Vijat e dorës
Nga një letër e harruar mbi një
tavolinë del një vijë që vrapon në dërrasë pishe dhe zbret përgjatë këmbës.
Mjafton ta vëzhgosh mirë për të zbuluar se vija vazhdon gjatë dyshemesë së
drunjtë, ringjitet nëpër mure, hyn në një afishe që riprodhon një pikturë të
Boucher, vizaton shpinën e një gruaje të përkulur mbi një divan e në fund shket
nga dhoma për në tavan dhe duke ndjekur rrufepritësin, zbret në rrugë. Këtu është
e vështirë ta ndjekësh, sepse trafiku është i dëndur, por me pak kujdes do të
vësh re tek ngjitet mbi rrotën e autobusit të ndaluar në një qoshe të stacionit
të fundit të portit. Atje zbret nëpër çorapen najlon të pasagjeres më bionde,
hyn në territorin jomikpritës të doganave, vërvitet dhe noton me lëvizje të
shpejta deri te moli kryesor, por këtu (është e vështirë ta dallosh, vetëm
mijtë e ndjekin duke u kacavirur në bord), ngjitet në anije nga turbinat e
alarmit, vrapon sipër tavolinave të kuvertës së klasit të parë, shmang me
vështirësi portën kryesore të hambarit dhe në një kabinë, ku një burrë i
trishtuar pi konjak dhe dëgjon sirenën e nisjes, ringjitet nëpër të qepurën e
çorapes, në jelek, rrëshqet deri te bërryli dhe me një sforcim të fundit strehohet
në pëllëmbën e djathtë, që në këtë çast fillon të mbyllet në shtrëngimin e një
pistolete.