Në kopshtin e Vilës Mbretërore,
kryqi Vjollcë Ndërkombëtar do të organizonte gjuetinë e madhe të vezës për
fëmijët nën 12 vjeç. Bileta 20 mijë lireta.
Vezët fshiheshin nën disa
grumbuj fieresh, pastaj jepej sinjali i nisjes dhe të gjitha vezët që arrinte
të gjente një fëmijë, ishin të tijat. Vezë me përmasa dhe lloje nga më të
ndryshmet. Prej çokollate, prej metali, prej kartoni. Kishte dhe nga ato me lodra shumë të bukura brenda.
Xhilda Sozo, kameriere me orë,
dëgjoi të flitej për këtë gjueti në shtëpinë Zernota ku punonte. Zonja Zernota
do t’i çonte të katër fëmijët e saj atje. Që të gjithë bashkë kushtonin 80 mijë
lireta.
Xhilda Sozo, 25 vjeç, as e
bukur, as e shëmtuar, e vogël, e imët, fytyrëmprehtë, plot vullnet, por edhe me
dëshira të ndrydhura – dhe me një vajzë 4-vjeçare, një krijesë e hijshme pa
mbiemër atëror, eh – mendoi që ta çonte dhe ajo vajzën e saj atje.
Ditën e gjuetisë, e veshi
Antonelën e saj me mantelin e ri dhe kapelën e kashtës, që e bënin të dukej
njësoj si vajzat e zotërinjve.
Ndërsa Xhilda nuk mund t’i
ngjante një zonje: rrobat i kishte tepër të vjetra. Por i lindi ideja për diçka
tjetër; gjeti një lloj skufjeje, u rregullua pak a shumë si infermiere dhe po
të mos e shihje me vëmendje, fare mirë mund ta merrje për një dado moderne, nga
ato që kanë diplomën e Gjenevës ose të Noshatelit.
Kështu arritën në kohë në hyrje
të Vilës Mbretërore. Aty, Xhilda ndaloi si një mëndeshë e mirë që pret të
zonjën. Ndërkohë makinat e zotërinjve mbërrinin, linin fëmijët, që do të
merrnin pjesë në gjuetinë e vezëve dhe largoheshin. Edhe zonja Zernati mbërriti
bashkë me katër fëmijët e saj, por Xhilda u hoq mënjanë, që ajo të mos e
shihte. Pastaj gjithë mundi do t’i kishte shkuar dëm Xhildës! Nuk ishte e lehtë
të krijohej ai çast dyndjeje dhe pështjellimi, gjatë të cilit ajo kishte
shpresuar ta fuste të bijën falas. Gjuetia fillonte në ora tre. Në tre pa pesë
mbërriti një makinë presidenciale. Ishte gruaja e një ministri të rëndësishëm
bashkë me dy fëmijët e saj, të ardhur posaçërisht nga Roma. Atëherë kryetari,
këshilltarët dhe drejtuesit e Kryqit Vjollcë Ndërkombëtar i dolëm menjëherë
përpara gruas së ministrit për t’i bërë nderet e duhura.
Pikërisht në atë çast u krijua,
madje aq sa s’pritej, rrëmuja aq e dëshiruar.
Kështu pra, Xhilda, kameriere
me orë, e maskuar si dado hyri në kopsht bashkë me vogëlushen e saj përdore,
ndërsa i jepte këshillat e fundit që të mos i linte fëmijët më të mëdhenj e më
dinakë se ajo që ta mundnin.
Mbi lëndinë ishin shpërhapur pa
rregull me qindra grumbuj fieresh të mëdhenj e të vegjël. Njëri duhet të ishte
rreth tre metra e kushedi se ç’mund të ish fshehur nën të,
ndoshta dhe asgjë. Sinjali u
dha me një buçimë borish. Litarthi që shënonte nisjen ra dhe fëmijët u turrën
me ulërima të papërshkrueshme në kërkim të vezëve.
Por fëmijët e zotërinjve
gjithnjë e mundnin Antonelën. Vraponte sa andej-këtej e pavendosur, ndërkohë që
disa rrëmonin në thellësi të grumbujve të fierit e disa të tjerë vraponin drejt
nënave të tyre duke shtrënguar mes duarve vezë gjigande prej çokollate ose me
letra ngjyra-ngjyra, me kushedi se çfarë surprizash brenda.
Më në fund, edhe Antonela duke
zhytur doçkën e vogël në një grumbull fieri preku një sipërfaqe të lëmuar e të
fortë. Duke u nisur nga format duhet të ishte një vezë goxha e madhe.
