Qysh në fillimet e tyre, mes letërsisë dhe
politikës ka fryrë thëllimi. Përvoja komuniste i detyroi shkrimtarët që t’i shohin
të paktën vëngër politikanët, teksa përvoja e ashtuquajtur demokratike nuk e pakëson asnjëherë ndruajtjen e politikanëve ndaj shkrimtarëve. Politikanët paditen
edhe sot e kësaj dite si të vetmit fajtorë të varfërimit të shqipes, të
fundosjes së humorit në pellgun e shakave bajate, të trymbetimit të dështakëve
dhe shkatërrimit të ngadaltë të elitave të pavarura, ose sa më pak të varura.
Me pak qetësi do të arrijmë të shohim se e ashtuquajtura shpërfillje ndaj letërsisë së fuqishme është
një çështje shumë më tepër shpirtërore, sesa shtetërore. Ajo nis të zhvillohet
njëherazi nga brenda një letërsie për jashtë dhe nga letërsitë e huaja për
brenda. Në rrafshin e brendshëm, kur autorë e kritikë nuk kanë një kulturë të
domosdoshme për talentin dhe as anasjelltas, bien në të gjendjen që quhet ves i truallit (aq i pranishëm në
mendësinë e qenve) dhe i cili duhet pushtuar e kontrolluar mundësisht edhe pas
vdekjes. Arrihet në një betejë shpesh të nëndheshme, ku secili mezi pret të
dëbojë kolegun nga vendi krejt i merituar, t’ia kyçë librat në sirtar dhe në
depot e librarive, - shpesh duke ia shndëruar në letër për librat e anëtarëve
të bajrakut, - t’ia ndyjë emrin a faqen në prani të të huajve apo të kujtdo
qoftë. Është e qartë se me qëndrime të lësaj natyre s’mund të sigurosh
mbështetjen e askujt, aq më pak të strukturave shtetërore. Ose mund të kesh
vetëm mbështetjen e ndonjë regjimi kalimtar.