KOPI KYÇYKU
Në ekranin e kinemasë “Millenium” të kryeqytetit u projektua para pak ditësh filmi tetëdhjetëminutësh “Sa kam shpirt, kam shpresë”, i Mjeshtrit të Madh Esat Teliti, njëherazi regjisori dhe skenaristi i kësaj vepre – simbiozë e përkryer e historisë dhe e arteve. Rrallëherë ndërtreten kaq natyrshëm, me kaq elegancë e sidomos me kaq domethënie, të gjithë përbërësit e një krijimi të ekranizuar si në dokumentarin e këtij krijuesi të mirënjohur e me përvojë të pasur, Mund të thuhet pangurrim se dokumentari për të cilin po flasim është i pari, në mos i vetmi, që mund të cilësohet “i kompletuar” gjatë dy dhjetëvjetshave të fundit.
Esat Teliti punon pa ndërprerje në Televizionin Publik Shqiptar qysh në vitin 1972, fill pasi përfundoi me sukses degën e dramës në Akademinë e Lartë të Arteve, në Tiranë. Ai ka drejtuar Festivalin e 13-të të Këngës në RTSH (1974), spektaklin e parë televiziv “Fituesja e fitueseve” (1974); është nderuar me Çmimin Kombëtar “Aleksandër Moisiu” (1982); ka fituar Çmimin e Parë në Konkursin e Gazetarisë (1984),Çmimin e Dytë në Festivalin e 8-të të Filmit Shqiptar (1989), Çmimin “Antena e Artë”, me rastin e 40-vjetorit të krijimit të Televizionit Shqiptar (2000), Çmimin “Portreti i i vitit 2007”, Titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës (2012), titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia e Kavajës (2012). Përveç mjaft filmave artistikë, si aktor ose regjisor, Esat Teliti ka përgatitur mbi pesëdhjetë filma dokumentarë, me frymëmarrje të gjerë tematike e shtrirje të gjatë kohore.