Në qytetin verior Sh, rrëzë maleve të larta që preknin
qiellin kaltërosh, e përtej brigjeve të lumit, me një pamje përrallore,
shtrihej fshati Lekë. Mu aty, në një lartësi të dukshme për çdo sy kalimtari,
si shkëmb i thepisur, rrinte një shtëpi e vjetër, aq e vjetër, sa s’mbahej
mend. Askush s’e dinte saktësisht vjetërsinë e saj. S’dihej kush e kishte
ndërtuar, e ma pak, pronë e kujt qe. Prej kur mbahej mend, shtëpia ruante të
pandryshuar një ngjyrë të frikshme, si ngjyrë dheu. E tillë çfarë ishte, ajo i
kishte gjitha karakteristikat e një shtëpi misterioze.
E kjo s’ishte e tëra në lidhej me historinë e asaj
shtëpie, sepse ajo që e bënte atë ma të ankthshme ishte diçka që ndodhej brenda
saj. Ishte një pasqyrë, nga e cila shihej e gjithë shtëpia, madje edhe skutat
ma të fshehta, ndonëse ajo ishte e vendosur në hyrje të ngrehinës disakatëshe,
me shumë dhoma si labirinte. Përtej pasqyrës, ndodhej një korridor dhe disa dyer
të mëdha, mirëpo, sipas rrëfimeve, askush deri me sot s’kishte arritur të
kalonte matanë pasqyrës.