E marrosur nga lumturia filloi
të këlthiste: “E gjeta! E gjeta!” dhe mundohej të përfshinte vezën mes krahëve.
Por një djalë iu vërsul me kokë përpara, siç bëjnë në regbi, dhe pas pak
Antonela e pa të largohej duke mbajtur në krah një lloj monumenti, e madje duke
e përqeshur dhe vënë në lojë vajzën.
Sa të shkathët janë fëmijët! Në
tre ishte dhënë sinjali i nisjes dhe në tre e një çerek gjithçka ishte
spastruar mirë e bukur. Vajza e Xhildës, duarbosh, kërkonte me sy të ëmën të
veshur si guvernante. Sigurisht që ndihej shumë e dëshpëruar, por nuk donte
kurrsesi të qante. Do të kishte qënë turp i madh për të të qante para gjithë
atyre fëmijëve që mund ta shihnin. Secili tashmë kishte në duar prenë e vet,
kush më shumë e kush më pak. Vetëm Antonela s’kishte gjetur gjë prej gjëje.
Aty u gjend një çupëlinë
flokëverdhë 7-vjeçare që, e vetme, mezi mbante gjithë të mirat e botës që kish
mbledhur.
Antonela e shihte e çmeritur.
– Po ti nuk gjete gjë? – e
pyeti biondinka e vogël me mirësjellje.
– Jo. Asgjë.
– Po të duash, mund të marrësh
ndonjë nga vezët e mia.
– Me të vërtetë? Cilën?
– Njërën prej të voglave.
– Këtë?
– E mirë, merre.
– Faleminderit shumë, – tha
Antonela tashmë plotësisht e ngushëlluar.
– Si të quajnë?
– Injacia, – tha biondinka.
Në atë çast ndërhyri një zonjë
e gjatë, që duhet të ishte e ëma e Injacias.
– Pse ia dhe vezën kësaj?
– Nuk ia dhashë, ajo ma mori
vetë, – iu përgjigj e gatshme Injacia me pabesinë misterioze të fëmijëve.
– Nuk është e vërtetë, – thirri
Antonela. – Ajo ma dha vetë.
Ishte një vezë e bukur prej
kartoni të ndritshëm që hapej si kuti. Brenda duhet të kishte ndonjë lodër ose
servis për kukulla, a ndonjë komplet për qëndisje.
E tërhequr nga diskutimi, aty u
afrua një zonjë e Kryqit Vjollcë, e veshur e gjitha me të bardha, rrotull të
pesëdhjetave.
– Ç’keni moj vogëlushe të
bukura? – pyeti duke buzëqeshur, por jo dhe aq ëmbël.
– Nuk u kënaqët?
– Asgjë, asgjë, – tha mamaja e
Injacias, – kjo çamarrokja, që as nuk e di se e kujt është, i mori vezën vajzës
sime. Po s’ka gjë. Le ta mbajë. Eja Injacia, shkojmë.
Dhe mori rrugën bashkë me të
bijën.
Por zonja nuk e quajti të
mbyllur incidentin.
– Ti e more vezën? – pyeti
Antonelën.
– Unë, jo. Ajo ma dha vetë.
– Ah, kështu, ë? Si të quajnë?
– Antonela.
– Antonela kush?
– Antonela Sozo.
– Po mamaja jote? Ku është
mamaja jote?
Vetëm atëherë Antonela u kujtua
që edhe mami i saj ishte aty.
Ajo ndiqte skenën pa lëvizur
nga një largësi rreth katër metra.
– Ja ku është! – tha vajza duke
bërë me shenjë drejt saj.
– Ajo atje? – pyeti zonja.
– Po.
– Pse, s’është guvernantja ajo?
Atëherë Xhilda bëri përpara.
– Unë jam e ëma.
Zonja e mati me sy gjithë
dyshim.
– Më falni zonjë, a keni
biletë? Ju vjen keq të ma tregoni pak?
– Nuk kam biletë, – tha Xhilda,
duke zënë vend përkrah Antonelës.
– E keni humbur?
– Jo, nuk kisha fare biletë.
– Keni hyrë fshehurazi,
atëherë? Po qe kështu, ndryshon puna. Pra, vajzë e mbarë, kjo vezë nuk është
jotja.
Dhe me vendosmëri ia mori vezën
nga duart.
– Turp të kini! – tha. – Ju lutem, dilni!
Vogëlushja
ngriu në vend dhe në fytyrëzën e njomë iu vizatua një dhimbje aq e madhe, saqë
gjithë qielli i botës u errësua.
