESIT. Sepse Cervantesi ka
vdekur, “Don Kishoti i Mançës” është një vepër që një pjesë e mirë e lexuesve
të këtij shkrimi mund të mos e kenë marrë asnjëherë në dorë, një libër i vjetër
diku në bibliotekën e qytetit tënd. Por lexuesi është gjithnjë i gjallë. Dhe
kur unë e marr në dorë veprën, jeton Cervantesi dhe gjithë bota e mrekullueshme
që ai e krijoi për mua. Vetëm për mua. Kështu, lexuesi i mirë e rikrijon veprën
dhe e sjell në jetë shkrimtarin. Akti i tij i leximit bëhet një akt rikrijimi.
Së dyti, vepra nga ana e formës është
atipike. Një letërkëmbim imagjinar, ku reale është vetëm njëra palë, ajo që
shkruan, lexuesi Agim. Një libër për letërsinë, që mund të jetë një epistolar,
por i pangjashëm me ata tipikët. Sepse këto “epistula” nuk rrëfejnë ngjarje, as
pikëpamje për ndodhi të rrëfyera, nuk është krejt imagjinar, sepse marrësi
është imagjinar, por dërguesi është real (ai quhet Agim Baçi), dhe kështu
lexuesi i LEXUESIT zhytet në këtë lojë tërheqëse pazakonshmërie dhe atipike,
duke përjetuar me këto udhë krijimi atë që autori (ndoshta) ka dashur ta
përfitojmë: leximin si akt lirie, si një përjetim të lirisë së njeriut, si një
vepër lirie e secilit prej nesh sa herë duam dhe kur të duam, duke lexuar.
Së treti, kjo vepër atipike letrare e
një lexuesi për letërsinë, përmban mesazhe të ndryshme, që përçohen letër pas
letre. Çdo letër që i drejtohet një personazhi, i cili njëjtësohet me gjithë
kryeveprën letrare së cilës i përket, arrin të sintetizojë një mesazh qendror,
të cilën lexuesi Agim mendon se ajo vepër e ka, p.sh. në veprën “Don Kishoti i
Mançës” mesazhi qendror është kërkimi për dashurinë, “rrugëtim drejt dashurisë” i secilit prej nesh, sepse: “njerëzit janë pranë vetëm nëse ne i duam”
(nga “Letër Dylqinjës”). Ndërsa
“Zonja Bovari” është kërkimi i një gruaje për përmbushjen e ëndrrës së vet: “Unë vija nga një ëndërr për një botë të
hareshme, plot dashuri dhe emocion. Por për fatin tim Sharli nuk mundi dot të
ishte kurrë pjesë e ëndrrës sime.” (Letra që i dërgon Ema Bovari lexuesit
Agim, “Letër Dylqinjës”). Ndërsa personazhi i romanit “Frymë të vdekura” të
Gogolit na rrëfen se në jetë duhet të kërkosh të jesh i guximshëm. Më mirë të
guxosh se të pendohesh, ose të grumbullosh “mençuri
të vona”, si quhen në letrën që Çiçikovi i shkruan lexuesit Agim. Çiçikovi
e mbyll letrën e tij (imagjinare) duke thënë: “mes botëve tona – mes nesh dhe të tjerëve, mes asaj që shohim dhe asaj
që nuk shohim, mes asaj që bëjmë dhe asaj që nuk bëjmë - ka gjithnjë hapësirë
për të guxuar për diçka.”
Përtej këtyre mesazheve të thella, mësime
për jetën dhe për shpirtin që na vijnë letër pas letre, ka një mesazh tërësor
të gjithë këtij libri: një dashuri e pastër dhe e vërtetë për letërsinë.
Prandaj ky libër është si “një letër dashurie për letërsinë”, drejtuar asaj,
dashurisë pasionante, të fshehtë dhe të pranuar të shumicës prej nesh.
Së fundi, jo rastësisht, ky libër fillon me një personazh imagjinar (Dylqinjën) dhe një shkrimtar të vdekur prej kohësh (Cervantesin) dhe mbyllet me një shkrimtar të madh, ende gjallë: me letrën (imagjinare) që Milan Kundera ia dërgon lexuesit Agim. (ndoshta) Sepse jeta edhe vdekja, koha dhe pakoha nuk janë përmasa të letërsisë: kjo formë e njerëzores ka rendin e vet, përmasat e veta, qenësinë e vet. Ajo, si të thuash, jeton në atë që në gjuhë e njohim si “e tashmja e vazhdimësisë”. Dhe ajo do të vijojë të jetë deri në shkrimtarin e fundit? Jo vetëm. Deri në lexuesin e fundit. Dhe nuk duhet të çuditemi që lexuesi Agim “e ka mbajtur për vite me radhë nën jastëk” letrën që Shekspiri i ka shkruar. Sepse një shkrimtar po na shkruan edhe ne një letër sa herë që ne hapim librin e tij për ta lexuar.