Showing posts with label Dino Buzzati. Show all posts
Showing posts with label Dino Buzzati. Show all posts

Dino Buzzati: Veza

Në kopshtin e Vilës Mbretërore, kryqi Vjollcë Ndërkombëtar do të organizonte gjuetinë e madhe të vezës për fëmijët nën 12 vjeç. Bileta 20 mijë lireta.
Vezët fshiheshin nën disa grumbuj fieresh, pastaj jepej sinjali i nisjes dhe të gjitha vezët që arrinte të gjente një fëmijë, ishin të tijat. Vezë me përmasa dhe lloje nga më të ndryshmet. Prej çokollate, prej metali, prej kartoni. Kishte dhe nga ato me lodra shumë të bukura brenda.
Xhilda Sozo, kameriere me orë, dëgjoi të flitej për këtë gjueti në shtëpinë Zernota ku punonte. Zonja Zernota do t’i çonte të katër fëmijët e saj atje. Që të gjithë bashkë kushtonin 80 mijë lireta.
Xhilda Sozo, 25 vjeç, as e bukur, as e shëmtuar, e vogël, e imët, fytyrëmprehtë, plot vullnet, por edhe me dëshira të ndrydhura – dhe me një vajzë 4-vjeçare, një krijesë e hijshme pa mbiemër atëror, eh – mendoi që ta çonte dhe ajo vajzën e saj atje.
Ditën e gjuetisë, e veshi Antonelën e saj me mantelin e ri dhe kapelën e kashtës, që e bënin të dukej njësoj si vajzat e zotërinjve.
Ndërsa Xhilda nuk mund t’i ngjante një zonje: rrobat i kishte tepër të vjetra. Por i lindi ideja për diçka tjetër; gjeti një lloj skufjeje, u rregullua pak a shumë si infermiere dhe po të mos e shihje me vëmendje, fare mirë mund ta merrje për një dado moderne, nga ato që kanë diplomën e Gjenevës ose të Noshatelit.