Atëherë,
ndërsa zonja po largohej bashkë me vezën, Xhilda shpërtheu.
Poshtërimet,
dhimbjet, inatet, dëshirat e ndrydhura për vite e vite të tëra qenë më të forta
se gjithçka. Dhe filloi të ulërinte. E mbuloi zonjën me fjalë fyese të
tmerrshme që fillonin me k, me m, me b, me q, e me të gjitha gërmat e tjera të
alfabetit.
Aty ishin
gjithë ata njerëz, zonja elegante të shoqërisë së lartë me fëmijët e tyre, me
duart plot vezë të mrekullueshme.
Njëra ia mbathi e tmerruar.
Dikush tjetër protestoi: – Ky është turp, skandal! Po na dëgjojnë dhe fëmijët!
Arrestojeni!
– Jashtë, jashtë që këtu,
rrugaçe, nëse s’do të të denoncoj! – u përpoq ta trembte zonja.
Por Antonela shpërtheu në lot
të pafund, që do të kishin mallëngjyer dhe gurët.
Xhilda nuk përmbahej më. Turpi,
keqardhja i falnin një energji të pazakontë, së cilës askush s’mund t’i bënte
dot ballë.
– Ju të kini turp! I morët
vezën vajzës sime, që s’kish gjetur gjë prej gjëje. E di çfarë jeni ju? Një
qelbësirë!
Dy policë erdhën dhe e
mbërthyen Xhildën prej krahësh.
– Jashtë, menjëherë jashtë!
Ajo përdridhej. – Lëshomë, qen
bie qeni.
E kapën, e mbërthyen nga të
tëra anët dhe e tërhoqën zvarrë deri te hyrja.
– Tani eja me ne në polici.
Atje brenda nuk do të kesh më dëshirë të shash kaq hapur forcat e rendit.
Mezi e mbanin megjithëse ishte
shumë e brishtë.
– Jo, jo! – ulërinte. –
Vogëlushja ime! Vogëlushja ime! Lëshomëni, maskarenj!
Vajza që i ishte varur pas
fundit, përplasej andej-këndej mes zallamahisë së njerëzve. Përmes dënesave i
dilnin thirrje të furishme. Duhet të ishin nja dhetë vetë, burra e gra kundër
saj.
– U çmend! Sillni këmishën e forcës! Në spital!
Kamioni i
burgut mbërriti, hapën dyert dhe e ngritën peshë nga toka. Zonja e Kryqit
Vjollcë mbërtheu vajzën nga dora plot energji.
– Tani ti do të vish me mua. Do
t’i jap unë një mësim të mirë sat ëme.
Askujt s’i ra ndër mend që në
raste të veçanta padrejtësia e pësuar mund të shpërthejë me një furi aq të
frikshme.
– Për herë të fundit po ju
them, lëshomëni! – ulëriti Xhilda, ndërsa po përpiqeshin ta hipnin në furgon. –
Lëshomëni, para se t’ju vras!
– Mjaft, merreni! – thirri
zonja e zënë me qetësimin e fëmijës.
– Epo atëherë, më marrsh të
keqen, e mallkuar! – ia bëri Xhilda duke u përpëlitur më shumë se kurrë.
– Oh, zot! – rënkoi zonja e
veshur me të bardha dhe ra pa ndjenja në tokë.
– Tani e ke radhën ti që më
shtrëngon duart. Na dhe ti! – tha kamerierja.
Ndodhi një përplasje trupash,
pastaj nga furgoni fluturoi trupi i pajetë i njërit prej policëve. Një sekondë
më pas u plandos përtokë edhe tjetri, sapo Xhilda tha vetëm një fjalë. Të
gjithë u tërhoqën të tmerruar.
Nëna u gjend e vetme dhe rreth
saj një turmë e tërë që nuk guxonte më t’i afrohej.
Mori përdore Antonelën dhe eci
përpara e sigurt:
– Hapuni, hapuni! Lëshomëni
rrugën!
I hapën krahun. Nuk kishin më guxim ta preknin. Megjithatë e ndiqnin nga një
largësi rreth 2 metra, ndërsa ajo largohej.
Ndërkohë
që u bë një rrëmujë aq e madhe saqë s’e merrte vesh i pari të dytin, mbërritën
kamionët e përforcimit mes sirenave të autoambulancave dhe të zjarrfikëseve.
Një zëvendëskuestor mori komandën e operacionit. U dëgjua një zë:
– Pompat!
Gazin lotsjellës!
Xhilda u
kthye me krenari:
–
Provojeni në jua mban!
Ishte një
nënë e fyer, e poshtëruar, një forcë e furishme e natyrës.
