Showing posts with label Sadeg Hedayat. Show all posts
Showing posts with label Sadeg Hedayat. Show all posts

SADEGH HEDAYAT: Perçja

Përktheu: Viktor Bakillari

Sadek IDAJETI, (Sadegh Hedayat) shkrimtar i madh iranian, lindi në vitin 1903 në kryeqytetin e Iranit, Teheran, dhe vdiq më 1951 në Paris / Francë. Është nismëtari i letërsisë moderne perse. I vetmi shkrimtar modern iranian që ka fituar famën më të madhe jashtë kufijve të vendit të tij. Idajeti lëvroi shumë bukur gjininë e prozës së shkurtër (tregimit). Ai është konsideruar nga kritika si shkrimtari më i madh i Iranit modern. Për nga fuqia e stilit është quajtur Franc Kafka i Orientit. Vepra e tij përshkohet krye-fund nga ankthi. Ajo karakterizohet nga një pesimizëm i thellë, pesimizëm ky, që e çoi në vetëvrasje.

Haxhi Murati, kërceu përpjetë si kaproll nga platforma e dyqanit dhe doli në shëtitoren e pazarit. Shkundi kindat e tunikës ngjyrë hiri, rregulloi rripin e argjendtë, shkoi dorën në mjekrën e ngjyer me këna dhe thirri Hasanin, çirakun e tij, për ta ndihmuar të mbyllte dyqanin. Ndërkohë, nxori nga xhepi katër monedha dhe ia zgjati, - i cili e falënderoi, pastaj u largua me hapa të mëdha duke fishkëllyer dhe humbi në turmë. Haxhiu hodhi supeve pallton ngjyrë kafe që e mbante në dorë, dhe pasi pa rreth e rrotull filloi të ecte serbes. Këpucët e reja ia bënin krak-krak. Shumica e dyqaneve e përshëndesnin teksa kalonte dhe i thoshin nga një fjalë të ëmbël.
- Njatjeta Haxhi... Si je Haxhi? Ke humbur fare Haxhi!...
Këto fjalë zëzëllonin butë në veshët e tij sidomos titulli “haxhi” ndaj të cilit ishte veçanërisht i ndjeshëm. I mikluar tinëzisht, ai u përgjigjej përshëndetjeve me një buzëqeshje begenisëse.
Ai e dinte mirë që emri “haxhi”, me të cilin e nderonin, ishte i padrejtë, sepse nuk kishte shkuar asnjëherë për pelegrinazh në Mekë. Thjesht, pas vdekjes së të atit, atëherë ende fëmijë, e ëma, sipas amanetit të të ndjerit, kishte shitur shtëpinë, e kishte bërë mallin para dhe kishte shkuar me kuç e me maç në Qerbela. Pas një a dy vjetësh ata i harxhuan të gjitha dhe mbetën me gisht në gojë. Haxhiu, vetëm dhe me shumë mund, kishte shkuar në Hamadan, ku rronte i ungji. S’kaloi shumë kohë dhe, ky i fundit, ndërroi jetë duke e lënë si trashëgimtar të vetëm. Dhe meqë xhaxhanë e njihnin në pazar me emrin “Haxhi”, djaloshi kishte trashëguar, njëherësh, krahas dyqanit edhe titullin. Ai nuk kishte asnjë të afërm në qytet. Dy-tri herë ishte përpjekur të merrte vesh për fatin e s’ëmës dhe së motrës të mbetur në Qerbela, por më kot; madje s’kishte mundur të gjente asnjë gjurmë të tyre.