Një grup policësh të armatosur
e rrethuan.
– Duart lart, ditëzezë!
Jehoi dhe një e shtënë
paralajmëruese.
– Mos doni të vrisni edhe
vajzën time? Hë, edhe atë doni ta vrisni? – klithi Xhilda.
– Lërmëni të kaloj!
Eci përpara e patrembur. Ajo as
që i kishte prekur fare policët, kur ata papritur u gjendën përtokë të tërë në
një kohë.
Kështu arriti në shtëpinë e
vet.
Ishte një ndërtesë e madhe mes
lëndinave të periferisë. Policia u vu në radhë rreth e rrotull. Kuestori doli
në krye me një megafon elektrik. Të gjithë banorëve të pallatit u jepej 5
minuta kohë për t’u larguar nga pallati; nënën e çmendur e urdhëruan të
dorëzonte fëmijën për të mos i hapur vetes telashe të tjera.
Xhilda doli në një nga dritaret
e katit të fundit duke ulëritur fjalë të pakuptueshme. Radhët e policëve
papritur u prapsuan, sikur një forcë e padukshme të vepronte kundër tyre.
– Çfarë bëni? Shtrëngoni
radhët! – ulëritën oficerët. Por edhe vetë ata u sprapsën, duke u penguar me
këmbët e veta. Në pallat, tashmë përveç Xhildës dhe së bijës nuk kish mbetur
këmbë njeriu. Ndoshta po përgatiste darkën, sepse nga oxhaku dilte një fjollë e
hollë tymi. Muzgu po binte dhe repartet e regjimentit të shtatë kishin formuar
një unazë të gjerë rreth shtëpisë.
Xhilda doli sërish në dritare e
seç ulëriti diçka. Një tank i tëndë filloi të hovte, pastaj papritmas u
qorrollis me zhurmë. Po kështu një i dytë, një i tretë, një i katërt. Një forcë
misterioze i përplaste sa andej-këtej si lodra teneqeje, derisa mbeteshin të
palëvizshëm në pozicione nga më të çuditshmet, plotësisht të shpartalluar.
Qe vendosur shtetrrethimi.
Ndërhynë forcat e O.N.U.-së. Zona rreth e qark qytetit u evakua në një rreze
shumë të madhe. Në agim filloi bombardimi. Që nga ballkoni, Xhilda dhe e bija
vështronin të qeta në këtë shfaqje. Nuk dihet si e qysh, por asnjëra nga bombat
nuk mbërriti deri te shtëpia. Shpërthenin që të gjitha në ajër, tre–katërqind
metra më lart. Pastaj Xhilda hyri brenda, sepse Antonela, e trembur nga gjëmimi
i shpërthimeve filloi të qante.
U përpoqën ta mundnin me urinë
dhe etjen. Tubat e ujit u prenë. Por çdo mëngjes e çdo mbrëmje nga oxhaku
vazhdonin të dilnin fjollat e tymit, shenjë kjo që Xhilda po gatuante.
Gjeneralët vendosën të sulmonin
në orën X. Në orën X toka u drodh për kilometra të tërë. Makinat e luftës
përparuan në një drejtim të vetëm me një zhaurimë apokalipsi.
Xhilda u shfaq sërish në
ballkon.
– Mjaft! – thirri. – Lërmëni të
qetë!
Formacioni i tankeve thuajse u
shtyp nga një valë e padukshme.
Lëkurtrashët e hekurt me
vdekjen në kurriz u spërdrodhën mes kërkëllimash të tmerrshme, duke u kthyer në
grumbuj hekurishtesh. Sekretari i parë i O.N.U.-së bëri përpara me flamurin e
bardhë në dorë.
Xhilda i bëri shenjë të hynte.
Sekretari i O.N.U-së i kërkoi
Xhildës kushtet e paqes: vendi ishte i rraskapitur, nervat e popullsisë dhe të
forcave të armatosura nuk mbanin më.
Xhilda i vuri përpara një
filxhan kafeje dhe I tha:i
-Dua një vezë për vajzën time.
Dhjetë kamionë ndaluan përpara
shtëpisë. U shkarkuan vezë të përmasave nga më të ndryshmet, me bukuri të
rrallë, me qëllim që vajza të zgjidhte. Madje ishte dhe një veze floriri, që
përshkohej tej e tej nga gurë të çmuar, me diametër 35 centimetra.
Antonela zgjodhi një të vogël
me karton ngjyra-ngjyra, njësoj me vezën që i kishte marrë zonja e madhe.
Shqipëroi Aida Baro